Frika nga ISIS, mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare

Home » Aktualitet » Frika nga ISIS, mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare

By edi on November 21, 2015. No Comments

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka thirrur sot mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në orën 19:00 në Presidencë. Mbledhja zhvillohet një javë pas sulmeve terroriste që përgjakën Parisin, ndërkohë që prej tre ditësh Policia e Shtetit ka kaluar në gjendje të lartë gabishmërie.

Shërbimi Informativ Shtetëror ka marrë informacione nga shërbimet partnere se vendi ynë është po aq i rrezikuar sa kryeqytete të tjera europiane. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare do të jenë veç Presidentit, edhe Kryeministri Rama, ministrat Tahiri dhe Bushati, shefi i shtabit të Forcave të Armatosura Jeronim Bazo, kreu i SHISH Visho Ajazi Lika, kryeprokurori Adriatik Llalla, kryeparlamentari Ilir Meta dhe lideri i opozitës, Lulzim Basha.

Mbledhja e fundit e këtij këshilli është zhvilluar më 17 janar të vitit 2015 dhe në fokus ishte sërish koordinimi dhe forcimi i bashkëpunimit për luftë kundër terrorizmit. Ndërkohë sic është raportuar më herët, prej tre ditësh masat e sigurisë në Tiranë janë shumë të larta. Policë të pajisur me armë automatike patrullojnë në vende të mbipopulluara. Në terren janë edhe agjentë të SHISH dhe Antiterrorit.

Elementët terroristë synojnë gjithnjë vendet e mbipopullura, si sheshe, stacione të transportit urban, rrugë me shumë lëvizje, qendra tregtare, godina të policisë, institucione të tjera publike, spitalet e deri te shkollat. Pikërisht këto janë vendet ku vëmendja e autoriteteve të rendit dhe shërbimit informativ është më e madhe./LAPSI.AL/

Leave a Reply