AAK: Gabimet në demarkacionin me Malin e Zi, janë evidente

B15FAC06-06C4-412B-82CC-26640EA6947D_w308_h173Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikate për shtyp, ka thënë se nuk mund ta komentojë versionin zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, pa e parë atë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka vlerësuar sot se shenjimi i vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Pavarësisht prej kësaj, ka një numër jo të vogël të ekspertëve të kësaj fushe, që nuk janë përsona partiakë, që kanë gjetur parregullsi të mëdha në shënjimin e kufirit me Malin e zi. Për më tepër edhe vetë Mali i zi, në disa raste e ka shprehur gatishmërinë që të korrigjohen gabimet që janë bërë”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Është pikërisht kjo parti politike në opozitë, e cila ka kundërshtuar fuqishëm marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Askush nuk duhet të frikësohet nga përsëritja e një procesi të detajuar të demarkacionit me Malin e zi, sepse gabimet gjithmonë janë të mundshme dhe në rastin konkret, është evidente se ato janë bërë”, thuhet mes tjerash në deklaratën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Shenjimi aktual i kufirit me Malin e Zi po kundërshtohet edhe nga dy subjektet tjera politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën, të cilat thonë se ” marrëveshja dëmton tërësinë territoriale të Kosovës”.

Së bashku me marrëveshjen për ngritjen e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë, marrëveshja për demarkacionin është përmendur nga opozita, si arsye për bllokimin prej tre muajsh të punimeve të Kuvendit të Kosovës.