Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin: Dënimi me 7-15 vjet burg për armëmbajtje pa leje i paarsyeshëm

168204

Gjykata Kushtetuese e konsideron të papajtueshëm me Kushtetutën caktimin e një dënimi nga 7 në 15 vite burg për vepren penale “armëmbajtje pa leje”. Me një vendim të datës 10 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese thotë se ka vendosur të shfuqizojë ndryshimet e bëra gjatë vitit 2013 dhe 2014 nga qeveria, e cila rriti masën e dënimit për rastet e armëmbajtjes pa leje.

Padi ishte bërë nga Gjykata e Apelit e Vlorës ndërsa palë të interesuara ishin Kuvendi dhe Kryeministria. Sipas vendimit, shfuqizohet neni 278 i Kodit Penal, konkretisht paragrafi 5 dhe 6 i ndryshuar e shtuar me ligjin e miratuar në Kuvend me Nr. 144 të vitit 2013 dhe me ligjin Nr. 98 të vitit 2014.

Këto dispozita parashikonin që çdo person i dënuar për armëmbajtje pa leje të vuante nga 7 deri 15 vjet burg. Gjykata ende nuk e ka shpallur motivin e ndryshimit, por mesa duket nuk është bindur për marzhin e lartë të dënimit në raport me veprën penale.

Edhe pika 6 e këtij neni shfuqizohet, pasi ishte parashikuar një marzh i lartë dënimi nga 15 deri 20 vjet burg. Sipas Gjykatës Kushtetuese ky paragraf shfuqizohet pasi bie ndesh me nenin 17 të Kushtetutës, ku parashikohet ndër të tjera se “Kufizimi i të drejtave dhe lirive të njeriut duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që ka diktuar atë”.