“Ilaçe për djalin tim, s’ka në Shqipëri” flet Kastriot Pepa, i dëbuar me familjen nga Islanda

Home » Aktualitet » “Ilaçe për djalin tim, s’ka në Shqipëri” flet Kastriot Pepa, i dëbuar me familjen nga Islanda

By edi on December 11, 2015. No Comments

“Në Shqipëri nuk do të ketë të ardhme për djalin tim”, thotë Kastriot Pepa. Çifti ka dhe një vajzë Kleur, 5 vjeçe.

Kastriot dhe Xhulia Pepa emigruan 10 muaj më parë në Islandë me shpresën për të marrë azil. Por një kërkesë e tillë iu mohua. Djali i tyre, Kevin, 3 vjeç, është i prekur nga fibroza cistike. Edhe ditën e dëbimit ai duhej të shkonte në spital për të marrë trajtim. Gjendja e tij është përmirësuar, por familja është e tronditur për vendimin e largimit të tyre nga Islanda. Sëmundja që ka Kevin quhet ndryshe sëmundje që shkaktohet nga mutacioni i geneve, shkruan Panorama. I ati shpjegon se kjo e rrezikon atë nga tumoret.

“Në Islandë djali im mori medikamentet e duhura dhe ndihej rehat. Këto nuk gjenden në Shqipëri. U jam mirënjohës për përmirësimin e shëndetit të djalit tim”, shprehet Kastrioti. Ai tregon se është pritur mirë, përveç zyrtarëve të emigracionit që i quan racistë. “Ata punojnë për sistemin, për ata duan të na kthejnë”, shprehet Kastrioti.

Xhulia para se të shkonte në Islandë, në Shqipëri ka punuar në bujqësi. Kastrioti thotë për gazetarët se në Shqipëri ndaj tij është qëlluar dhe me armë zjarri. Ai tregon se është qëlluar për shkak të xhaxhait të tij, kjo pasi ai ka vrarë një person në SHBA dhe tani kërkohet hakmarrje.

Familja shqiptare u dëbua me avion, fillimisht për në Gjermani dhe prej atje në Shqipëri. Fluturimi nga Islanda ishte në orën 04:00 të mëngjesit/ Panorama

Leave a Reply