Ministri gjerman kërkon krijimin e një ushtrie evropiane

shauble-300x190Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble u shpreh sot i gatshëm për të rritur shpenzimet ushtarake gjermane, në kontekstin e krizës së refugjatëve dhe shpreson për një ushtri evropiane të përbashkët.

“Ne do të duhet të kemi më shumë mjete për iniciativat e përbashkëta përsa i përket mbrojtjes evropiane”, theksoi Schauble, 73 vjeç, figurë kryesore e qeverisë dhe politikës gjermane për të përditshmen popullore “Bild am Sonntag”.

Sipas tij,fluksi rekord i refugjatëve në Evropë kërkon një angazhim të riforcuar nga ana e Gjermanisë përsa i përket politikës së huaj dhe sigurisë, me qëllim për të ndihmuar BE-në të stabilizojë Lindjen e Mesme.

“Qëllimi ynë duhet të jetë një ushtri evropiane e përbashkët. Burimet e parashikuara për 28 ushtritë kombëtare mund të përdoren më mirë nëse do të bashkohehsin”, theksoi Schauble.

Përsa i përket shpërndarjes së azilkërkuesve në Bashkimin Evropian, financieri gjerman bëri thirrje për tolerancë ndaj vendeve që kanë shprehur rezerva për pritjen e imigrantëve, ndërkohë që vetëm Gjermania ka regjistuar më shumë se një milionë imigrantë këtë vit.

“Vendet e Evropës lindore duhet të marrin gjithashtu refugjatë, por më pak se Gjermania”, theksoi Schauble duke gjykuar se Evropa mund të dalë e riforcuar nga kriza aktuale dhe tashmë ka përmbushur një hap të rëndësishëm duke rënë dakors për të siguruar kufijtë e jashtëm.