Prokurorë, gjyqtarë dhe avokatë rebelohen ndaj ambasadorit amerikan: Ndalo akuzat përgjithësuese, duam të jemi pjesë e reformës

Prokurorë, gjyqtarë dhe avokatë rebelohen ndaj ambasadorit amerikan: Ndalo akuzat përgjithësuese, duam të jemi pjesë e reformës

Postuar: 25/12/2015 – 07:50

Opinioni paraprak i Komisionit të Venecias, i cili rrëzon gati 70 për qind të reformës në drejtësi, duke hedhur poshtë propozimet më radikale, ka ngjallur shpresat dhe optimizmin në korporatën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët mendojnë se po shpëtojnë edhe këtë radhë. Menjëherë pas raportit të Komisionit të Venecias, prokurorë dhe gjyqtarë, jo vetëm kanë nisur të cicërojnë, por ditët e fundit, kanë nisur t’i kundërvihen hapur amerikanëve, të cilët kërkojnë jo vetëm spastrimin e drejtësisë nga njerëzit e korruptuar, por futjen në burg të gjyqtarëve dhe prokurorëve të lakuar për ryshfet. Pas daljes së kryeprokurorit Adriatik Llalla, prokurorët dhe gjyqtarët kanë mbajtur dje një qëndrim më të unifikuar kundër deklaratave të forta të ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu. Prokurorë, gjyqtarë dhe avokatë janë mbledhur dje në një tryezë të organizuar nga Unioni i Gjyqtarëve, ku ishte i pranishëm ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, në të cilën kanë kërkuar që të bëhen pjesë e reformës në drejtësi. “Ndjejmë dhimbje kur shohim njerëz të paaftë, në mënyrë tendencioze, qofshin këta dhe politikanë të lartë, artikulojnë që i gjithë gjyqësori është i korruptuar. Jo normale. Unë përkrah edhe mendimin që shumë diplomatë që po merren me këtë çështje nuk e njohin sa duhet. Nuk është katandisur drejtësia jonë tani te një orë dore, apo te një gjerdan”, u shpreh një prej përfaqësuesve të gjyqtarëve. Më tej ata u thanë se deklaratat në adresë të tyre e kanë dëmtuar shumë rëndë drejtësinë. “Reforma në drejtësi është shoqëruar me një fushatë denigruese ndaj gjyqtarëve. Mendoj, duke e parë edhe nga jashtë, e ka dëmtuar shumë gjyqësorin në disa pika parimore, siç janë pavarësia dhe në mënyrë të veçantë besimi i njerëzve te drejtësia”, thanë ata.
Konsultimi dhe pjesëmarrja
Prokurorë, gjyqtarë dhe avokatë deklaruan dje se reforma në drejtësi nuk është konsultuar si duhet, me qëllim arritjen e një rezultati final. Ata kërkuan të jenë pjesë e konsultimeve. “Nëse këtë proces do e ndajmë në faza, faza e parë ku ishte konsultimi, përgatitja dhe fotografimi i sistemit ishte një fazë që lejoi të gjithë profesionistët të shprehnin mendimin e tyre. Ndërkohë që faza e dytë na erdhi surprizë, e pakonsultuar me ne. Ne kemi shprehur nxitimin për ta paraqitur këtë draft në mënyrë të pakonsultuar, dhe që solli problematikat e vërejtura dhe nga Komisioni i Venecias”, tha Gert Hoxha, kreu i Unionit të Gjyqtarëve. Nga ana tjetër, Ndini Tavani, kreu i Unionit të Prokurorëve, u shpreh se duhet që të zbatohen me përpikmëri rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Venecias. “Komisioni i Venecias e ka shprehur në mënyrë të qartë se masat e konsideruara si të jashtëzakonshme për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë, duhet të synojë identifikimin e çdo rasti individualisht për ata gjyqtarë, të cilët nuk janë të aftë për të zënë një pozitë gjyqësore. Këto masa, shprehen më tej nga Komisioni i Venecias, duhet rreptësisht të mbrojnë gjyqtarët që janë të aftë”, tha ai. Ndërsa Saimir Visha, kreu i shoqatë së avokatëve, shprehu gatishmëri për bashkëpunim.