Pse kriminelë në parlament?!

12096540_760195644109472_3847804796857534288_nNga Dionis Xhafa

Muaji janar, siç edhe është paralajmëruar, do të jetë me siguri një muaj i rënduar politikisht, pasi në këtë muaj pritet që të nisin edhe spastrimet në rradhët e deputetëve të inkriminuar sipas ligjit të dekriminalizimit.
Janari pritet të jetë muaji i së vërtetës, i asaj sesa politika jonë mund ta përmbushë një ligj, të ngjashëm me atë “Saverino” që e ka në fuqi shteti italian.

Edhe sikur shumë parlamentar të ikin pas ligjit në fjalë, i cili prek këdo deputet që në të shkuarën ka shkelur ligj që e përfshin platforma për dekriminalizimin, një re dyshimi lidhet me atë se si ka mundësi që parlamentarë me të shkuar të errët, të kenë hyrë në Kuvend.
Si ka mundësi, qysh më herët kur u zbulua çështja Mark Frroku, që në Kuvend hynë vrasës, të dënuar për prostitucion e krime të ngjashme?

Si ka mundësi që shqiptarët të zgjedhin njerëz të këtillë që ti përfaqësojnë?
Pa u marrë me “surprizat” që me siguri do të rrjedhin si pasojë e ligjit të dekriminalizimit, pyetja që shtrohet është si ka mundësi që shqiptarët zgjodhën të tillë njerëz, por edhe zgjedhin nga ana tjetër njerëz, që ndoshta nuk i prek dekriminalizimi, por se të përfshirë në krime e të mbrojtur nga drejtësia? (një sërë politikanësh të lartë kanë qenë të tillë, që kanë patur akuzën dhe ose me pretekst ose me mbrojtje, janë liruar nga drejtësia)?
Si është e mundur kjo? A nuk duan shqiptarët që të zgjedhurit e tyre të jenë ajka e shoqërisë?

Me siguri që “Po” duan, por se realiteti është ndryshe dhe arsyen secili mund ta mendoj vetë, por se me siguri që variant i besueshëm është fakti se shqiptarët vijojnë të mbeten të robëruar.

Duke qenë një shoqëri e varfër, e kërcënuar nga mbijetesa, e mbushur me halle e probleme, shoqëria jonë për fat të keq me siguri që niset nga materializmi.

Siç theksonte edhe Papa, materializmi në shoqëri po bëhet gjithnjë e më dominues, edhe tek shqiptarët duket të jetë i tillë, madje në mos më tepër, për shkak se kushtet janë të vështira dhe në fakt nuk është se shoqëria është fajtore.

Është kjo varfëri, këto halle, këto probleme, qe e mbajnë shoqërinë shqiptare nën një robëri të politikës, qoftë kjo edhe e përlyer me krimin.
Është kjo varfëri, këto halle, këto probleme, që e mbajnë shoqërinë shqiptare nën thundrat e përdhunës, të politikës që shpesh nuk bëhet me laps, por me fortësi dhe të prodhojë politikanë që vështirë se e lëshojnë kolltukun.

Fan Noli, në një ndër fjalimet e tij të famshme, kur fliste për pesë anarkitë, do të përmendte edhe anarkinë morale. Ai thekson se në politikë ka “luftë” me penë e me armë dhe se e dyta për fat të keq ishte mbizotëruese në kohën e tij, e jo pak edhe sot.

Nën kushtet e pamundësisë, edhe krimi, edhe mënxyra në pushtet, edhe lidhjet e pamoralta janë realitet. Nën kushtet e pamundësisë, jo vetëm që njerëzit në krye të sistemit dalin të zinj (sepse kanë në dorë popullatën e pamundur), por në mos njerëzit zgjedhin edhe më të ndyrin, mjaft që të kenë për të ngrënë, për të jetuar.

Ka shtete, ku njerëzit duan mafian, duan hajninë, sepse edhe mafia, edhe hajnia, e mbështet, nuk e takson, por fiton sa të mundet dhe qytetarit i dhuron sa për mbijetesë.

E rëndë të thuhet se ka parti politike që operojnë disi në mënyrë të ngjashme, në mos kaq larg, në mënyrë dhunuese, që i dhurojnë diçka qytetarit, kapin shtetin dhe jo rrallë e shkatërrojnë atë.

Për fat të keq, krimi (në mënyra të ndryshme) në pushtet është i fuqishëm, i kobshëm dhe prezent, aq sa të detyrojë të ndershmit të mposhten si pasojë e varfërisë ku lundrojnë, ardhur kjo pikërisht nga klasa politike.