Seanca e fundit, amnistia votohet me konsensus

6360C4C6-8AC8-48EA-A61B-5EBC3A54CB5A_w308_h173
Në përmbyllje të këtij sesioni parlamentar, maxhoranca dhe një pjesë e opozitës votuan pro amnistisë. 110 dhjetë pro shkuan për faljen e dënimit në masën 1 vit e gjysmë për femrat dhe për burrat 1 vit.

Nga kjo amnisti përfitojnë rreth 700 deri në 1000 persona që ndodhen në paraburgim dhe burg. Në këtë amnisti u përfshi edhe dënimi për vjedhjen e energjisë elektrike, amenduar në këtë seancë me propozim të Taulant Ballës.

Por ashtu siç pritej votat e maxhorancës u përçane tek ligji i shumëdebatuar i lojërave të fatit. 7 deputetë, ndër të cilët edhe deputetë me peshë brenda grupit socialist, si Fatmir Xhafa, Erjon Braçe e Pandeli Majko, abstenuan për ligjin që ka rreth një vit që debatohet.

Pothuaj të njëjtët deputetë votuan kundër në disa nene kryesore të ligjit, si ai për distancën apo uljen nga 25 në 15 përqind të tatimit.

Në këtë seancë u votua gjithashtu ngritja e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore.

Hysi: Opozita keqinformon, Venecia mbështet reformën

Deputetja socialiste, Vasilika Hysi i quajti keqinformime deklaratat e opozitës, që pretendon se Komisioni i Venecia ka kundërshtuar draftin e reformës në drejtësi.

“Ky është keqinformimi më i madh i opozitës. Deputetët e opozitës harrojnë se nesër del raporti përfundimtar. Komisioni i Venecias i jep mbështetje të fortë reformës dhe vlerëson se Shqipëria ka nevojë për një reformë radikale”, tha Hysi.

Strazimiri: Amnistia? Qeveria nuk mëshiroi të varfërit

Deputeti demokrat Gent Strazimiri, duke folur për amnistinë në seancën e fundit parlamentare për këtë vit, e ka cilësuar atë si një nismë selektive të mazhorancës.

“Amnistia është “klemencë”, ose akt mëshire. Sa gjynah që qëlluan jetëshkurtër dhe nuk e patën këtë fat ata që vranë veten në qeli, të burgosur për shkak të energjisë elektrike. Sa keq që nuk e pati këtë fat gjyshja 99-vjeçare që vdiq nga i ftohti sepse OSHEE i kishte prerë dritat, ose fëmija e vogël që vdiq pa mëshirën e qeverisë. Nuk e pati këtë fat as mësuesja nga Korça, që ngaqë ishte me kancer u pushua nga puna”, ka thënë Strazimiri.

Ai ka theksuar se, “në këtë amnisti nuk amnistohet asnjë nga viktimat e arbitraritetit të pushtetit”. Kjo amnisti, sipas tij, është një nismë e shumicës për të mbuluar dështimin në mbajtjen e premtimeve që mazhoranca bëri në 2013-n.

Vasili: Amnistia, për kategori të caktuara të dënuarish; PD: Nismë selektive

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka sqaruar se, nisma për amnistimin e të dënuarëve ka të bëjë me disa kategori dhe jo me të gjitha.

“Nuk do ta mendoja kurrë këtë nismë nëse ajo do të vinte vetëm nga qëllimi për të pasur më pak të burgosur. Kjo nuk do ishte e dobishme sepse çdo dënim i dhënë ka edhe vuajtjen e tij”, ka deklaruar Vasili.

Por, ka shtuar ai, “nisma ka vlerësuar që të gjithë ata që falen nuk kanë një rrezikshmëri shoqërore dhe si i tillë është pozitive që dënimet e këtyre individëve të përfundojnë këtu”.

Gjithashtu, “Ministria e Drejtësisë është treguar shumë e kujdesshme në hartimin e listës së të dënuarve”, ka thënë Vasili.

“Ne kemi parë që nga një amnisti tek tjetra ka pasur natyrshëm përmirësime dhe kjo krijon rrugën për përmirësime profesionale”, ka vlerësuar më tej kreu i grupit të LSI.

Ai ka shtuar më tej se, zgjidhja më e mirë për situatën e rënduar në burgje do të ishte që në mënyrë të veçantë organet përkatëse të rrisin shpejtësinë e gjykimit të veprave penale.

“Kjo do të krijonte lehtësi në sistemin penitenciar”, ka shtuar Vasili.

Drejtësia, Halimi: Mbështesim reformën, jo draftin e maxhorancës

Partia Demokratike deklaroi edhe njëherë tjetër se mbështet reformën në drejtësi, por jo draftin e hartuar nga maxhoranca dhe komisioni i posaçëm. Sipas opozitës, draft-reforma e propozuar nga maxhoranca synon kapjen e drejtësisë nga ana e kryeministrit.

“Mbështesim reformën, por jo draftin. Jo draftin sepse nuk bëhet më i mirë KLD nëse Kryeministri çon nga 3 në 5 numrin e anëtarëve që propozon. Skema e krijimit të tre institucioneve të reja është një skemë kapjeje që nuk garanton pavarësinë nga politika. Nuk bëhet më e mirë drejtësia nëse e merr ndër vete kryeministri. Këto ka thënë edhe Komisioni i Venecias, këtë kemi thënë edhe ne”, tha Halimi.

Halimi u ndal edhe tek amnistia e propozuar në Kuvend, duke cilësuar edhe këtë si një amnisti që liron hajdutët, kontrabandistët dhe kriminelët, por lë në burg qytetarët e pamundur që janë burgosur për mospagesën e energjisë elektrike. 

“Burgjet janë plot me peshq të vegjël sepse peshqit e mëdhenj të kontrabandës, drogës dhe krimit janë jashtë. Kjo ndodh sot! Amnistia ka një listë të zezë të atyre që nuk përfitojnë asnjë ditë amnistie dhe ata janë të pamundurit e energjisë elektrike. Hajdutët përfitojnë nga amnistia, ndërsa të pamundnurit e energjisë jo. Hajdutët e biznesve, makinave, kontrabandistët aministohen, ndërsa të pamundurit jo”, tha Halimi.

Deputeti demokrat akuzoi kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje të drejtpërdrejta ndaj gjyqtarëve.

“Kjo nismë është hipokrite, tipike për këtë qeveri dhe për Edi Ramën. Tipike për Edi Ramën që ditën bërtet për reformën në drejtësi dhe natën merr gjyqtarët në telefon dhe u thotë se çfarë vendimi duhet të marrin. U bërtet kur lirojnë të pamundurit dhe i përkëdhel kur lirojnë hajdutët, kontrabandistët dhe kriminelët”, shtoi ai.

Bylykbashi: Qeveria, grabitje masive të parasë publike dhe pronave

Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi në fjalën e tij në Kuvend ka kritikuar amnistinë e radhës nga mazhoranca.

“Kemi të bëjmë me amnistinë e tretë që shpallni në 2 vjet. Dikë që rri në shtëpi pa drita e quani hajdut të energjisë. Pa dalë fare nga shtëpia. Ndërsa për shpërndarësit e drogës ju shpallni amnisti”, ka thënë Bylykbashi.

Sipas tij, nisma e shumicës parlamentare është vetëm një farsë, pasi ndryshe nga sa i paraqitet publikut, si një qeveri e së drejtës, kjo është qeveria e padrejtësive.

“Kjo ka qenë një qeverisje në shenjën e së keqes jo vetëm për kriminalizimin që i keni bërë politikës, por edhe jetës në Shqipëri. Qeveria juaj karakterizohet nga padrejtësia”, ka thënë Bylykbashi, i cili të tillë ka quajtur ligjin e pronave të miratuar nga mazhoranca.

“Që është një ligj që shpronëson pronarët, të cilëve duhet t’u kthehet prona e plotë, por që ju i thoni do t’ju jap një fraksion të vogël të pronës dhe më pas pjesa tjetër do t’i jepet klientit më të mirë të qeverisë. Nëse këtë e quani drejtësi, ju qofshi”, është shprehur Bylykbashi.

Një tjetër padrejtësi e kësaj qeverisjeje, ka shtuar ai, është edhe presioni që është bërë ndaj administratës publike për të votuar koalicionin e majtë në zgjedhje.

“Zgjedhësit votuan me frikën se mund të kishin pasoja për votën e tyre”, ka shtuar Bylykbashi. “Gjithashtu, mënyra se si ju po grabisni paratë publike është e padëgjuar deri më sot. Jeni bërë si hiena me paranë publike”, ka shtuar deputeti i PD.

Huaja për bulevardin e Tiranës, replika Tabaku-Cani

Ndryshimet në marrëveshjen e huasë, për financimin për bulevardin dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës ka sjellë debate në Kuvend mes ministrit të Financave Shkëlqim Cani dhe deptutetes së PD-së, Jorida Tabaku.

Ministri Cani u shpreh se bashkia e mëparshme kishte marrë një kredi pa ditur se ku do e investonte, por znj. Tabaku, në atë kohë, nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, reagoi ashpër.

“U gjet një kredi që nuk ekzistonte, për një projekt që nuk ekzistonte as në ëndrrat e ktij kryreministri. U hartua dhe projekti teknik, i njëjti projekt që po përdorin këta sot. Po gjëja më e rëndësishme që tha ministri ishte nëse projekti i mëparshëm kishte 4 module, sot ka 2 element me të njëjtën shumë parash”, tha znj. Tabaku.

Ministri Cani replikoi duke u shprehur se ndryshimi është bërë nga një ekspert i administratës së mëparshme të bashkisë.

“Minisitri i Financave tha se ky ndryshim është bërë nga ju, nga një ekspert ndërkombëtar i thirrur nga ju, dhe jo nga ne. Është eksperti ndërkombëtar i juaj që ndryshoi destinacionin e fondeve që ju nuk dinit ku t’i çonit”, u përgjigj ministri Cani.

Balla: PD, protestë funebre. Zgjedhjet e parakohshme, nonsens

Deputeti socialist Taulant Balla e ka quajtur gënjeshtar 71-vjeçar ish kryeministrin Sali Berisha, duke komentuar edhe protestën e opozitës. Ai e ka quajtur nonsens kërkesën për zgjedhje të parakohshme kur vetëm pesë muaj më parë shqiptarët votuan sërish maxhorancën.

“Protesë më funebër se kjo e juaja sot nuk kishte. Kishit ftuar rininë po atje kishte ca xhaje mes të cilëve nji me kapele “Guçi”. Protestë në radhë të parë pa kauzë, ndërkohë që e vetmja arsye reale është rikthimi në pushtet i po asaj kaste të larguar para dy vitesh që e fundosi këtë vend dhe që 1 milionë shqiptarë e votuan që të largohet. Politikat e qeverive maten me votë. Nuk mund të mbahen zgjedhje të parakohshme sa herë që Lulzim Basha ka frikë se po humb zyrën në SHQUP dhe kontrollin e partisë së tij. Kërkesa për zgjedhje të parakohshme është nonsens, kur vetëm 5 muaj më parë vetë qytetarët treguan besimin te kjo maxhorancë”, tha Balla.

Ai akuzoi opozitën se ka paguar fëmijë për të qëlluar me gurë institucionet e shtetit. “Kur ka revoltë popullore nuk paguhen pjesëmarrësit, nuk jepet 10 mijë lekësh për të gjuajtur me gurë institucionet e Shqipërisë”, tha Balla.

Lidhur me dekriminalizimin Balla tha në Kuvend se PS do të zbatojë ligjin duke nisur që nga procesi i brendshëm zgjedhor në parti.

Berisha: Rama doli një Nastradin para qytetarëve

Ish-kryeministri Sali Berisha, në seancën plenare të së enjtes, deklaroi se kryeministri aktual Edi Rama u vërtetua se para 27 muajsh i tregoi shqiptarëve një tufë me gënjeshtra.

“Rama vepron në bazën e një dezekuilibri të thellë psiqik. Po i bën shqiptarëve të zeza që nuk ia ka bërë askush që nga koha e Enver Hoxhës. Ajo që spikat në qëndrimet e kreut të sotëm të ekzekutivit është përçmimi ndaj qytetarëve. Ai kalonte nga sheshi në shesh duke u betuar se ju qytetarë do të gëzoni ulje taksash, heqje TVSH-je për energjinë elektrike, për ushqimet, rrogën e 13, shërbimin shëndetësor falas dhe legalizime falas. Pas 27 muajsh doli se ai që doli para jush ishte thjesht një Nastradin dhe një miniaturë e atit të tij shpirtëror”, tha Berisha.

“Cili nga ju imagjinonte në vitin 2013 se në vitin 2015 do të kishte mbi 100 mijë shqiptarë që kërkojnë azil politik në dyert e botës. Pse po ikin? Po ikin nga urrejtja e Ramës, nga burgosjet, nga dhuna dhe terrori shtetëror që ushtrohet në të katër anët e vendit, nga gjobat që vendos mbi qytetarët. Ky është vrasësi i shpresës së tyre. Ky gëzon dhe feston në suitën e tij për largimin e qytetarëve”, shtoi Berisha.

Ish-kreu i qeverisë foli edhe për personat me precedentë penalë që janë në Parlament: “Rama futi me vendosmëri në Parlament vrasësit, përdhunuesit dhe trafikantët. Në asnjë vend tjetër nuk ndodh kjo. Nxori vrasësin në krye të PS-së në Shkodër. Edhe në diktaturë të largonin po të kishe vrarë, me dashje apo pa dashje. Ky nuk pyet fare sepse vrasja për atë është vlerë”.

Medaljet, PD në Kuvend me rezolutë, maxhoranca me ndryshime ligjore

Teksa kryeministri Rama dhe deputeti Taulant Balla, kanë depozituar në kuvend kërkesën për ndryshime në ligjin e medaljeve, Partia Demokratike ka paraqitur në Kuvend një projekt rezolutë, ku veç të tjerash kërkon dhe dënimin e krimeve të komunizmit.

Kreu i grupit demokrat Edi Paloka bëri të ditur edhe rezolutën prej 13 pikash, ku krahas dënimit të krimeve të komunizmit, ka kërkuar edhe shfuqizimin e përfitimit të pensioneve të personave përgjegjës për krimet e komunizmit.

Ndryshimet e legjislacionit për këtë çështje, rezoluta parashikon të miratohet deri më 20 shkurt, datë që përkon edhe me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës.

“Kuvendi do ta miratojë legjislacionin e parashikuar në pikat 10 e 11 brenda datës 20 shkurt, në kuadër të 25-vjetorit të rrëzimit të simbolit të komunizmit, shtatores së diktarorit Enver Hoxha”, tha Paloka.

Në përgjigje të tij, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi tha se rezoluta bëhet nul me depozitimin e nismës ligjore të qeverisë, e cila do të kalojë në shqyrtim më vonë.

“Kolegët e opozitës, ashtu sikurse kërkonin zbatimin e procedurave parlamentare, ashtu duhet të kërkoni zbatimin e procedurës dhe për kërkesat tuaja. Dhe ajo bëhet nul me nimsën ligjore të depozituar që në seancën e kaluar”, tha Ruçi.

Opozita tha ai nuk ka një kauzë, dhe bën atë që ju del brenda ditës.

Në replikë ndaj Ruçit, Edi Paloka kërkoi konsensusin për miratimin e rezolutës. “Hajde ta bëjmë dhe ju nga halli, edhe ne se duhet ta bëjmë. Hajdeni ti kalojmë sot të dyja, dh rezolutën dhe projektligjin tuaj. Ka në rezolutën tonë pika që nuk i keni. I miratojmë të dyja, sigurisht pasi t’i shqyrtojmë se kushedi se çkeni bërë në atë projektligj”, tha Paloka.

/ Top Channel