Shqipëria e 2015-ës dhe e ardhmja saj

besnik_RamaNga Besnik RAMA

Shqipëria meriton të udhëhiqet nga një politikë shumëherë më e ndryshme se kjo aktualja ; një politikë me ideale të mëdha që e dëshiron të mirën e vendit dhe të shoqërisë në të cilën bën pjesë. Një politikë që bën politikë për të mirën e përgjithshme të shoqërisë së cilës i përket.

Shqipëria nuk e ka fatin të humbë vitet ; rinia e saj gjithashtu. Gjithsesi, nuk duhet të bëhemi nihilistë, diç është bërë deri më tash. Shqipëria në NATO dhe në strukturat e tjera europiane janë një tregues i disa hapave të Shqipërisë drejt Europës dhe i shumëhapave të SHBA-ve dhe Europës drejt nesh. Veçse ritmi lehtësisht i dallueshëm nuk është i njëjtë. Shqipëria nuk është e zonja të bëjë të njëjtat hapa si Perëndimi drejt nesh. E pamundur me këtë klasë politike dekonstruktive.

Rinia dhe forca e saj duhet të kërkojnë më tepër për veten e saj. Nuk duhet të mjaftohet me lingështimin dhe artikulimin e fjalëve që kjo politikë na qeverisë dhe s’kemi ç’të bëjmë. Secili, sipas mënyrës së tij, mund të bëjë diçka për vendin e vet. Diçka të mirë, pozitive dhe në shërbim të interesave të përbashkëta : rrugëtimin drejt një shoqërie ku funksionon mjekësia, drejtësia, arsimi etj.

Liberalizimi i vizave me Europën e ka bërë Shqipërinë dhe shoqërinë e saj më të hapur, njëkohësisht edhe me më shumë probleme sociale. Megjithatë, duhet që Tirana zyrtare të reagojë më fuqishëm nëpër Botë, në mënyrë më dinjitoze, duke u përfaqësuar nga njerëz me vlera nëpër ambasadat e saj kudo në rruzullin tokësor. Mirëpo, politika aktuale s’mundet dot ta bëj këtë. Ajo është e kapur nga krimi dhe mafia e në shumë raste duhet ta ushqejë atë, përndryshe nuk mbijeton dot.

Qeveria shqiptare është përpjekur të bëjë disa hapa para, mirëpo pikërisht nga krimi dhe mafia e ndodhur brenda saj, edhe ato pak gjëra të mira sikur varfërohen.

Shqipëria e 2015-ës nuk ishte aspak më e mirë se ajo e vitit të kaluar. Me shumë halle, probleme, varfëri, papunësi, mungesë ilaçesh, mungesë drejtësie, mungesë e mungesë. E ardhmja nuk duket gjëkundi me këtë ritëm të ngadaltë zhvillimi. Mirëpo, shumë pritet nga rinia, rinia e saj me ideale atdhetare, plot vullnet dhe me dëshirën e madhe për ta parë Shqipërinë plot dritë dhe shpresë. Le të shpresojmë !