Informaliteti dhe sistemi bankar në Shqipëri

Home » Aktualitet » Informaliteti dhe sistemi bankar në Shqipëri

By edi on January 27, 2016. No Comments

Nga Gideon van den BroekNga Gideon van den Broek* 

Banka jonë mirëpret përpjekjet e qeverisë shqiptare për të ulur informalitetin në ekonominë e Shqipërisë. Transparenca në të gjitha aktivitetet e përditshme është e domosdoshme kur flitet për institucionet financiare, jo vetëm për bizneset, por edhe për individët. Bankat luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces tranzicioni, por ato janë vetëm një pjesë e pazëllit. Për të arritur qëllimet e caktuara në këtë fushatë kundër informalitetit, kërkohet bashkëpunim midis të gjitha palëve pjesëmarrëse. Përcaktimi i informalitetit në sektorin bankar fokusohet kryesisht në kreditimin e bizneseve në Shqipëri. Për çdo analizë krediti është e domosdoshme të njihet në mënyrë të detajuar ecuria financiare e një kompanie. Fakti që bankat duhet të përshtatnin vlerësimin aktual të kreditit duke analizuar llogaritë e menaxhimit dhe llogaritë bankare të deklaruara, nuk e justifikon ekzistencën e një ekonomie informale.

Kjo, duke përgjithësuar, mund të tregojë se bizneset nuk janë të gatshëm të evoluojnë nga ditët e hershme të një ekonomie të tregut të lirë dhe ngurrojnë të pranojnë që pagimi i taksave sipas performancës të aktivitetit të tyre është detyrë sociale e qytetarit, e cila në fund të fundit do të përmirësojë pozicionin ekonomik të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Gjithashtu vihet re zakoni i vazhdueshëm në përpjekjen që të minimizohen taksat që duhen paguar, edhe pse orvatjet e nevojshme për të minimizuar taksat e tejkalojnë të ashtuquajturin “kursim”. Por unë do të sugjeroja që shkaku kryesor i këtij fenomeni është se pronarët e bizneseve janë skeptik ndaj përdorimit nga ana e qeverisë e fondeve që vijnë nga taksat. Pse të paguash kur je i paqartë se çfarë përfiton nga pagimi i taksave? Ky është një problem kyç që duhet ngritur në lidhje me përpjekjen për të ulur informalitetin.

Kalimi nga një ekonomi informale në një formale është një rrugë që nuk duhet marrë lehtë. Do të duhet një hartë e qartë me etapa specifike për t’u arritur nga të gjitha palët pjesëmarrëse.

Është i nevojshëm bashkimi i të gjitha palëve pjesëmarrëse (Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Shoqata Shqiptare e Bankave, Banka e Shqipërisë, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, institucione të tjera qeverisëse, pronarë biznesesh) pasi ky do të jetë një plan disavjeçar. Më 2 qershor 2015, Ministria e Ekonomisë vendosi si objektiv për bankat që nga janari 2018 ato të mbështeten vetëm në deklarimet tatimore për vlerësimet e kreditit. Bankat janë një nga mjetet që detyrojnë deklarimet financiare por kjo vlen vetëm për bizneset që kanë nevojë për financim. Nën Shoqërinë Shqiptare të Bankave dhe në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë ne mund të vendosim masa të thjeshta për të na treguar se në ç’nivel bankat duhet të pranojnë llogaritë e menaxhimit dhe në ç’nivel deklarimet financiare.

Aktualisht kapitali i mbajtur në një bankë është caktuar në 10%, që do të thotë se çdo hua më e madhe se 10% e kapitalit mund të jepet vetëm duke u nisur nga deklarime të plota financiare. Mund të bazohemi këtu, dhe në vend të lidhjes me kapitalin e një institucioni financiar, mund të shohim nivelin e formalitetit të një klienti të mundshëm.

Ulja e informalitetit deri në 2018 është një objektiv i qartë por nuk mund të pritet ecuri nga 0% në 100% brenda ditës. Nevojitet një plan i kujdesshëm dhe komunikim i pritshmërive vjetore nga ana e palëve pjesëmarrëse, te bizneset.

Ne duhet të trajnojmë pronarët e bizneseve të rrisin formalitetin e tyre me ritme të paracaktuara (e kanë në dorë pronarët e bizneseve nëse duan të përparojnë më shpejt në këtë drejtim) duke përcaktuar përqindjen maksimale të pranimit të llogarive menaxheriale, p.sh., duke filluar nga janari 2016, bankat do të pranojnë deri në 50% të llogarive menaxheriale të deklaruara, nga janari 2017 deri në 25% dhe nga janari 2018 0%. Kjo përqasje praktike duhet të jetë standard (i pranuar nga të gjitha bankat) që të garantojë mundësi të barabarta. Aplikimi i këtyre masave mund të vërtetohet nga Banka e Shqipërisë në rolin e saj si rregullatore gjatë auditimeve sistematike të bankave të nivelit të dytë.

Megjithëse kjo përqasje e thjeshtë do të lehtësojë pranimin dhe njohjen nga ana e bankave të llogarive të deklaruara, vetëm klientët që kanë nevojë për financim do të preken. Prandaj lind nevoja e bashkëpunimit midis të gjitha palëve pjesëmarrëse që të sigurohet mbulimi i 100% të bizneseve. Hapa të marra në uljen e sasisë së parasë të qarkulluar nëpërmjet produkteve të pagesës financiare do të rezultojë në një ngritje të rëndësishme të formalizimit, p.sh., volumi i pagesave nëpërmjet kartave në Shqipëri mbetet shumë i ulët dhe deri në momentin që të motivohen më shumë biznese në pranimin e pagesave nëpërmjet kartave e mjeteve të tjera, ky trend do të vazhdojë.

Pronarët e bizneseve do të kërkojnë mbështetje në këtë rritje formaliteti. Ata do të duhet të pajisen me mjete dhe të aftësohen – sidomos bizneset e vogla (pothuajse të sapo regjistruar edhe pse janë aktiv në treg prej disa vitesh) që do t’u mungojë kapaciteti i llogarimbajtjes së duhur. Prandaj, edukimi i kombinuar me mjete të thjeshta kontabiliteti është çelësi i suksesit. Ne duhet t’u japim bizneseve mjetet për t’u përmirësuar. Bankat mund të luajnë një rol trajnues në këtë çështje. Sidoqoftë duhen menduar edhe metoda të tjera edukimi për pronarët e bizneseve. Në përgjithësi kjo lëvizje për shtim formaliteti do të ketë impakt pozitiv në shëndetin e ekonomisë dhe lehtësisë së kreditimit të bizneseve. Aktualisht vlerësimi i bizneseve nga llogaritë e menaxhimit dhe llogaritë e deklaruara është i pavolitshëm dhe jo gjithmonë tregon stabilitetin financiar të një kompanie. Si pasojë procesi i analizimit është mjaftueshëm i gjatë (në varësi të përmasës së huasë). Lëvizja për formalitet do të thjeshtësojë kreditimin dhe do të shkurtojë proceset për bankat dhe klientët.

Një efekt pozitiv si rrjedhim i luftës kundra informalitetit do të jetë dhe rritja e regjistrimit të rrogave. Pronarëve të bizneseve do t’u duhet të përfshijnë në raportimet e tyre rrogat, si dhe kontributet e sigurimeve shoqërore që kanë paguar për stafin e punësuar. Mundësia e një individi për të vërtetuar të ardhurat e tij është esenciale për stimulimin e shpenzimeve konsumatore. Rrogat e paguara me para në dorë ose një hibrid rroge prej paraje në dorë dhe transferte bankare (zakonisht për rrogat minimale) jo vetëm që dëmtojnë mbrojtjen e të punësuarit (edhe nëse paguhen sigurimet shoqërore, kontributi është më i ulët nga vlera që duhej paguar), por edhe i pengon gjatë aplikimit për kredi konsumatore. Meqenëse bankat njohin vetëm të ardhurat e kaluara nëpërmjet llogarive bankare si fitim mujor të individit, edhe nëse ai merr para të tjera shtesë në dorë si të ardhura, ato nuk njihen dhe ulet mundësia që një kredi konsumatore të pranohet. Krijohet një profeci vetëpërmbushëse pasi, në qoftë se rrogat deklarohen më mirë nëpërmjet llogarive bankare, huadhëniet konsumatore lehtësohen. Kjo e fundit lehtëson shpenzimin konsumator i cili ka impakt pozitiv në ekonomi dhe tek bizneset që operojnë në këtë ekonomi. Për më tepër, në Shqipëri duhet të krijohet një mjedis ku konsumatorët të zgjedhin se ku ta marrin rrogën. Shpeshherë 100% e rrogës tërhiqet nga banka në ditën e rrogës dhe depozitohet në një bankë tjetër ose mbahet si para në dorë. Nëse konsumatorëve u jepet një mundësi zgjedhjeje, atëherë instrumentet financiare do të përmirësohen.

Për ta përmbyllur veprimet e marra kundër informalitetit edhe pse në fazat e para, janë esenciale për zhvillimin ekonomik të vendit. Sidoqoftë duhet të tregojmë kujdes ndaj ndonjë gracke. Mosinstruktimi dhe mungesa e udhëzimit e pronarëve të bizneseve me mjetet e nevojshme për të arritur një status formaliteti do ta vështirësojë arritjen e objektivit për 100% formalitet deri në janar 2018. Koordinimi midis palëve pjesëmarrëse, një mesazh i unifikuar dhe një udhërrëfyes me objektiva vjetor të auditueshëm do ta lehtësojë suksesin. Nuk do të ushqejë vetëm aktivitetin e huadhënies ndaj bizneseve, por edhe huadhëniet për individët. Bankat do të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces, por suksesi do të arrihet vetëm në bashkëpunim me të gjitha palët pjesëmarrëse. 

*Drejtor, International Commercial Bank S.A.

Leave a Reply