Kalorësit shqiptarë Kur mbretërit e Evropës i blinin për egërsinë

 kalorsHistori/ Zanati i ushtarit mercenar, si ushtarët shqiptarë pushtuan Evropën, të përshkruar në librin historik të Paolo Petës

Një Grasso nga Shqipëria, në ato vite, ishte udhëheqës i 43 heshtave, domethënë i më se njëqind e njëzet kalorësve, që jo medoemos ishin bashkatdhetarët e tij: pra një personazh me njëfarë rëndësie, që kalon nëpër duar shuma të konsiderueshme parash. Shqiptarë të tjerë gjurmët e të cilëve ruhen në arkiva janë jo vetëm kalorës, por balestrierë ose madje edhe zejtarë të specializuar për ndërtimin e pjesëve të topave. Për ushtarët e kalorësit shqiptarë në Evropë flet botimi historik i italianit Paolo Peta, “Stradiotët”, ushtarët shqiptarë të shek. XV-XIV, përkthyer nga Pëllumb Xhufi, botim i Institutit të Dialogut dhe Komunikimit.

 

Paolo Peta

Shqiptarët nuk pritën pushtimin turk për të filluar emigrimin e tyre në Itali: prej kohesh ekzistonte një rrymë emigruese punëtorësh të shtresave të ulëta, ndërsa që të paktën nga gjysma e parë e shek. XV dokumentohet prania në Itali e ushtarëve profesionistë. Është fillimi i këtij fluksi ushtarësh shqiptarë, që do të bëhet përrua me suksesin evropian të stradiotëve, duke zgjatur deri në shek. XVIII, e në disa raste edhe në shek. XIX.

Mangësia e dokumenteve na lejon vetëm ta shquajmë këtë dukuri, dhe jo t’i bëjmë një përshkrim analitik. Kallëzuesi më i sigurt i saj jepet nga përhapja e mbiemrit Albanese apo Albanesi (ndonjëherë Albani), i cili në këtë shekull ende është me siguri një emër etnik, që shënon një emigrim të brezit të parë ose të shumtën të dytë. Ai që e mban, duket qartë që ka hyrë në një grup shoqëror ku të qenit shqiptar përbën një veçanti, të paktën po aq sa ngjyra e flokëve apo emri i babait: jo rastësisht ky mbiemër nuk u mbajt kurrë nga stradiotët -një trupë e përbërë kryesisht nga shqiptarë – ndërsa mbahej përkundrazi nga njerëz të armëve, oficerë këmbësorie ose ushtarë të thjeshtë.

 

Në Markë e gjetkë. Albanët

Market përbëjnë, në gjysmën e parë të shek. XIV, pikëmbërritjen kryesore të emigrimit ballkanik. Është krejt e natyrshme që ato të tërhiqnin jo vetëm fshatarë, zejtarë apo shërbëtorë shtëpiakë, po edhe mercenare, aq më tepër që pikërisht në atë krahinë lulëzojnë dinasti qe do ta ngrejnë pasurinë e tyre pikërisht mbi condotte-t ushtarake.

E para nder këto dinasti që vuri ne shërbim ushtarët shqiptarë duket të ketë qenë ajo e Malatestave, e cila, e ndarë në degë të ndryshme që të gjitha të drejtuara nga prijës pak a shumë aventurierë, sundonte mbi qytete të ndryshme, që nga Rimini ne Senigalia: por ia vlen të kujtohet rekrutimi i emigranteve shqiptare, qe ndodheshin në Jezi si fshatarë të thjeshtë, të cilët ajo komunë i përdori me sukses më 1461 (dhe nuk e dimë nëse bëhej fjalë për një rast të veçuar), pikërisht kundër trupave të Malatestave.

Prania e shqiptarëve në shërbim të Malatestave dokumentohet qe nga vitet e para te shekullit, dhe nuk është fjala gjithmonë për ushtarë “të pakualifikuar” siç konsideroheshin atëherë këmbësorët. Një Grasso nga Shqipëria, në ato vite, ishte udhëheqës i 43 heshtave, domethënë i me se njëqind e njëzet kalorësve, që jo medoemos ishin bashkatdhetarët e tij: pra një personazh me njëfarë rëndësie, që kalon nëpër duar shuma të konsiderueshme parash. Shqiptarë të tjerë gjurmët e të cilëve ruhen në arkiva janë jo vetëm kalorës, por balestrierë ose madje edhe zejtarë të specializuar për ndërtimin e pjesëve të topave. Për vite të tëra prania e tyre dëshmohet në qytete dhe nën komandantë të ndryshëm, ndërkohë që të tjerë, në të njëjtën krahinë, u shërbejnë zotërinjve krejt të tjerë, si Sforcave të Pezaros apo Frederikut të Montefeltros. Në kompaninë e madhe të Frederikut të Montefeltros, e cila në vitin 1482 mori pjesë në luftën e Ferrarës në shërbim të Estensëve, 260 kapitenët apo skuadërkomandantët janë të gjithë italianë, përveç tri shqiptarëve.

Vetë Estenset, nga ana tjetër, kanë shqiptarë ne shërbim te tyre: midis tyre kujtojmë një konstabël të këmbësorisë, qe quhej Demeter, i cili disa yjet me vonë donte t’i merrte hakun një vëllait të vet, që kish mbetur i vrarë në një grindje midis ushtarësh, dhe për këtë arsye u shpall jashtë ligjit.

Gjenden gjithandej shqiptarë, makar në një pozitë të varur, pra jo si ushtarë, por si shqytarë, ose thjesht shërbyes. Në Milano, një shqiptar në shërbim të Francesco Sforza-s, për të cilin nuk dimë asgjë, ndërton në Duomo një kamare elegante për nder të Virgjëreshës. Në trupat e Papatit gjejmë gjithashtu shqiptarë që nga fillimi i shek. XV. Ende në vigjilje të plaçkitjes së vitit 1527, një prej shqiptarëve të paktë me qëndrim në Romë do të jetë një kapiten Giovanni, që banonte me familjen në lagjen Kampiteli. Por natyrisht ata janë më të shumtë në trupat venedikase: duke lënë mënjanë stradiotët, që kërkojnë një shqyrtim me vete – dhe me të cilët do të njëjtësohet për më se gjysmë shekulli, gati për antonomazi, përfytyrimi luftëtar i shqiptarëve – mjafton të kujtojmë praninë ndër trupat venedikase të ushtarëve të shumtë, ose të kontestablëve të këmbësorisë që mbanin pikërisht mbiemrin Albanese, siç është rasti i një farë Jakobi, “plak e i mirë”, “trim e guximtar”, udhëheqës i 150, pastaj 200, pastaj i 350 vetëve, i cili më 1509 papritur e pakujtuar kalon në shërbim të mbretit të romanëve, dhe më pas bie rob i stradiotëve në Kastelfranko.

Veç kësaj të shumtë janë shqiptarët – edhe pse më pak se grekët e dalmatët – nder detarët dhe shigjetarët e hipur nëpër galera; dhe nuk mungojnë lajmet për ndonjë rebelim te tyre, gjithsesi të mbytur në gjak.

Ndër të gjitha familjet të cilat, meqenëse ushtronin zanatin e armëve, morën mbiemrin Albanese apo Albanesi, është njëra që, shumë kohë pas emigrimit, mundi të ngjitet në nivelet më të larta të hierarkive shoqërore: është fjala për atë familje Albani se cilës i përkisnin papa Klementi XI dhe kardinali Aleksandër që ishte koleksionisti më i madh i antikiteteve te shekullit XVIII dhe mbrojtës i Vinkelmanit. Albanët, qysh në vitin 1700, vit i zgjedhjes së Gian Francesco Albanit në fronin e papës, nuk kishin harruar as prejardhjen e tyre shqiptare -gjë që i çoi te refuzonin shërbimet e gjenealogjistëve të zellshëm, të gatshëm të vërtetonin prejardhjen e tyre nga mbretërit e Portugalisë apo të Hungarisë – as mbiemrin e tyre të pare, që ishte Lazi.

Sipas gojëdhënave familjare, Mikel Lazi paskësh ardhur ne Itali në vitin 1464, pasi kishte luftuar me Skënderbeun; bijtë e tij Gjergji e Filipi (vdekur përkatësisht në 1520 dhe në 1508), të cilët qysh atëherë njiheshin rëndom me mbiemrin Albanesi, paskëshin qenë kapitenë në shërbim të Roberto Malatestës më parë, dhe më pas të dukëve të Urbinos. I dyti i shërbeu edhe Republikës venete. Më i njohun” nga të dy qe Filipi, njëri prej të paktëve kapitenë të trupave shqiptare. Kur vdiq, në Ravenë, komandonte plot 400 kuaj (nga tre kuaj për heshtar: pra më se 130 heshtarë). Për të nuk mbahen mend ngjarje të bujshme luftarake, por Sanuto e kujton si një kapiten “shumë besnik, trim dhe zulmëmadh; e paguante gjithë kompaninë e tij me para, dhe jo me mall dhe kur vdiq iu gjetën vetëm gjashtë dukate”. Dimë edhe që bëri marrëveshje për dorëzimin e disa fortesave armike, gjë që tregon se nuk ishte vetëm luftëtar, por edhe një negociator i shkathët.

Altobello, biri i Gjergjit, e ndryshoi përsëri mbiemrin e familjes në Albani. Në vijim të traditës familjare, Albanët vazhduan edhe më tej t’u shërbenin dukëve të Urbinos, deri sa Orazio Albani (1576-1653) vuri themelet e mbarësisë së vërtetë të familjes, duke kryer me sukses misionin e vështirë diplomatik të bashkimit me Papatin të dukatit të Urbinos, kur sundimtari i tij po vdiste pa lënë trashëgimtarë, gjë për të cilën u shpërblye nga Urbani VIII me detyrën prestigjioze të senatorit të Romës. Djali i tij u bë ruajtës i parë i Bibliotekës së Vatikanit, dhe një nip i tij u bë Papë, duke e futur familjen e tij, sipas traditës, në rrethin e fisnikërisë më të lartë romane.

Historia e familjes Albani të Urbinos, nëse për nga mbyllja triumfale e saj duket e pazakontë, duket, përkundrazi, krejt e zakonshme dhe e ngjashme me shumë të tjera për nga fillimet dhe për shpjegimin që i jep nëpërmjet shembullit të saj, pyetjes se si të emigruarit arrinin të ruanin kujtesën historike dhe lidhjet sentimentale me atdheun mëmë, ndonëse kishin humbur çdo lidhje faktike me të. Për këtë prani të luftëtarëve arbëreshë në ushtritë italiane sidoqoftë kemi dëshmi të

panumërta.

 

Në mbretërinë e Napolit dhe në Sicili

Përveç paqëndrueshmërisë politike të atyre kohërave, arsye të natyrës gjeografike bënë që mbretëria e Napolit dhe Sicilia të kthehen në vende veçanërisht të kërkuara për ushtarët shqiptarë.

Për fat të keq nuk e dimë sa i duhet besuar një gjenealogjisti të shekullit XVII, i cili na siguron se mund të dokumentojë pasuritë e njëfarë Giovanni Matranca (Matrangët ishin një fis i mirënjohur i Shqipërisë së mesme, me të cilin sigurisht që kanë lidhje familjet Matranga që gjenden edhe sot në Sicili), i cili nga fundi i shekullit XIV duhet te ketë mbuluar poste drejtuese në ushtri dhe detyra administrative në Sicili, duke themeluar atje një familje që në Kastroxhovani (Ena e sotme) bleu prona të mëdha, dhe titullin e baronit.

Në vitet ‘40 të shekullit XV, dokumentet e ruajtura aragoneze kujtojnë një Giovanni Albanese që kryen shërbimin me tre “heshta” të plota e një të tretë (d.m.th. me 10 burra), një Giorgio Albanisi me dy “heshta”, një luftëtar Giovanni Albanisi, një tjetër Giorgio Albanissi. Giovanni Albanese (ndoshta i njëjti, po si mund të jemi të sigurt?) në vitin 1445 është sundimtar i kështjellës së Korsanos në Principatën Uitra, dhe kishte privilegjin që të jepte një sasi fare të vogël sa herë që mblidheshin detyrimet e zakonshme e të jashtëzakonshme. Në luftën me anzhuinët, që Alfonsit iu desh të përballojë për të fituar fronin, gjejmë gjithashtu një Gino Albanese midis kapedanëve më të shquar në shërbim të palës kundërshtare.

Nga mbretëria vijnë edhe mjaft luftëtarë që shërbejnë nënkomandantë që veprojnë ne krahina të tjera italiane; në kompaninë e Michelletto Attendolo-s, nga e cila për fat janë ruajtur deri në ditët tona regjistrat e llogarise13, të huajt janë të pakët – afro 26 në 450, në vitet ’40, kur kompania është ne shërbim të Venedikut – por midis tyre grupi më i madh në numër janë pikërisht grekët, shqiptarët dhe sllavët që vinin nga Italia e jugut, ku ishin ngulur tashmë.

Mes të shumtëve, disa kanë hyrë në Histori: kur Alfonsi i Aragonës, i shoqi i Lucrezia Borgia-s, sulmohet ne sheshin e Shën Pjetrit nga vrasësit e paguar të Valentinit, ne krah të tij ndodhej një Tommaso Albanese – me sa duket një ushtar, por jo i pashkollë, përderisa pas ndodhisë e gjeti të strehohej pikërisht në shtëpinë e poetit Vincenzo Calmeta – i cili u mbrojt “si një paladin”, dhe mundi ta sjellë të gjallë në pallatin e tij Alfonsin, ndonëse ky kishte marrë plagë të rënda. Por nuk u gjet shqiptar që ta mbronte brenda pallateve apostolike, ku vrasësit me pagese të të kunatit, ndoshta me miratim të Papës, arritën përsëri ta kapin.

 

A ka ekzistuar ndonjëherë Demetrio Reres?

Midis mercenarëve të shumtë shqiptarë që luftuan në Itali në gjysmën e parë të shekullit, tradita veçon njërin që duket të ketë luajtur një rol shumë të rëndësishëm ne ngulimin e kolonive të para arbëreshë në gadishull. Fjala është për Demetrio Reresin.

Alfonsi I i Aragonës – tregon Rodotai, krijuesi i parë i kësaj dhe i shumë traditave te tjera historike të arberesheve të Italisë – “duke dashur të pushtonte Kalabrinë e poshtme, që po i bënte qëndresë ushtrive të tij, u bëri thirrje për mobilizim shumë prej luftëtarëve që kishin bërë emër me bëmat e tyre kundër turqve. Menjëherë u paraqiten tre skuadra të zgjedhura e të pajisura mirë nën drejtimin e Demetrio Reresit, të cilat i kallën tmerrin kalabrezëve dhe më tej i futën këta nën një zgjedhë të mjerueshme, dhe i detyruan të ulnin kokën para mbretit Alfons; i cili… ia besoi qeverisjen e Kalabrisë së nënshtruar komandantit zulmëmadh dhe nderoi të dy djemtë e tij Georgio dhe Basilio me titullin kapiten të trupave të bashkëkombasve të tyre, që ai vendosi të sjellë në Sicili, për ta mbrojtur ishullin nga inkursionet e frikshme të francezëve”. Dhe citon një diplomë, lëshuar në Gaetë me 1 shtator 1448, në të cilën, pasi kujtohen bëmat e mësipërme të Reresve, si dhe “antiqua nobilitate, quae ex clarissima familia Castriota Epirotarum principe origine traxit” të tyre, përfundohet me emërimin e Demetrio Reresit si “gubernatorem praenotate provinciae inferioris Calabriae”.

Në këtë diplomë, vërtetësia e së cilës prej dyqind vjetësh konsiderohet prej arbëreshëve të Italisë si diçka e shenjtë, ka vend të dyshohet për gjithçka. Nga ana ime, nuk ngurroj t’i bashkohem të vetmit zë kundra që është dëgjuar deri tani16, dhe ta quaj atë një dokument të falsifikuar, të krijuar nga një familje përndryshe e nderuar siciliane, e cila, pasi u pasurua papritur e bujshëm, pretendonte – në shekullin XVII – që t’i njihej edhe një titull fisnikërie.

Në radhë të parë duhet vënë në dukje mungesa e plotë e përkimeve me burimet e tjera, tregimtare apo arkivore, të cilat heshtin krejt për emrin Demetrio Reres. Dhe le ta themi që në fillim se këto burime, me gjithë shkatërrimet e kohës së luftës,18 nuk janë dhe aq të rralla, siç është thënë deri më tani, dhe vështirë se nuk do te ruanin gjurmë të një ngjarjeje kaq të pazakontë siç është ajo e një kapiteni shqiptar që i jepet një detyrë kaq e lartë politike-administrative, baras me përfaqësuesit e familjeve më në zë napoletane e katalane.

Nga ana tjetër nuk është e qarte se çfarë posti i është dhënë Reresit dhe kur. Është e vërtetë se emri i detyrave administrative periferike, në periudhën aragoneze, pëson lëkundje të vazhdueshme dhe vetë kufijtë e provincave nuk kanë qene gjithmonë njësoj: por është gjithsesi e sigurt se pikërisht gjatë sundimit të Alfonsit në Kalabri zuri vend figura e mëkëmbësit të mbretit – që në fakt quhej edhe guvernator -i cili mban pushtetin më të lartë ekzekutiv e gjyqësor në të dyja provincat “historike” të Kalabrisë, duke shfuqizuar “gjykatësit” që përfaqësonin organet tradicionale të qeverisjes provinciale. Ndodh edhe që titulli “gubernator” t’u jepet autoriteteve administrative më te ulëta vendore, ose feudalëve të veçantë. Sa i përket Reresit, ky shfaqet si guvernator vetëm i njërës prej të dy provincave, gjë që është dukshëm pak për një mëkëmbës mbreti dhe dukshëm tepër për zyrtare të tjerë. Gjithsesi, titulli i guvernatorit, në kuptimin e mëkëmbësit të mbretit, u është dhëne gjithmonë personazheve – të cilëve ua dimë emrat – që ishin dalluar (siç mendohet se ka bërë Reresi) në luftën kundër palës anzhuine ose kundër feudalëve te mëdhenj kryengritës, por që sidoqoftë bënin pjesë ne aristokracinë më të lartë te Mbretërisë. Nuk kuptohet as përse ky emerim duhet të jetë bërë në vitin 1448, vit në të cilin Kalabria ne te vërtetë ishte paqësuar, edhe nga kryengritja e Centelesit (lufta kundër fraksionit anzhuin tashmë ishte histori e shkuar). Për ta fituar atë, Reresi duhej të ishte përfshirë prej kohësh në hierarkitë e larta të mbretërisë. Përkundrazi, behet fjalë për një figurë që shfaqet dhe njëkohësisht zhduket, pa lenë tjetër gjurmë të vetes, pa lënë pasardhës në një pozitë shoqërore te ngritur (as për djemtë e tij nuk ka asnjë gjurmë): madje, edhe nga bëmat e tij luftarake nuk ka mbetur asnjë kujtim. Gjithë historia e tij ka ngjasë të jete një kopje e përshtatur nga operacioni i Skënderbeut në Pulje ne vitin 1461. I dyshimtë është edhe teksti i dokumentit, me përmendjen e pavend të gjenealogjisë së Reresit, e cila për më tepër fisnikërohet duke pretenduar lidhje familjare me Skënderbeun.

Sa për këtë të fundit, është krejt e pamundur që të gjendej në vitin 1448 ndokush që ta quante atë princ të Epirotëve, sado që ishte tashmë kreu i lidhjes së zotërve shqiptarë: aq më tepër që në burimet kurrë nuk del emri Reres, ndërkohë që del shpesh emri Renes, apo Renessi, që janë një familje e njohur stradiotësh. Për një farefisni me Kastriotët asnjë Renes, me sa dimë, nuk ka folur ndonjëherë: dhe Reresët duket të jenë një degë dytësore e po kësaj familjeje, e cila duke jetuar në zonën toske, apo arbëreshe, ka pësuar shtrembërimin e emrit sipas dukurisë së njohur të rotacizmit të hundoreve. Pra mund të jemi të sigurt se dokumenti i cituar nga Rodotai, dhe nga shumë të tjerë pas tij, është sajuar nga ndonjë noter palermitan i komprometuar, që pretendon se ka bërë transkriptimin e origjinalit; dhe se Demetrio Reresi nuk ka ekzistuar ndonjëherë ose ka ekzistuar (pas gjase me emrin Renes), në kohën e Alfonsit ose ndoshta edhe pak më vonë, si udhëheqës stradiotësh e mbase si “gubernator” i një “toke” kalabreze me përmasa të kufizuara.

 

Pas Skënderbeut

Pas vdekjes së Skënderbeut (1468), fundit të luftës turko-venedikase të vitit 1463-1479 dhe pushtimit të Shkodrës nga turqit (1479), dhjetëra mijëra shqiptarë, të ardhur qoftë nga Shqipëria e mirëfilltë qoftë nga Greqia, emigruan në Itali. Shumë prej tyre kishin njohur prej dhjetëra vjetësh vetëm luftën, prandaj nuk është për t’u çuditur nëse në Itali vazhdonin të ushtronin zanatin e luftëtarit. Historinë e këtij emigrimi masiv shpresoj ta shkruaj në një të ardhme jo të largët. Që nga viti 1480, kur turqit zbarkuan në Otranto, shumë shqiptarë patën rastin të tregonin aftësitë e tyre ushtarake, gjë që nuk do të thotë se ishin ushtarë profesionistë: e kam fjalën për ata pjesëtare të aristokracisë që gjetën, në mbretërinë e Napolit apo gjetiu, mundësinë për të kapur poste udhëheqëse që përfshnin edhe detyra me karakter ushtarak. Ky është rasti i djalit të Skënderbeut, Gjonit (Giovanni), dukë i Shën Pjetrit të Galatinës, si dhe i pasardhësve të mbrojtësit të Krujës, Vrana Kontit, që u afirmuan shkëlqyeshëm në oborrin e Napolit, apo i kunatit të Skënderbeut Kostandin Arianitit, i cili gjatë jetës së tij aventureske prej diplomati u gjend edhe në krye të trupave perandorake apo të Papës. Më se një herë, ata patën rast të ndesheshin me shqiptarë të tjerë, të udhëhequr nga ushtarakë më pak te shquar por më të sprovuar e luftarakë, duke bërë figurë të dobët:

i tillë që rasti i “zotit Kostandin” në rrethimin e Padovës (1508), apo i Kastriotëve napoletane në Avetrana të Puljes (1528), kur u përballën me repartet e stradiotëve në shërbim te Vendikut.

Udhëheqës ushtarakë të vërtete mund te quhen disa prej tyre, të cilët iu përkushtuan tërësisht luftës. Më i shquari prej tyre ndoshta që Ferrante Kastrioti, pinjoll i familjes (për të cilën folëm më lart) që rridhte jo prej Skënderbeut por nga Vrana Konti. Vëlla më i vogël i Gjonit që ishte dukë i Ferrandinës dhe i Alfonsit që qe markez i Atripaldës dhe mëkëmbës i Tokës së Barit e Tokës së Otrantos (që të dy personazhe me përvojë luftarake), Ferrantja pati në vitin 1517 komandën e një kompanie ushtarësh.

Një kronist napoletan na përshkruan daljen e tij në një paradë, mbi një kalë të zbukuruar me pardil (një nuancë elegante e grisë), me një pelerinë me të njëjtën ngjyrë mbi armaturë, i ndjekur nga një shpurë stallierësh me livre të njëllojtë, ndërsa kaloresit nën komandën e tij kishin kuaj me zbukurime të praruara dhe pelerina shumëngjyrëshe.

Por nuk ishin vetëm paradat: në ato vite luftërash Ferrantja ishte gjithmonë në rreshtin e parë, duke fituar autoritet të madh, derisa gjeti vdekjen në betejën e Pavias. U tha se ra nën goditjet e mbretit të Francës, po në të vërtetë duket se kjo ishte një mburrje e vetë Françeskut I. Kastrioti, i cili në fazën e parë të betejës kishte rënë rob, tanimë po ndiqte zhvillimin e saj duke biseduar me përzemërsi me një udhëheqës të anës perandorake, Federigo Gonzaga i Bozzolos, i cili ishte edhe kunat i vëllait të tij Alfonsit: papritur kali i tij lëshoi frerin, dhe i ndërkryer e çoi përballë këmbësorisë zvicerane që po përparonte me radhë të shtrënguara.

Të tjerë patën një fat me të zymtë: kështu për shembull Adriano Musaçhi, nga familja e madhe e “despotëve” të Shqipërisë jugore, i cili kaloi nga shërbimi i Spanjës në atë të Francës, dhe vdiq ndoshta i helmuar në vitin 1526 në Pikardi, ku komandonte një repart të kalorësisë se lehtë; apo djali i Kostandin Arianitit, me emrin Arianit, që i kishte shërbyer Karlit V në ekspeditën e Algjerit e më pas në Gjermani. Duke qenë prefekt i trupave të Papës, vdiq në vitin 1551 në luftën e Parmës, kur, në një natë nëntori, ushtarët e Ottavio Farnese-s hynë në kështjellën e Torkiarës, ku ai kishte komandën, morën kështjellën dhe e vranë. Por nuk mund të përmendet ky emigrim i madh e tragjik pa kujtuar poetin: grekun Michele Marullo Tarcaniota, i cili në vargje latinë shumë elegantë gjeti fjalët që shumë syresh – grekë, shqiptarë, sllave – kishin në zemër, por nuk dinin si t’i shprehnin: “Nëse larg atdheut (…) vuaj sundimin e egër të një zoti të fuqishëm, nëse liria ime nuk është më veç një fjalë e zbrazët, do kish qenë më mirë t’i shërbeja tiranit mizor dhe të vuaja të gjitha dhimbjet bashkë me atdheun tim… Sigurisht që heq dorë nga nderi i fisit e i shtëpisë mërgimtari që shkel një tokë të panjohur”.

Dhe pikërisht ky Marullo, që sigurisht nuk bënte jetën e poetëve oborrtarë, por atë të mercenarëve, dhe që gjeti vdekjen në një ekspeditë ushtarake, na befason tek paralajmëron:

“Vdektë ai që foli i pari për rëndësinë e numrit në luftë… Sa

çmenduri t’ua besosh të huajve mbrojtjen e atdheut të rrethuar nga ushtri armike, te përdhosesh në duar të panjohura simbolet e atdheut”.

 

Nga armët tek shenjtëria

Midis shqiptarëve të shumtë që erdhën në Itali duke ushtruar zanatin e armëve, pati edhe ndonjë që ndryshoi jetë dhe iu fut rrugës më të vështirë të predikimit.

Një i lumnueshëm Demetrio d’Albania, ndoshta me prejardhje nga Vlora, terciar françeskan, që për gjysmë shekulli eremit në malin Luko, në Umbria, ku vdiq në vitin 1491. Tradita që lidhet me të dhe që kujton netët e tij pa gjumë, tundimet djallëzore, mbrojtjen e Shën Mërisë, në të vërtetë është e turbullt, dhe nganjëherë e dyston figurën e tij me atë të një Demetri tjetër, me prejardhje nga Milano, që duket të ketë qenë ushtar në Shqipëri dhe mësues i tij në bashkësinë e eremitëve. Me duket më e mundshme (edhe sepse emri Demetrio duket shumë pak milanez) të bëhet fjalë për të njëjtin njeri, ardhur nga Shqipëria në Milano si ushtar, dhe që andej mbërritur më pas në Umbria. Më të sakta (të paktën në dukje) janë lajmet që lidhen me njëfarë Giorgio Albanese, ushtar në Marke në shërbim të Francesco Sforza-s, i cili hyri në urdhrin françeskan pasi i shpëtoi për mrekulli vdekjes. Në vitin 1445 shokët e tij kishin plaçkitur egërsisht një qytet-kështjellë pranë Ripatransones, dhe më pas, të kapur nga armiku, ishin ekzekutuar: vetëm ai paskej shpëtuar, falë ndërhyrjes së dy vajzave që ai i kishte mbrojtur me trimëri prej kalorësi. Më pas ai u pranua në gjirin e françeskanëve nga shën Giacomo della Marca (që kishte vepruar për një kohë të gjatë në Ballkan) dhe pati një vdekje prej shenjtori në vitin 1495.

 

***

Për mijëra vjet zanati i ushtarit mercenar ka qenë në të gjithë botën një profesion i nderuar, dhe popuj të tërë, disa syresh me vonë të pasuruar, si zviceranët e baskët, të tjerë të mbetur të varfër, si shqiptarët apo kroatët-e kanë ndjekur si të vetmen rrugë që u mundësonte afirmimin ekonomik e shoqëror në botën e të pasurve, të cilën ata e mbanin në shpatullat e tyre, duke marrë përsipër detyrën “dulce et decorum” të flijimit për atdheun. Nuk e di kush ka qenë ai që ka sajuar shprehjen e ashpër (që vishet edhe Napoleonit) që shpreh më së miri realitetin e kësaj gjendjeje njerëzore, të cilin miti mijëvjeçarit i Lavdisë nuk e fsheh dot: mish për top.