Reforma në drejtësi, pritet shkarkimi i Llalës

Home » Aktualitet » Reforma në drejtësi, pritet shkarkimi i Llalës

By edi on January 8, 2016. No Comments

Tashmë nuk është një sekret. Një nga qëllimet që i ka vënë vetes Donald Lu me reformën në drejtësi, është të lajë hesapet me kryeprokurorin Llalla. Minimumi duke reduktuar kompetencat e tij dhe maksimumi duke e ndërprerë mandatin e tij. Megjithëse Llala ka një mbrojtës të forte, Ilir Metën, megjithëse Berisha nuk e ka shitur kurrë, pavarësisht se e di se i përzgjedhuri i tij tani është në shtrat me armikun, Donald Lu duket se vazhdon të këmbëngulë në këtë mision të vështirë.

Pas korrigjimeve të fundit që iu bë draftit të reformës, duket se nuk është marrë parasysh rekomandimi për mos ndërprerjen e mandatit.

Në draftin e rishkruar, grupi i ekspertëve ka gjetur një zgjidhje të mesme për mandatin e kryeprokurorit. Projektligji parashikon që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që e zgjedh kreun e akuzës duke i dërguaruar tre kandidatura kuvendit, të ngrihet 6 muaj nga hyrja në fuqi e reformës.

“Prokurori i Përgjithshëm emërohet brenda 2 muajsh pas konstituimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por jo më vonë se data e përfundimit të mandatit të prokurorit të përgjithshëm në detyrë,” thuhet në draft.

Pra, sipas parashikimit dhe kërkesës nën rrogoz të ambasadorit amerikan, Adriatik Llalla do të duhet të largohet.

Arsyet që përfliten janë disa. Mendohet se nga selia e rrugës së Elbasanit Llallës i janë dërguar disa dosje politikanësh të inkriminuar për të cilat ai nuk ka bërë asgjë. Po ashtu një nga pistat e mërzisë amerikane mendohet të jetë edhe afera e CEZ, të cilës prokuroria u mundua ti vinte kapak.

Së paku këto janë ato që përfliten. Por konflikti tashmë është shfaqur hapur edhe publikisht.

Pak kohë pasi Ambasadori amerikan, Donald Lu tha: “Unë e di kush është kundër reformës në drejtësi; ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja, por kurrë nuk e ndjekin penalisht dike”, Llalla nxitoi të dalë kundër reformës. Ai lëshoi dy sinjale:

“Po merren veprime të nxituara. Ka munguar procesi i konsultimit” u shpreh ai për të vazhduar më pas mund të ketë “elementë problematikë” në prokurori, por “institucioni ka kapacitetet për t’i luftuar”.

Debati në publik u bë një sport tërheqës sepse Donald Lu ia ktheu: “Dhe sa kohë duhet të presim, që të pasurit dhe të fuqishmit të thonë se; nuk janë ende të kënaqur me këtë reformë në drejtësi? tha ai”. Në një mbledhje të disa kohëve më pare, kur kontradiktat e kryeprokurorit me amerikanët nuk kishin dalë ende në shesh, Lu i ishte drejtuar në një mbledhje përfaqësuesve të Llallës që bënin vërejtje për reformën: ““Me sa kuptoj, disa personave iu është thenë prej eprorëve të tyre se çfarë të thonë, ose më keq akoma, të mos thonë. Nëse është e vërtetë, kjo më kujton më shumë të shkuarën komuniste të Shqipërisë se sa të ardhmen e saj demokratike”.

Por, mëria amerikane nuk përfundoi me kaq. Llalla u godit edhe nga Zëri i Amerikës. Në valët e tij fjala iu dha njeriut që Llalla sapo e kishte transferuar dhe i cili është përmendur për një rrahje me grushta me kryeprokurorin, Shkëlqim Hajdarit.

Hajdari e kundërsulmoi tangent shefin e tij. Por më shumë sesa këto fjalë simboli ishte i qartë: Ky është fati që i pret kundërshtarët e reformës. Ata do të trajtohen si armiq të ShBA-së.

Dhe kjo gjë tani po duket. Megjithëse Ambasadori ameriakn ua çoi vetë lidërve shqiptarë draftin me vërejtjet e Venecias, megjithëse të gjithë ranë dakord për zbatimin e tyre, duket se për rastin e kryeprokurorit kjo praktikë nuk është e vlefshme. Fati i tij përpara se të vendoset përtej Adriatikut, duket se është vendosur përtej Atlantikut.

Leave a Reply