Blushi bën opozitarizëm “mondan” kundër Ramës

Home » Aktualitet » Blushi bën opozitarizëm “mondan” kundër Ramës

By edi on June 22, 2016. No Comments

FB_IMG_1463437731244Blushi është një intelektual i mirënjohur dhe për këtë nuk ka diskutime.
Blushi është shkrimtar i mirënjohur dhe për këtë sigurisht ka diskutime, kritika letrare dhe nevojë për interpretime.
Blushi është politikan që prodhon ide, për këtë nuk ka nevojë shumë për filozofi, sepse faktin se është shkrimtar do të thotë se ka ide boll, por ndonjëherë idetë e shkrimtarëve janë të rrjedhura ose kuptohen si të tilla.
Blushi kërkon një Shqipëri më të mirë, për këtë nuk ka dyshim, sepse çdo shkrimtar kërkon më të mirën për vendin e tij.
Madje, edhe Hitleri në librin e tij “Beteja ime”, ai kërkon më të mirën për Gjermaninë dhe gjermanët, por në kurriz të racave të tjera. Megjithatë, Blushi më shumë mund të konsiderohet një kriticent i Ramës se sa një anti-Ramë. Pse? Blushi preferon të përdor foltoren, të përdor auditorët, forumet e PS, por nuk ka forcë dhe dëshirë të testojë veten me masat.
Pra, Blushi nuk është e nuk mund të konsiderohet një lider që mund të ketë sukses në sistemin politik shqiptar, që është prefekt makiavelistë.
Shqiptarët preferojnë një lider karizmatik, të fortë që lufton bashkë me ta dhe është pjesë e pandarë e tyre. Pra, një Berishë apo edhe një Ramë, i cili ka një stil prej lideri karizmatik-aventurier që preferon gjithmonë të testojë dhe të provojë metoda të reja, si ironinë, agresivitetin, pasivitetin, të çuditshmin, të pakuptueshmin, normalin, të veçantin, gjithëpërfshirësin, përjashtuesin, menefregistin.
Po t’i analizojmë këto bashkë me historinë tonë popullore, sjelljet e Ramës janë njëlloj me të shumicës e për këtë arsye ai është i suksesshëm dhe bindës.
Në këto debate të rëndësishme që kanë këto ditë, si Reforma në Drejtësi, skandalet e përgjimit, dhuna e kopshtit sigurisht që pritej të kishte edhe një reagim nga Blushi për këto ngjarje.
Megjithatë, Blushi nuk reagon, sepse pret ditën e nesërme të Parlamentit për ta sulmuar Ramën pikërisht nga foltorja.
Kjo sjellje e Blushit nuk të krijon bindjen se është një opozitar i bindur anti-Ramë, sepse ai nuk po provon rrugën e vërtetë të një lideri karizmatik, atë të takimit dhe afirmimit me masat.
Blushi edhe këtë herë po dëshmon se ai nuk ka dallim me Blushin e “mendimit ndryshe”. Ndryshimi i vetëm është se atëherë “mori në qafë” edhe disa kolegë të tjerë të rëndësishëm, kurse këtë herë ka marr një qafë vetëm deputeten e Shkodrës, Hafizin.
Blushi nuk ka cilësitë dhe forcën për ta vazhduar misionin e tij deri në fund. Ai për herë të dytë po tenton që me intelektualizmin e tij t’i marr Partinë Ramës, por kjo metodë është e dështuar, sepse Rama është një lider që ka ardhur nga rruga, turma dhe tashmë e ka konsoliduar shumë edhe rrugën e tij institucionale brenda Partisë.
Po ashtu mënyra se si Blushi po sillet me Ramën, bind gjithnjë e më shumë se ai nuk është një opozitar i Ramës, por një kritik që nuk ka forcën për të shkuar deri në fund. Blushi edhe pse ka kritikuar hapur Ramën dhe Qeverinë e tij, ai nuk e ka ngritur asnjëherë kartonin tundra edhe kur është bërë fjalë për ligje të diskutueshme. Po ashtu qëndrimi i Blushit nuk është i qartë edhe në lidhjen me votimin e Reformës në Drejtësi, të asaj drejtësie që ai me shumë zell e përmend në fjalimet e tij komode të bëra nga foltorja e Parlamentit.
Rama dhe socialistët kanë të drejtë të jenë të mërzitur me Blushin, pasi sjellja e tij prej zhurmuesi intelektual nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka dëmtuar Partisë Socialistë duke i bërë një shërbim të madh Partisë Demokratike dhe Opozitë. Kjo lidhet me faktin se për sa kohë kritikat e Blushit nuk shërbejnë për të krijuar një alternativë politike, pra një subjekt të ri politik të ndryshëm nga PS dhe PD, ai vazhdon t’i bëj një shërbim të madh Partisë Demokratike e me të drejtë vazhdon e zhgënjen të zhgënjyerit dhe socialistët.
Opozitarizmi i Blushit kundër Ramës është ai i ngjashëm mes Kadaresë dhe ish Pushteti, që herë bashkëjetonte me të e disa herë të tjerë me metafora shumë të kujdesshme tentonte dhe ndonjëherë edhe arrinte të kritikonte.
Blushi me këtë metodë do të vazhdojë të jetë një intelektual i mirë, një shkrimtar i mirënjohur dhe i diskutueshëm, por do të mbetet gjithmonë një lider mediokër që gjithnjë e më shumë do të ketë më pak mbështetës, sepse tashmë është hera e dytë që nuk jep garanci për mënyrën e tij të bërit politik dhe opozitarizëm.

Nga Alban Daci

Leave a Reply