Ndocaj: lojtarëve të Kombëtares më mirë tu jepnin të drejtën e Votës se sa Pasaportat Diplomatike

Home » Aktualitet » Ndocaj: lojtarëve të Kombëtares më mirë tu jepnin të drejtën e Votës se sa Pasaportat Diplomatike

By edi on June 30, 2016. No Comments

imagesKur shoh sallën e Parlamentit them, më mirë që u eliminua Kombëtarja, se ndryshe do të shkonim në zgjedhje të parakohshme. Ju dhamë Pasaporta Diplomatike ju mohojmë Votën e Lirë!

Sot, në Parlament diskutohet një çështje shumë e rëndësishme, ajo e bashkëpunimit ekonomik me Gjermani. Një bashkëpunim që pati një histori të hershme që në kohën e Regjimit, kur Gjermanët i shtrin dorën Ramiz Alisë, por që atëherë mbeti vetëm një tentativë nga ana e gjermanëve, sepse ne shqiptarët në këto vite tranzicioni e kemi parë bashkëpunimin ekonomik sipas sponsorizimeve të fushatave, shumë kohë bashkëpunuam me Greqinë, po kohët e fundit është rritur edhe bashkëpunimi me Serbinë, kolegët e mi gjithnjë e më shumë postojnë në facebook me krenari vizitat e tyre në Beograd. Madje, disa janë aq shumë entuziast sa mundohen të shkruajnë e të flasin edhe serbisht.

Bashkëpunimi ynë ekonomik me Gjermaninë është i vonuar. Sigurisht një mirë të madhe për këtë marrëveshje ka ambasadori ynë në Berlin dhe stafi i ambasadës që kohët e fundit kanë punuar pa pushim për të rritur marrëdhëniet ekonomike me Gjermaninë. Para, tre muajsh isha në Berlin e bëra një vizitë edhe në Ambasadën tonë, ku u takova edhe me Ambasadorin, i cili me keqardhje po theksonte se Shqipëria është e fundit në rajon për sa u përket raporteve ekonomike e tregtare me Gjermaninë. Madje, ai tha që edhe Maqedonia është para nesh duke përdorur portet tona.

Për këtë situatë ai ja hidhte fajin historisë tonë të tranzicionit. Unë, ndava me të shqetësimin dhe po ashtu ngrita si problem numrin e vogël të burimeve njerëzore të Ambasadës, të cilët të gjithë së bashku nuk kalojnë dhjetë persona. Po ashtu unë në takim me ambasadorin theksova se Gjermani është vendi më i rëndësishëm i BE dhe vendi që mund të sjellë përmes investimeve rritje ekonomike për Shqipërinë.

Tek sa shohë sallën, them më mirë që u eliminua Kombëtarja, sepse kishim mbetur Shtet pa shtetar dhe Parlament pa deputet. Ndoshta, ishim vendi i vetëm ku të gjithë drejtuesit e lartë të institucioneve shtetërore ishin transferuar në Francë për të parë ndeshjen. Prania e  tyre solli ndoshta ters edhe për Kombëtaren, sepse modeli i Kombëtares nuk është modeli i politikës shqiptare. Të parët janë djemtë të talentuar që janë larguar nga Shqipëria për shkak të politikave të gabuara dhe me shumë mund e talent janë të bërë të zotë e ndërsa politikanët tanë janë modeli i njerëzve parazitar që pa merita e pa cilësi vazhdojnë të tallen me vendin tonë. Pra, në ndeshjet e Kombëtares tonë të pranishëm ishin dy modele krejt të kundërta. Madje, për turp ne u dhuruam lojtarëve tanë të Kombëtares pasaporta diplomatike, por atyre vazhdojmë tu mohojmë të drejtën elementare, atë të Votës.

Unë, do ta votoj sot marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik me Gjermaninë e do të jem i gatshëm të votoj çdo propozim apo vendim që përmison kushtet e shqiptarëve e forcon pozicionin e Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se kam ndryshuar qëndrim për Reformën në Drejtësi. Atë do e votoj vetëm nëse e votojmë të gjithë së bashku me konsensus.

 

 

Leave a Reply