Dje Republika ra!

FB_IMG_1463437731244Kam studiuar në Perëndim, kam jetuar e jetoj në Perëndim, jam formuar intelektualisht në Perëndim, jam pro-Europian, pro-SHBA e pro Perëndimor. Megjithatë, janë pikërisht vlerat e mia të formimit Perëndimor që më shtyjnë të shkruaj këtë artikull.

Koncepti i sovranitetit ka lindur bashke lindjen e konceptit të shtetit! Po ashtu me lindjen e konceptit të shtetit lindi në rrethanat e një anarkie edhe e Drejta Ndërkombëtare që rregullon e kushtëzon deri diku marrëdhëniet mes shteteve, por me evoluimet e fundit jo vetëm me shteteve, por edhe mes subjekteve të rinj ndërkombëtare, të cilët mund të jenë edhe sui generis, siç është rasti i BE!

Parimet bazë të Drejtës Ndërkombëtare janë dy: Të gjitha shtetet janë të barabarta pavarësisht madhësisë si dhe çdo shtet ka të drejtë të zgjedh formën e qeverisë, formën e zhvillimit ekonomik, politik e kulturor.

Kjo e fundit përfshihen në pakën e çështjeve të brendshme të një shteti dhe nëse një shtet, apo formë tjetër organizimi ndërkombëtar kërkon të ndërhyjë është e papranueshme sipas të Drejtës Ndërkombëtare, me përjashtim kur shteti në fjalë ka detyrime për shkak të një marrëveshje apo traktati. Siç është rasti se i procesit të Integrimit të Shqipërisë ne BE, ku Shqipëria duhet të përshtat legjislacionin e saj sipas të Drejtës Europiane. Megjithatë, Shqipëria duhet ta përshtat dhe jo ta bëj njëlloj.

Gjithashtu, detyrimi i Shqipërisë është përshtatje, mënyra dhe forma është në të drejtën e Shqipërisë.

Dje ka ndodhur diçka e pa precedent që ka cenuar rëndë sovranitetin e Shqipërisë pikërisht në Parlament, aty ku garancitë për sovranitetin duhet të jenë maksimale. Mbi tavolinë, deputetët e Republikës së Shqipërisë kanë gjetur një broshurë, ose të themi në kuptimin e vërtetë të fjalës një Kushtetutë të Re të Republikës së Shqipërisë, por jo të hartuar nga shqiptarët!

Askush nga deputetët nuk reagojë për këtë ngjarje, që juridikisht unë do e quaja shumë të rëndë e po ashtu edhe politikisht.

Dje nuk duhet të ishte folur për asgjë tjetër, por vetëm për këtë ngjarje e deputetët me argumente juridike e politike duhet të mbronin sovranitetin e Shqipërisë.

Broshura apo Kushtetuta e imponuar dhe e lënë mbi tavolinën e deputetëve, por e hartuar nga të huajt ngjante si një lloj traktati dorëzimi  dhe lëshimi sovraniteti.

Jam plotësisht dakord që reforma në Drejtësi duhet të ndodh e kjo para së gjithash, sepse është në shërbim të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.

Pra, Reforma në Drejtësi shqetëson më shumë shqiptarët, sepse varet drejtpërdrejtë jeta e tyre, se sa ndërkombëtar. Nuk mendoj se ndërkombëtarëve ju dhimbset më shumë Shqipëria se ne dhe nuk mendoj se ndërkombëtarët janë më shqiptar se shqiptarët.

Procesi i Reformës në Drejtësi është një proces i rëndësishëm politik dhe juridik, por që in primis u përket shqiptarëve e pastaj miqve të shqiptarëve.

Po ashtu, Kushtetuta është ligji themeltar i Shtetit dhe e drejtë ekskluzive e shqiptarëve dhe ka për qëllim mbrojtjen e interesave kombëtar!

Askush nuk ka të drejtë dhe nuk duhet të tentojë të na detyrojë të pranojmë asnjë lloj rreshti Kushtetues të obliguar!

Shqipëria u është mirënjohës e duhet të jetë mirënjohës ndërkombëtarëve e në veçanti SHBA për kontributin e tyre të vazhdueshëm që japin për proceset demokratike e politike të Shqipërisë, por disa procese janë e drejtë ekskluzive e jona e një ndër më ekskluzivet është Kushtetuta!

Me thënë të drejtën prita reagime nga deputetët për ngjarjen e djeshme, por askush nuk mori guximi. Servilizmi kundrejt të huajve tashmë nuk njeh kufij!

Ne me ndërkombëtarët duhet të ndërtojmë marrëdhënie të barabarta partneriteti, por aspak nënshtrimi apo inferioriteti.

Dje ne u nënshtruam në maksimum, u dorëzuam dhe juridikisht dje Republika ka rënë!

 

Nga Alban Daci