Formula e Blushit bën President Berishën ose Nanon

FB_IMG_1463437731244Ben Blushi mundohet të jetë rinovues në propozimet e tij, edhe pse ai ka më shumë se 15 vjet që është pjesë e establishmentit të politikës shqiptare. Jam plotësisht dakord që Presidenti të zgjidhet nga populli, por kjo ka disa kritere që duhet të plotësohet. Kriteret janë kryesisht politik e me pasoja juridike.

Së pari, ka disa forma presidencializmash dhe Blushi nuk e ka parashikuar se si duhet të jetë presidencilizmi i tij.  Ka presidencializëm të fortë siç është ai Amerikan, ka gjysmë-presidencializëm të fortë siç është i Francës, por për disa vende siç janë ato të Europës Juglindore është menduar të aplikohet një formë e gjysmë-presidencializmit të butë.

Kjo për fakti, se këto vende me të kaluarën e tyre diktatoriale, me njerëz të fortë dhe me demokraci të brishtë nuk mund të kishin presidencializëm të fortë, sepse kjo rrezikonte të rrëshqiste në diktaturë. Kjo kishte të bënte edhe me faktin, se nw kwto vende aakoma nuk kishte ndodhur rotacioni i elitave, e kaluara ishte e afërt, sepse efekti kohë ishte i shkurtër dhe ish njerëzit e Regjimit akoma mund të kishin mundësi të hynin në garën për President.

Mendoj se Shqipëria ka të njëjtin problem si vendet e tjera të “Bllokut lindor”, sepse këtu rotacioni i elitave nuk mund të quhet një proces i mbyllur dhe po ashtu tendenca për oligarki janë të vazhdueshme e me një presidencializëm të fortë rrezikon të përfundoj në një diktaturë të legjitimuar.

Çfarë prodhon presidencializmi i Blushit? Është e thjeshtë për tu përgjigjur! Prodhon Berishën ose Nanon president! Për të forcuar pushtetin e popullit dhe për të forcuar demokracinë, ndonjëherë nuk mjaftojnë vetëm mekanizmat juridik. Pra, për të pasur një presidentë të zgjedhur nga populli e me vlera demokratike nuk mjafton që thjeshte të ndryshoi Kushtetuta. Këtë kritikë e bëj sigurisht edhe për Mesila Dodën dhe PDIU dhe jo vetëm për Blushin!

Presidencializmi është një proces i mirëfilltë politik e me mekanizma të pastër demokratik.

Në këto kushte që jemi ne sot, presidenti nga populli do të ishte një diktator (car) i legjitimuar me mjete demokratike, por që do të qeveriste me mjetet krejt antidemokratike!

Së pari, duhet të një reformim i plotë i sistemit politik shqiptar. Çdo të thotë kjo? Duhet të ketë primare nga dy partitë e mëdha,  ku përmes një gare të pastër do të zgjidheshin për kandidat personat me të “mirë” e me vizione konkrete!

Pra, kushti i parë është që sistemi politik shqiptar të shkoj drejt një bipolarizmi perfekt! Ju do të thoni, se s’ka nevojë pasi mund të ketë kandidat edhe nga subjekte të tjera, nga shoqëria civile (të pavarur). SHBA janë një ndër demokracitë më funksionale e megjithatë nuk kemi një rast që një kandidat i pavarur ose nga ndonjë parti e vogël të jetë bërë President! Pra, kur një gjë e tillë nuk ka ndodhur në SHBA, tek ne as nuk mund të ketë iluzione se mund të ndodh. Kjo ka të bëj edhe me faktin, se ne jetojmë në një mjedis social të politizimit maksimal e në këto rrethana janë vetëm rregullat e lojës politike ata që përcaktojnë “governantët”.

Kusht i dytë është realizimi i zgjedhjeve të lira e demokratike. Shqipëria ka një histori 25 vjeçare me zgjedhje të manipuluara, me vota të shitura, tjetërsuar, të vjedhura. Në këto rrethana, kushdo që do të zgjidhej president do të bëhej një “car” i padiskutueshëm duke u zgjedhur dhe rizgjedhur disa herë. Në këto rrethana do të kishim një diktator që në dallim me  Hoxhën, zgjidhet me votat e popullit e kjo do e bënte edhe më të egër dhe gllabërues pushtetin e tij! Për sa kohë në Shqipëri nuk kemi zgjedhje të lira e demokratike, formula e presidentit nga populli është në dëm të demokracisë.

Kushti i tret është reformimi i privilegjeve dhe kompetencave të Presidentit të Republikës. Në kushtet e një presidenti të zgjedhur nga populli, ai duhet të jetë shumë më i fortë në privilegje dhe kompetenca.

Ndërsa, sot Shqipëria po shkon gjithnjë e më shumë dhe me ndryshimet e vazhdueshme të bëra drejt një Republike Parlamentare me Kryeministër të Fortë.  Në këto rrethana mendoj se është terreni i gatshëm për të vazhduar më tej këtë linjë.

Çfarë do të thotë kjo? Presidenti të ketë kompetencat që ka tashmë  e ndoshta edhe me formale dhe Kryeministri të zgjidhet nga populli. Kjo do të ishte reforma më e mirë Kushtetuese, sepse do të balanconte institucionin e Presidentit, Parlamentin dhe Ekzekutivin.

Formula që duhet të shoqërohet edhe me ndryshimet e kodit zgjedhor duhet të jetë që në zgjedhje parlamentar të votohet si për kandidatin për Kryeministër ashtu edhe për subjektin politik dhe po ashtu edhe për kandidatin për deputet!

Shqipëria në këto 25 vite ka prodhuar lider të fortë, karizmatik dhe nostalgjik për masat. Forca e partive për të orientuar votuesit në Shqipëri është e madhe e kjo lidhet edhe me politizimin e tejskajshëm të shoqërisë.

Prandaj, në këto rrethana nëse thjeshtë ndryshon Kushtetuta me votimin e presidentit nga populli, pa plotësuar kushtet e përmendura më sipër, i gjithë procesi do të zgjidhte president Berishën, Nanon apo edhe Metën. Në këto rrethana, përsëri Blushi nuk solli risi me propozimin e tij, nuk i dha mundësi vetës, por ndihmoj oligarkët të bëhen diktatorë të legjitimuar me proces demokratik!

 

Nga Alban Daci