Njerëz të varfër me para

Home » Aktualitet » Njerëz të varfër me para

By edi on August 14, 2016. No Comments

klementin mileNga Klementin Mile*

Pak vite më parë një avokati të njohur i rrëfenin për një politikan të njohur, i cili, sipas zërave, ishte shumë i pasur. Avokati tha: “E keni gabim. Ai nuk është i pasur, është vetëm një njeri i varfër me para.” Avokati kishte shprehur një paradoks, pasi një njeri nuk mund të ishte njëkohësisht edhe i varfër edhe me para. Të paktën këtë na thotë logjika formale. Por, megjithatë, avokati e dinte që logjika nuk përmbante gjithë të vërtetën dhe që as jeta dhe gjuha njerëzore nuk i bindet tërësisht logjikës. Avokati kishte të drejtë: të tillë njerëz ishte e mundur të ekzistonin.

Për ta kuptuar këtë është e nevojshme të shohim në zemër të paradoksit, të paradoksit të njeriut të varfër, por me para. Si ka mundësi të ekzistojnë njerëz të tillë? Ne jemi mësuar të mendojmë që ka njerëz të varfër pa para, ashtu sikundër ka njerëz të pasur me para. Vetë konceptet e pasurisë dhe varfërisë këtë thonë, pasjen ose mospasjen e parave. Por avokati kishte zbuluar një dimension tjetër të këtyre koncepteve.

Në një anekdotë tregohet për mbytjen e një anijeje dhe të gjithë pasagjerëve, me përjashtim të një djali të ri dhe Miss Francës. Të dy arrijnë të mbijetojnë dhe përfundojnë në një ishull të shkretë në mes të oqeanit. Askush nuk di gjë për ekzistencën e tyre në ishull, njerëzit menduan se nuk kishte shpëtuar asnjë pasagjer, ndaj dhe nuk pati misione kërkimi. Djali dhe Miss Franca nisën të përshtaten me jetën në ishull dhe hoqën dorë nga shpresa se dikush do të vinte t’i shpëtonte. Kohë më vonë, të shtytur nga nevojat biologjike, filluan të kryejnë marrëdhënie seksuale bashkë. Gjithçka shkonte mirë, deri një ditë kur djali e mori me forcë Miss Francën, e lidhi këmbë e duar pas një peme, i preu flokët, i vizatoi një palë mustaqe mbi buzë dhe nisi t’i thotë: “Nuk do ta besosh kurrë çfarë kam bërë, kam shkuar në shtrat me Miss Francën!”

Këtë kishte zbuluar avokati, që çfarëdo që të bësh apo të kesh, që të marrë vlerë dhe realitet, që ta shijosh, duhet t’ia thuash dikujt, duhet komunikuar. Përndryshe është njësoj si të mos kishte ndodhur fare, si të mos jetë. Kjo është tragjedia e njerëzve të varfër me para: ata nuk mund t’i përdorin dot në komunikim paratë e tyre dhe, duke mos i përdorur, është njësoj si të mos i kishin, janë njësoj si të varfrit. Mjafton të sjellësh ndërmend një politikan të korruptuar, si ai për të cilin i kishin folur avokatit, politikan i cili, në pjesën më të madhe të ditës së vet, nuk e ka luksin të tregojë pasurinë që zotëron; përkundrazi, duhet të shfaqet sa më modest, sa më mirëkuptues dhe i thjeshtë me gjithfarësoj njerëzish, me zgjedhës, me gazetarë, me militantë, me kundërshtarë politikë nëpër debate, me sipërmarrës, me të rinj, me të moshuar, praktikisht me gjithkënd përveç një rrethi të ngushtë dhe të besuar njerëzish. Ai nuk mund të jetojë si i pasur, në sytë e opinionit publik nuk mund të shfaqet me një limuzinë, edhe pse nuk e ka aspak problem ta blejë, por me mëngët të përveshura çdo ditë, si ato të një punëtori krahu, për t’u përballur me problemet në të mirë të shoqërisë.

Një njeri i tillë, i varfër me para, nuk e ka luksin të jetojë si një aktor apo futbollist i famshëm, që në fakt mund të ketë më pak para se ai vetë. Aktori dhe futbollisti nuk i fshehin paratë e tyre, përkundrazi, në çdo rast që u jepet i demonstrojnë. Dhe prandaj janë të pasur. Një njeri i tillë, i varfër me para, ka vetëm një zgjidhje: ai duhet të izolohet me rrethin e tij të ngushtë dhe të besuar të njerëzve brenda një territori vilash private, pra në komunitetin e të varfërve me para, dhe vetëm aty, larg syve të publikut, mund t’ua komunikojë pasurinë e vet të tjerëve, që, nga ana e tyre, bëjnë të njëjtën gjë para syve të tij. Zgjidhja, pra, është po ajo e dikurshmja, kur udhëheqësit komunistë e izoluan veten nga populli i tyre në vilat e Bllokut.

Pedagog në UET

Leave a Reply