S’është faji i anijes…që po largohemi

Home » Aktualitet » S’është faji i anijes…që po largohemi

By edi on August 9, 2016. No Comments

13754673_1072770062804282_1389619050124756789_nKëto ditë është data kur anija Valona hyri në Bari e në bordin e saj kishte mijëra shqiptar, të rinj, të reja, të moshuar e fëmijë që kishin vendosur të nisnin ëndrrën e një jetë më të mirë. Ata ëndërron jetën Perëndimore që e kishin lexuar fshehurazi ose në kanalet televizive italiane që e kishin parë duke lënë një roje tek porta që të mos i shikonte komshiu.

Shqipëria në atë kohë po kalonte ditët e saj më të vështira, kishim bishën komuniste që po tentonte të jepte shpirt, por nuk dorëzohej, kishim një varfëri të madhe për bukë, një pasiguri të madhe për të ardhmen.

Megjithatë, shqiptarët më në fund ishin të lumtur të shkonin të ku të donin dhe të jetonin si të donin, sepse ata kishin fituar gjënë më të shtrenjtë, lirinë! Italia, mbetet vendi më mikpritës që ju dha shqiptarëve oportunitete për të ndërtuar jetën që kishin ëndërruar. Italia mbeti vendi më i dashur e kjo kishte të bënte edhe me një dashuri të natyrshme, sepse në histori kemi qenë dy popuj të ndarë nga një det.

Të gjithë shqiptarët dinin italisht sikur të ishte një dialekt për ta. Po ashtu Italia ka dhënë kontributin më të madh në shkollimin e të rinjve shqiptarëve të cilët falë politikave mikpritëse italiane mbushën universitet e shkëlqyen! Me kalimin e viteve për ne që zgjodhëm Europën na u rrit iluzioni se Shqipëria do të ndryshojë e ne kishim obligim për të kontribuar.

Kështu me iluzionin e një Shqipërie që nuk ekzistonte, pas studimeve vendosëm të riktheheshim në Atdhe.

Kjo kishte qenë tradita e shqiptarët e ushqyer nga Rilindja: kudo të shkosh e çfarë do të bëhesh, ktheju se Shqipëria të pret! Kështu me idealizmin për vendin tonë të dashur sakrifikuam diplomat tona europiane dhe erdhëm plot dëshirë dhe shpresë në Shqipëri.

Besonim në atë që kishim studiuar e po ashtu besonim në dashurinë që jo vetëm ne kishim për vendin, por edhe për dashurinë që vendi kishte për ne.

U gabuam! Na mbeti vetëm dashuria që kishim ne për vendin dhe jo vendin për ne! Vendi kishte xhelozi e frikë për diturinë dhe rikthimin tonë!

Diplomat tonë të auditorëve të Europës ranë në duart e militantëve, që disa nuk dinin t’i lexonin e disa të tjerë i fshihnin thellë nëpër sirtarë që të mos i gjente askush.

U rikthyem me ëndrra plotë e gjetëm zhgënjim të thellë, urrejtje të padrejtë, xhelozi të tepruar dhe urrejtje të pamerituar. Shqipëria, shpejt kuptuam se nuk ishte ai vendi i dashur që kishim besuar e menduam. Kuptuam shpejt se familjen tona nuk kishin ndryshuar statusin social dhe vazhdonin të ishin padrejtësisht të diskriminuara vetëm, sepse kishin zgjedhur të mos merreshin me politikë, të mos bëni vota e fushata.

Shpejt kuptuam se Shqipëria nuk ishte vendi ynë, por ishte vendi i pushtuar nga e keqja dhe nga të pamerituarit që ishin kthyer në pronar të dhunshëm dhe në shtypës të pamëshirshëm. U rikthyem duke lënë ëndrrën tonë europiane që kishim ndërtuar me shumë sakrifica për idealizmin dhe për dashurinë për Atdheun. Këtu, në Shqipëri, kuptuam se ëndrrat nuk kishin kurrë lindur! Të zhgënjyer për vendin tonë që nuk ka shanse të çlirohet nga e keqja dhe për të respektuar diturinë, jemi të gatshëm të largohemi përgjithmonë për tu mos kthyer kurrë më. Këtë herë nuk është faji i anijes që po largohem, por i një klase politike që kërkon të monopolitizojë e privatizojë vendin. Kjo ka bërë që ne të ndjehem të huaj në vendin tonë e të jemi të mirëpritur në vendet e Europës! Shqipëria shpresoj të bëhet një ditë, por ne sot jemi të lodhur për të vazhduar me sakrifikuar për një situatë që nuk ka shanse të ndryshojë!

 

Alban Daci

Leave a Reply