Vota e Emigrantëve duhet të jetë e plotë ose ndryshe s’ka kuptim: Kushtetuta shkruan qartë!

20160929_202758
Deputeti Ndocaj ishte i pari eksponentë i Parlamentit dhe po ashtu i pari përfaqësues i politikës që propozojë projektligjin e tij për të Drejtën e Ushtrimit të Votës të Shqiptarëve që jetojnë jashtë ose siç pëlqejnë disa ta quajnë Vota e Emigrantëve. Po ashtu, deputeti Ndocaj në argumentimin e tij juridik dhe duke interpretuar Kushtetutën ishte i pari që propozojë vende të rezervuar në Kuvend për emigracionin.
Madje, me të drejtë në argumentimin e tij juridik deputeti Ndocaj theksonte se: Nuk mund të ketë interpretim të njëanshëm të Kushtetutës, ku ajo qartë shkruan neni. 45, pika 1. “Çdo qytetarë që ka mbushur 18 vjeç qoftë edhe në ditën e zgjedhjeve ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet”.
Pra, kushtetuta shqiptare është e qartë, kur thotë se qytetarët nuk janë vetëm votues, por edhe përfaqësues. Nëse e interpretojmë në mënyrë të njëanshme Kushtetutën, duke shkelur parimet e së Drejtës, atëherë demokracia nuk funksionon dhe është e njëanshme. Pra, në një situatë të tillë edhe nëse votojnë emigrantët pa pasur vende të rezervuara në Parlament, ata nuk kontribuojnë fare në demokracinë funksionale, nuk mbrojnë të drejtat e tyre, por thjeshtë bëhen vegla për të forcuar pushtetin e atyre që janë në Tiranë që janë totalisht indiferent për hallet dhe sfidat e emigracionit apo tashmë mund ta quajmë të Diasporës.
Po ashtu propozimi i Ndocaj është i përbashkët me atë të Partisë Socialiste me mënyrën e të votuarit ku si Ndocaj ashtu edhe Partia Socialiste parashikojnë ose përmes Postës ose përmes Selive Diplomatike. Megjithatë, Ndocaj dhe PS ndahen tek përfaqësimi i emigrantëve me vende të rezervuar në Parlament. Partia Socialiste pretendon se kjo nuk mund të ndodh se duhet të ndryshojnë Kushtetuta. Nëse është e nevojshme dhe në shërbim të vendit Kushtetuta edhe mund të ndryshohet, sepse deri më sot është ndryshuar vetëm për zellet e politikës e pushtetit dhe aspak për nevoja e vendit apo të qytetarëve.
Megjithatë, nuk është aspak e vërtetë që duhet të ndryshojë Kushtetuta.
Çfarë thotë Kushtetuta? Neni 64, pika 1 thotë se: “Kuvendi përbehet nga 140 deputetë, të zgjedhur në sistem proporcional me zona zgjedhore e shumëemërore”.
Po ashtu në pikën 2 të këtij neni thuhet se: “ Zona zgjedhore shumëemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial”.
Nga kjo është fare e qartë se kushtetuta përcakton numrin e deputetëve që ka Parlamenti dhe ajo nuk përcakton shpërndarjen dhe përfaqësimin e tyre. Këto detaje rregullohen përmes Kodit Zgjedhor që ka një interpretim më të gjerë.
Së pari duhet t’i referohemi Pjesës së Tretë të Kodit Zgjedhor që kodon Zgjedhësit dhe Përgatitjen e Listës së Zgjedhësve. Ne konkretisht do të merremi si fillim me Kreu I ku trajtohen Përmbajtja, Hartimi dhe Miratimi i Listës së Zgjedhësve.
Neni. 44 thotë qartë se një person duhet të ketë këto kritere për tu përfshirë në listën e zgjedhësve.
Të jetë shtetas shqiptar; të kenë 18 vjeç qoftë ditën e zgjedhjeve; të jetë i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile; të ketë vendbanimin e regjistruar në territorin e një prej zonave të qendrave të votimit dhe të regjistrohet zgjedhës bë listën e vetëm një zone qendre votimi.
Pra, nga këto kritere nuk përjashtohet asnjë shtetas shqiptar që jetojnë jashtë nga momenti që gëzon pasaportën shqiptare. Ka vetëm një interpretim në lidhje me pikën e fundit të një regjistrimi vetëm në një qendër votimi. Këtë dilemë e problem nëse mund të konsiderohet kështu e ka zgjidhur deputeti Ndocaj në draftin e tij duke ju referuar e interpretuar ligjin italian për votimin e atyre që jetojnë jashtë. Ndocaj thotë qartë se Ministria e Jashtme bashkëpunon me Ministrin e brendshme duke i paraqitur listën e personave që jetojnë jashtë e do të votojnë jashtë.
Konfirmimin e vendit të votimit Ministria e Jashtme e merr përmes selive diplomatike, të cilët janë gjithmonë në kontakt me zgjedhësit e përmes postës i kërkojnë konfirmimin e vendit të votimit. Po ashtu është Kodi Zgjedhor në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave që duhet të rregullojnë krijimin e zonave të votimit jashtë, kjo për të bërë të mundur ushtrimin e të drejtës të votës të shqiptarëve që jetojnë jashtë.
Ky nuk mund të konsiderohet një favor apo një proces i vështirë, pasi de jure dhe de facto çdo shtetas shqiptar është i regjistruar si banues në Shqipëri, përderisa figuron në regjistrat e gjendjeve civile, por për shkak të largësisë duke jetuar jashtë ata nuk mund të votojnë në vendbanimin e regjistruar në Shqipëri. Po ashtu kjo mund të shmanget pa vështirësi nëse votimi do të bëhet me postë. Çdo të thotë kjo? Që votuesi edhe pse voton me postë mund të numërohen në Qendrat e Numërimit që i takon në Shqipëri.
Po ashtu kemi edhe referime të tjera që dëshmojnë qartë se për të bërë të mundur votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë nuk duhet me domosdoshmëri ndryshimi i Kushtetutës, sepse siç e thash më sipër Kushtetuta nuk merret me shpërndarjen e mandateve, por vetëm përcakton numrin e mandateve. Ndërsa me shpërndarjen e mandateve që nis me numrin e Zonave të Qendrës së Votimit, merret Kodi Zgjedhor e pikërisht nis me nenin. 62.
Tani, le t’i rikthehemi argumentit të ndryshimit të Kushtetutës! Mendoj se më e rëndësishme se kaq është se me çfarë formule dhe Kodi Zgjedhor do të hyhet në zgjedhjet e 2017.
Së pari, kodi aktual e kam theksuar edhe herë të tjera se është antikushtetues e kjo ka lidhje edhe me argumentin e interpretimit të antikushtetutshmërisë së Kodit Italian që ishte identik me tonin. Nëse do të ndryshojë ky Kod e sipas meje duhet të ndryshoj, atëherë automatikisht duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta, sepse i referohet qartë sistemit proporcional.
Ndryshimi i Kushtetutës është krejtësisht i mundur dhe i realizueshëm nëse kodi i ri bëhet me konsensus ose të paktën me përfaqësim të gjerë politik. Po ashtu, ushtrimi i të drejtës së votës të shqiptarëve që jetojnë jashtë duhet të pranohet me konsensus nga të gjithë anëtarët e Komisionit Zgjedhor, sepse është në shërbim të një demokracie më funksionale e më të përfaqësuar.

Nga Alban Daci