Komisioni i tregëtisë dhe mjedisit/ Rekord diskutimesh dhe mbledhjesh

Komisioni i tregëtisë dhe mjedisit/ Rekord diskutimesh dhe mbledhjesh

Instituti i Studimeve Politike ka monitoruar edhe punën e Komisionit për veprimtaritë prodhuese, tregtinë dhe mjedisin. Ky komision ka pak njohje në publik, por gjatë sesionit të vjeshtës shtator-dhjetor 2016 mori vëmendje të madhe për shkak të rikthimit në axhendë të ligjit të mbetjeve. Pjesë e Komisionit janë ish ministrat e bujqësisë Duka e Ruli, ish sekretari i shtetit Baraj, si dhe një numër i madh figurash protagoniste politike, përfshirë deputetin e larguar D.Tahiri dhe deputetin E.Ndocaj.

Referuar të dhënave krahasuese ky komision ka një numër rekord mbledhjesh (28) dhe për më të tepër, numër rekord diskutimesh (198). Kjo shifër rekord krahasuar me komisionet e tjera (p.sh, gjashtë herë më shumë diskutime se Komisioni për Sigurinë, apo rreth 2.5 herë më shumë se Komisioni i Ligjeve), lidhet edhe me diapazonin e gjerë të çështjeve që mbulon (bujqësia, turizmi, industria, territori, mjedisi, etj). Të gjithë ministrat që mbulojnë këta sektorë kanë qenë të pranishëm në Komision, duke pasur gjithashtu shifër rekord të pjesëmarrjes së tyre. Gjithashtu kanë qenë të pranishëm edhe një numër institucionesh të sektorëve në këto problematika.

Të dhënat tregojnë se deputeti N.Kopliku ka marrë pjesë në secilën nga mbledhjet e Komisionit, ndjekur nga deputetët G.Ruli, B.Baraj dhe I.Kopliku. Nga ana tjetër, deputetja e LSI Monika Kryemadhi nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje Komisioni, kurse deputeti Cara ka vetëm 1 pjesëmarrje me mungesë të gjatë kryesisht për shkaqe të justifikuara personale. Edhe deputeti Ndocaj ka pjesëmarrje të ulët se bashku me deputetin Kosta, të dy të PS-së.

Ky komision është unikal në faktin se ka numrin më të lartë të mbledhjeve ku në mungesë të kryetarit drejton zv/kryetari (nga partia rivale politike), dhe se dominohet nga diskutime kryesisht teknike. Elementët dhe retorika politike shfaqen kryesisht në drejtimin e tij dhe në rastet e axhendave që kanë impakt publik. Në Komision, me cilësinë e anëtarëve zëvendësues, kanë marrë pjesë edhe deputetë të tjerë, Hafizi, Toci, Derveni, Kamberi, Bejko, dhe kanë folur në rastet e pjesëmarrjes së posaçme. Kurse nga anëtarët e përhershëm, më shumë diskutime, përveç dy drejtuesve Shalsi e Ruli, kanë deputetët Kopliku e Baraj (PS), Bitri (LSI) si dhe Papa, Dashi, Bushati e Hajdarmataj (PD). Ndocaj, Duka e Gaçi kanë të njëjtin numër diskutimesh në komision,  dy herë më pak se deputeti Suli.

Së fundi, me gjithë bilancin pozitiv në rekordin e mbledhjeve dhe diskutimeve, ky komision pikën më të dobët ka debatin për ligjin e njohur, si ligji i importit të plehrave, për shkak të menaxhimit formal dhe partiak të debatit, faktit se shumica e deputetëve ndryshuan qëndrimin e shprehur në komision, pasi çështja u bë pjesë e protestave dhe debatit publik dhe gjithashtu faktit se Komisioni e trajtoi këtë çështje më shumë në aspektin politik sesa teknik.