Kontributi më i rëndësishëm për Haradinaj është referimi i së Drejtës

Home » Aktualitet » Kontributi më i rëndësishëm për Haradinaj është referimi i së Drejtës

By edi on January 9, 2017. No Comments

Më vjen keq, se ne shqiptarët vazhdojnë e besojnë akoma vetëm tek protestat, turmat, deklaratat dhe euforia për të zgjidhur çështjet tona, të cilat janë të natyrës së mirëfilltë profesionale e si të tilla kanë nevojë për argumente profesionale, studime e konkluzione me baza ligjore që favorizojnë pretendimet tona.

Arrestimi i Ramush Haradinaj është bërë për idiotësi dhe naivitet e këtë e kam thënë këto ditë përmes shkrimeve të mia. 

Megjithatë, tashmë çështja e Haradinaj është një çështje e mirëfilltë juridike dhe zgjidhet në favorin tonë vetëm nëse arrijmë të interpretojmë dhe të komentojmë së drejtën në favorin tonë.

Të gjithë shqiptarët u ngritën në këmbë duke përshirë edhe institucionet tona shtetërore dhe shumë mirë kanë bërë. Kisha dyshimin më të madhe se Haradinaj po rrezikonte të humbiste betejën me drejtësinë për shkak të këshilltarëve dhe juristëve të tij të dobët. 

Pra, isha i bindur se Haradinaj kishte juriste të dobët e në këtë rast bashkëpunimi me studiot më me ze të avokatisë franceze dhe europiane do të ishte hapi i parë i duhur për të fituar betejën juridike. 

Sot, në deklaratën e tij të radhës, i ashtuquajtur avokat i Haradinaj na del duke deklaruar, se ai nuk mund të jetë përfaqësuesi i tij ligjor gjatë seancës, por asistenti i një avokateje franceze. Kjo sipas interpretimit të avokatit të Haradinaj, se ajo zonë e Francës paska një rregull që avokatët duhet të jenë me shtetësi franceze. 

Kjo është një gënjeshtër e madhe. Çdo avokat që ka një diplomë të një vendi europian, shtetësi të një vendi anëtar të BE-së ka të drejtën e ushtrimit të profesionit në të gjitha vendet e BE.  Pra, kuptohet qartë se avokati i Haradinaj nuk ka asnjërën nga këto cilësi që duhet t’i kishte që në fillim. 

Shqipëria ka shumë djem e vajza të talentuar, të shkolluar në Europë që janë avokat, me shtetësi edhe europiane dhe që bashkëpunojnë me studio shumë të njohura të BE. 

Shqipëria bashkë me institucionet e saj si dhe familja Haradinaj duhet të ishin impenjuar për të gjetur një studio me emër e shumë të fortë juridike e avokatie. 

Nëse Shqipëria apo shqiptarët kudo ku janë duan me të vërtetë ta ndihmojnë Haradinaj të fitojë lirinë e merituar, duhet ta ndihmojnë ekonomikisht për të paguar shpenzimet juridike të një mbrojtje super efikase. 

Haradinaj nuk e ndihmojnë protestat në këto momente, nuk e ndihmojnë telegramet, atë e ndihmon dhe e shpëton një avokat i zoti ose një zyrë avokatie me emër në Francë dhe në BE.

Pse, them kështu? Sepse, deri tani është impostuar me aq sa kam ndjekur krejt gabimi mbrojtja e Haradinaj. Ka vetëm një kauzë për të liruar Haradinaj dhe ajo kauzë është se arrestimi dhe mbajtja e tij janë me efekte nulë juridike, Madje, në interpretimet që do të bëj më poshtë është një mbajtje e paligjshme e Haradinaj. 

Këto duhet të jenë argumentet e mbrojtjes së Haradinaj në seancën e parë. 

Për të kuptuar rastin e Haradinaj duhet t’i kthehemi dhe t’i referohemi të Drejtës Ndërkombëtare. 

Konferenca e Kombeve të Bashkuara e zhvilluar në Romë mes 15-17 Qershorit të vitit 1998 ka sjellë të reja të rëndësishme politike e juridike. Në këtë Konferencë është aprovuar Statuti i Romës një hap shumë i rëndësishëm për të Drejtën Penale Ndërkombëtare. 

Neni. 5 i Statutit përcakton kompetencat e Gjykatës për krimet si më poshtë:

a) Gjenocid

b) Krime kundër njerëzimit

c) Krime lufte

d) Krime agresioni.

Të gjithë këta bëjnë pjesë në sferën e quajtur “Krime kundër njerëzimit”.  Miratimi i Statutit të Romës bëri hapa të mëdhenj në ripërcaktimin e krimeve kundër njerëzimit. Kjo u bo sidomos në nenin. 7 të Statutit. Pëmes këtij neni u bë një dallim shumë i madh me të kaluarën, sepse krimet kundër njerëzimit sipas këtij neni mund të bëheshin në çdo kohë, edhe në kohë paqeje dhe jo vetëm në kohë lufte siç e përcaktonte më parë interpretimi i së drejtës. 

Kapacitet e aksionit të Gjykatës Ndërkombëtare ka edhe limite. Ajo nuk ka juridiksion universial mbi të gjitha vendet dhe shtetet ose format shtetërore të organizmit që ka në Botë. 

Gjykata mund të gjykojë vetëm krimet e bëra në vendet që kanë pranuar Statutin e Romës, pra që kanë pranuar sipas sistemeve të tyre juridike Traktatin e Romës.

Ka disa vende në Botë që nuk e kanë pranuar e këto janë: Libia, Irani, Iraku, India, Kina dhe në fund edhe SHBA në kohën e administratës Ë. Bush që u tërhoq nga firmosja e traktatit. 

Ka rast kur shtetet anëtarë ndalojnë gjykimin e qytetarëve të tyre në një Gjykatën Ndërkombëtare, në rast se shteti vetë merr përsipër të bëj hetimet dhe procesin gjyqësor të dyshuarit ose të dyshuarve për krimet e nënvizuara më sipër. Në këtë rast, vendi anëtarë pranon t’i jap Gjykatës Ndërkombëtare vetëm kompetencë plotësuese juridike. 

Kjo është bërë për të inkurajuar shtetet anëtarë të Traktatit të Romës t’i gjykojnë qytetarët e tyre sipas sistemeve të tyre juridike. 

Tani t’i rikthehemi rastit të Haradinaj.  Siç shihet Serbia nuk ka asnjë juridiksion të kërkojë ekstradimin apo gjykimin e Haradinaj nëse akuzohet për krimet e parashikuara nga neni, 5 dhe 7 i Statutit të Romës. 

Në rastin e Haradinaj kemi dy precedentë shumë të rëndësishëm që i garantojnë lirinë. Së pari, Haradinaj e ka fituar dy herë lirinë nga proceset e Gjykatës Ndërkombëtare. 

Së dyti, ashtu siç parashikon edhe Statuti i Romës, ai ka fituar lirinë dhe pafajësinë edhe nga sistemi juridik i Kosovës. 

Pra, Ai nuk mund të rigjykohet përsëri për krimet që ka marrë pafajësi si në nivel të drejtës nacionale të Kosovës e po ashtu edhe në nivelin më të rëndësishëm të Drejtës Ndërkombëtare, ndër të tjera të kodifikuar edhe në Statutin e Romës. 

Unë, ndryshe nga shumica nuk kam zgjedhur protestën për të ndihmuar situatën juridike të Haradinaj, kam zgjedhur të studioj rastin dhe të bëj interpretimin e të Drejtës Ndërkombëtare për çështjen në fjalë. Ky është kontributi më i rëndësishëm që mund të japim për të liruar Haradinaj dhe ftojë të gjithë njohësit e të Drejtës Ndërkombëtare të japin kontributin e tyre. 

 

Nga Alban Daci

Leave a Reply