‘LIBRA’ akuza ndaj PD: Basha kopjon Blushin për votimin online të deputetëve

Postuar: 23/01/2017 – 12:42

Koordinatorja për mediat e partisë “LIBRA”, Matilda Terpollari, ka reaguar, në lidhje me njoftimin e Partisë Demokratike, ku kjo e fundit thoshte se do të aplikojë në parti votimin online për përzgjedhjen e deputetëve. Sipas Tërpollarit, ideja e PD-së i është kopjuar asaj të “LIBRA”-s.

Njoftimi i plotë i partisë “LIBRA”:
Partia Demokratike publikoi kopjen më të fundit që ajo po i bën gjithmonë e më shpesh LIBRA-s. PD na ofroi si një mënyrë të sajën origjinale 10 ditë më pas pikërisht atë proces që LIBRA, ka ofruar në 6 Janar tek anëtarët e saj. LIBRA ka qene e para që propozoi idenë e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet me votim online dhe e para Organizatë që deri më sot nuk ka marrë asnjë vendim që nuk është votuar nga anëtarësia e saj. Deputetët e LIBRA-s do të zgjidhen me votim të hapur publik në anëtarësi dhe kriteri i vetëm që do i skualifikojë është dënimi penal.
LIBRA kërkon të çojë në parlament sa më shumë njerëz të zakonshëm dhe të lirë nga veset e partive të tjera që sot po përpiqen të tregojnë me kopje se kanë ndryshuar. Secili prej anëtarëve tanë mund të jetë deputet. LIBRA mendon se kandidatët e saj të përzgjedhur nga populli, kanë shumë më tepër, se të gjithë ata që shikojmë çdo të Enjte në TV, një parlament me muskuj dhunë dhe injorancë.
Votimin online LIBRA deri tani e ka përdorur për përcaktimin e votës së dy deputëtëve të saj, për buxhetin, si dhe për emrin e forumit rinor. Aktualisht anëtarësia e LIBRA po ofron online ide për programin e partisë.