Ndocaj: Të ndalohet treni “Kosova është Serbi”

15977522_1640914316202784_4301844458625307703_nDeputeti Eduart Ndocaj përmes një statusi në faqen e tij zyrtare të facebook, ka kërkuar që treni me sloganin “Kosova është Serbi”, të ndalohet nga autoritet e Shtetit të Kosovës e të mos lejohet të hyn në territor. Ndocaj, kërkon gjithashtu, që të enjten rend dite në Parlamentin e Shqipërisë të jetë “Arrestimi i Haradinaj” dhe provokimet e vazhdueshme të Serbisë që cenojnë parimin e fqinjësisë së mirë.

Më poshtë është statusi i Ndocaj:

“Në cilësinë e deputetit te Republikës së Shqipërisë, në përputhje me Kushtetutën tonë dhe me vetëdijen e Kombit shqiptar, si diçka e pandarë dhe një e vetme për të gjithë shqiptarët pavarësisht, ku jetojnë, kërkoj që autoritetet e Shtetit të Kosovës të ndalojnë hyrjen e trenit të Serbisë me sloganin “Kosova është Serbi”.
Ky tren, dhuratë e Rusisë, ka për qellim të minojë sovranitetin e Shtetit të Kosovës dhe të vendos seriozisht në rrezik Paqen në Rajon.
Pas arrestimit të Haradinaj, ky është provokimi i dytë dhe më i madh i Serbisë.
Po ashtu, i bëj thirrje Parlamentit të Republikës së Shqipërisë të mbaj një qëndrim të unifikuar dhe të pandarë në lidhje me provokimet e rënda dhe të vazhdueshme të Serbisë që cenojnë rëndë parimin e fqinjësisë së mirë!”