PLATFORMË E KANDIDATIT PËR AVOKAT PUPULLI AVOKAT PROF. ASOC. DR. JORDAN DACI

Home » Aktualitet » PLATFORMË E KANDIDATIT PËR AVOKAT PUPULLI AVOKAT PROF. ASOC. DR. JORDAN DACI

By edi on January 25, 2017. No Comments


PARAQITUR PËRPARA: ​Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit të Shqipërisë.
​​
z. Fatmir XHAFA, Kryetar
​​z. Oerd BYLYKBASHI, Zëvendëskryetar
​​Anëtarëve të tjerë të Komisionit

PËR DIJENI:​​Kryetarit të Kuvendit

​​z. Ilir META

I nderuar z. Kryetar,
I nderuar z. Zëvendëskryetar,
Të nderuar anëtarë,

NË KËTË KUADËR, TË KANDIDIMIT PËR POSTIN E AVOKATIT TË POPULLIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PO JU PARAQES NË VIJIM PLATFORMËN TIME PËR DREJTIMIN E KËTIJ INSTITUCIONI NËSE KJO DETYRË DO TË MË BESOHET NGA KUVENDI I SHQIPËRISË.

PJESA E PARË, PARAQET NË PIKA TË PËRMBLEDHURA ORIENTIMET E PLATFORMËS SË KANDIDATIT PËR INSTITUCIONIN KUSHTETUES TË AVOKATIT TË POPULLIT.

Pjesa e dytë, përmbledh prioritet e platformës nga këndvështrimi i problematikave dhe sfidave aktuale të institucionit të Avokatit të Popullit, duke iu referuar ndër të tjera çështjeve të rëndësishme të mbarëvajtjes institucionale të gjetura në raportet e institucioneve të pavarura vendase dhe ndërkombëtare.

PJESA I
Administrimi, ligjshmëria dhe përgjegjshmëria
1) Brenda një kohe të shkurtër të trajtohen siç duhet dhe të zgjidhen problemet ekzistuese.
2) Do të sigurohet një administrim efektiv dhe efecient te burimeve financiare dhe mbështetëse.
3) Do të sigurohet, zhvillimi i qëndrueshëm i burimeve njerëzore bazuar në kritere strikte profesionalizmi, njohurish dhe përgjegjshmërie duke shmangur maksimalisht burokratizmit dhe problemet e tjera ekzistuese.
4) Do të realizohet testimi i gjithë stafit në përputhje me ligjin dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
5) Do të punohet për punësimin e profesionistëve më të mirë në vend, kryesisht të fushës së drejtësisë, por edhe të fushave të tjera sipas nevojave të institucionit.
6) Zyrat rajonale do të fuqizohen dhe do të organizohen mbi bazë qarku në përputhje edhe me reformën administrative, si dhe me qëllim të lehtësimin e qasjen fizike të qytetarëve. Gjithashtu do të punohet për lehtësimin e qasjes së qytetarët nëpërmjet mënyrave elektronike duke përfshirë edhe përdorimin e programeve mobile.
7) Do të bëhet një analizë e detajuar e nevojave të stafit për kualifikime dhe do të ndërmerren masat e nevojshme që në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera të përmbushen nevojat dhe të rritet cilësia e stafit drejtues dhe zbatues.
8) Do të ngrihet një kabinet funksional i cili do të përqendrohet në punë dhe objektiva me ndikim të prekshëm tek përmbushja e mandatit të AP.
9) Do të sigurohet qëndrueshmëria dhe zhvillimi i qëndrueshëm i stafit. Kjo nënkupton midis të tjerash edhe zbatimin e të gjithë rekomandimeve të KLSH dhe vendosjes së çdo personi në vendin e duhur të punës në përputhje me kërkesat e vendit përkatës.

Rritja e cilësisë dhe përmbushja e plotë e detyrave
1) Vëmendja e AP do të përqendrohet në një plan kohor 5 vjeçar, ku vëmendjen e menjëhershme do të marrin problemet më aktuale dhe më serioze. Gjithsesi, kjo gjë nuk do të lejojë që AP të përqendrohet vetëm në disa grup çështjesh.
2) Një vëmendje të posaçme do të marrin të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore krahas atyre Civile e Politike.
3) Kontribut të vazhdueshëm në nisma ligjore me ndikim të përgjithshëm tek të drejtat e njeriut përmes kontributeve me ekspertizë të nivelit lartë si mënyra më e mirë për të nxitur respektimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
4) Në të ardhmen hetimi ‘ex officio’ do të jetë pjesë e vizionit dhe platformës strategjike të institucionit, duke e përdorur atë dhe punën e përgjithshme për një mbrojtje me efekt të përgjithshëm. Do të synohet rritja e numrit të çështjeve që shqyrtohen me iniciativën e AP. Kjo do të bëhet së pari nëpërmjet ngritjes së një sistemi njoftimi dhe informimi mbi problemet që do të dalin, si dhe nëpërmjet vendosjes së bashkëpunimit me partnerët e tjerë.
5) Në zbatim edhe të Rekomandimeve të Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës të vitit 2010, AP do të përmirësojë edhe mbledhjen e të dhënave të ankuesve në mënyrë që të jetë në gjendje të nxjerrë në pah rastet e diskriminimit.
6) Do të punohet për fuqizimin e MKPT-së dhe rritjes së standardeve të angazhimit të Avokatit të Popullit në këtë fushë. Garantimi i një organike të konsoliduar për MKPT dhe ndërtimi i një platforme strategjike dhe koherente për funksionimin e këtij mekanizmi institucional. Referuar AP dhe njësisë MKPT, rëndësi të posaçme do të ketë edhe roli më aktiv dhe efektiv i AP për të shfrytëzuar bashkëpunimin bilateral me AP të rajonit për të drejtat e nënshtetasve shqiptarë që vuajnë dënime në institucionet e këtyre vendeve. Do të forcohet dhe sigurohet efikasitet maksimal i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës etj. Një vëmendje të veçantë do të marrin IEVP dhe komisariatet e policisë për të parandaluar dhe dënuar çdo dhunë apo trajtim çnjerëzor, poshtërues apo torturë që mund të bëhet në këto institucione. Do të rritet numri i inspektimeve në këto institucione dhe do të shfrytëzohen të gjitha hapësirat ligjore për të kryer hetime cilësore dhe të efektshme.
7) Do të sigurohet cilësi në trajtimin e ankesave nëpërmjet individualizimit sa më të mirë të ligjit në raport me rrethanat, nëpërmjet përdorimit të referencave shkencore dhe ligjore më cilësore si ato të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut etj.
8) Në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe vendore, do të punohet për krijimin e një këndi informimi dhe ankesash për AP pranë këtyre institucioneve.
9) Do të ushtrohen të gjitha kompetencat e AP me gjithë autoritetin që i jep ligji duke i ftuar dhe parë institucionet si partner në zbatimin e tij. Duke përfshirë përdorimin me efikasitet dhe me cilësi të së drejtës për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, por edhe vendosjes së një bashkëpunimi me pushtetin gjyqësor në lidhje me ankesat që u drejtohen administratës së gjyqësorit, si dhe me dhomën e përmbaruesve në lidhje me ankesat gjatë procesit të ekzekutimit.
10) Avokati i Popullit do të përfshihet si ‘Amicus Curiae’ në procedurat e ndryshme administrative dhe gjyqësore (as sa e lejon statusi i tij ligjor dhe pa cenuar pavarësinë e gjyqësorit) sidomos në kuadër të ndërgjyqësisë strategjike (strategic litigations) apo edhe formave të tjera të padive kolektive (ose siç njihen në SHBA etj, class actions).
11) Do të punohet fortë për rritjen dhe lehtësimin e qasjes së qytetarëve në shërbimet e AP dhe platformave elektronike mobile nëpërmjet telefonave celular etj.
12) Do të punohet për rritjen e financimit nga donatorët e jashtëm nëpërmjet sigurimit të projekteve cilësore dhe stafit profesional për zbatimin e rregullt dhe efikas të tyre, si dhe sigurimit të përgjegjshmërisë së përhershme në zbatimin e tyre.
13) AP jo vetëm që do të shfrytëzoj 100% kapacitetet aktuale, por do të mundohet që në bashkëpunim me Kuvendin, Administratën dhe partnerët e tjerë të rrisë dukshëm kapacitetet e tij.
14) Do të hartohet strategjia e riskut.

Bashkëpunimi me administratën, shoqërinë civile dhe AP e huaj
1) Do të rivendoset komunikimi i vazhdueshëm e tepër transparent me Kuvendin.
2) Do të punohet për forcimin e frymës së lidershipit të institucionit duke vendosur raporte komunikimi dhe ndërveprimi të qëndrueshëm me institucionet e administratës me qëllim ndërgjegjësimin e saj me nevojën dhe rëndësinë e respektimit të rekomandimeve të AP. Kjo do të realizohet midis të tjerash duke e parë këtë çështje, jo si përplasje institucionale, por si një sfidë e përbashkët e gjithë institucioneve dhe vetë shoqërisë tonë.
3) Institucioni do të forcojë dhe zgjerojë bashkëpunimin me shoqërinë civile bazua në gjithë përfshirjen e saj dhe partneritet të qëndrueshëm mbi bazën e meritave dhe ndikimit sa më të gjerë në publik. Kjo nënkupton midis të tjerash rishikimin e strukturës dhe mekanizmit aktual të përfaqësimit formal të shoqërisë civile tek AP.
4) Do të ndërtohet një bashkëpunim i përhershëm me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve duke synuar informimin në kohë reale, por edhe fusha të ndryshme ndërgjegjësimi dhe trajnimi për punonjësit e policisë dhe Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP).
5) Do të forcohet bashkëpunimi me AP të vendeve të tjera, sidomos të atyre vendeve ku qëndrojnë dhe jetojnë shtetas shqiptarë duke mos mbetur vetëm në një nivel formal dhe për imazh, por për të garantuar rezultate konkrete në raport me mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshëm të shqiptarëve në këto vende.
6) Do të vendosë një bashkëpunim të përhershëm dhe efikas me KLSH dhe ILKPD dhe të gjithë institucionet e tjera në RSH.

Rritja e besimit dhe përfshirjes së publikut, ndërgjegjësimi dhe transparenca
1) Institucioni duhet të rivendosë besimin tek publiku, por edhe tek institucionet. Ai është oponent për mirëqeverisje, por nuk është opozitë ndaj institucioneve. Duhet t’i jepet fund protagonizmit në favor të rezultateve konkrete dhe pozitive.
2) Do të organizohen aktivitete konsultuese dhe informuese me publikun e gjerë dhe shoqërinë civile para botimit dhe pas botimit të raporteve të AP. Në këtë kuadër do të ndërmerret një fushatë ndërgjegjësimi me qëllim njohjen e publikut me rolin institucional dhe mundësitë që ofron AP për trajtimin e ankesave të tyre. Kjo fushatë ndërmerret në kushtet kur provohet se rreth 60 % e ankesave të paraqitura nuk i përkasin juridiksionit dhe kompetencave të AP, çfarë tregon një ndërgjegjësim tepër të ulët të publikut për rolin dhe pozitën institucionale të AP.
3) Nuk do të ketë agjendë personale, por institucionale.
4) Do të ripërcaktohet marrëdhënia me median e cila duhet të përdoret më së shumti si instrument për forcimin e vetëdijesimit të shoqërisë për rëndësinë që ka respektimi, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut për një shoqëri demokratike.
5) Në të ardhmen do sigurohet që publikimet e institucionit të mos mbeten thjesht në raftet e institucionit, por do të shërbejnë si dokumente të rëndësishëm reference për institucione të legjislativit dhe ekzekutivit. Kjo nënkupton domosdoshmërish rritjen e cilësisë së botimeve. Do të realizohet botimi i raporteve të AP menjëherë pas paraqitjes së tyre.
6) Do të realizohet edhe përmirësimi i platformës online dhe krijimi i një programi për SmartPhone për depozitimin e ankesave/kërkesave dhe ndërveprimin e institucionit me qytetarët.
7) AP do të jetë më i pranishëm në institucionet e arsimit të lartë nëpërmjet mediumeve dhe aktiviteteve të tjera që mund të marr pjesë apo mund të organizohen bashkërisht.
8) Në përputhje edhe me rekomandimet e Këshillit të Evropës etj, AP në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Konferencën e Rektorëve do të punojë që Lënda e të Drejtave të Njeriut të jetë lëndë e detyrueshme në çdo program studimi bachelor duke iu përshtatur profilit të studimeve.
9) Do të ketë transparencë të plotë të deklaratave të konfliktit të interesave të stafit dhe të AP krahas ILKDP edhe në faqen e AP.
10) AP duhet të shndërrohet në një institucion model dhe pikë reference për administratën në RSH e më gjerë.

PJESA II

Gjendja e tanishme e Institucionit të Avokatit të Popullit

1. Orientimi i gabuar institucional ka ulur besimin e publikut tek AP dhe në publik ky institucion shikohet më shumë si OJQ sesa si institucion Kushtetues. Ndërkohë, për ironi, raporte të pavarura tregojnë mungesën e një bashkëpunimi serioz, të vërtetë dhe gjithëpërfshirës me shoqërinë civile.

2. AP ka dështuar për të prodhuar rekomandime të mirëarsyetuara dhe për të vendosur bashkëpunim dhe bashkërendim institucional me Administratën. Kjo ka çuar në një refuzim të madh të rekomandimeve të tij. AP nuk ka zbatuar një strategji të duhur përsa i përket dhënies së rekomandimeve më efekt të gjerë apo siç njihet ndryshe rekomandime strategjike dhe ka përdorur fare pak hetimin me iniciativë të tij.

3. AP ka përqendruar punën e tij më shumë tek imazhi sesa tek përmbajtja. AP ka dështuar në të qeniet referencë kombëtare për shumë aspekte. AP ka mbajtur më së shumti një profil aktiv në PR, por jo domosdoshmërish në ndërgjegjësim efektiv për të drejtat e njeriut dhe për rolin e tij.

4. AP ka dështuar në krijimin e raporteve të qëndrueshme me Parlamentin si një partner me rëndësi në sistemin e institucioneve kushtetuese, si edhe me radhën e institucioneve qeverisëse. Nuk ka raportuar asnjëherë në Kuvend sikurse e kërkon ligji.

5. AP ose nuk ka ushtruar ose ka ushtruar fare pak të drejtën e tij për të propozuar iniciativa ligjvënëse apo për t’i Kuvendit rekomandime të tilla. Ndërkohë që Avokati i Popullit i mëparshëm z. Dobjani e ka ushtruar 130 herë këtë kompetencë.

6. Sipas raporteve pavarura ndërkombëtare dhe atë të KLSH për vitin 2015, ekzistojnë probleme me plotësimin e stafit, cilësinë e tij dhe miradministrimin e burimeve njerëzore. Probleme ka edhe me Zyrat Rajonale të cilat janë jo në nivelin e duhur dhe me stafin e duhur.

7. AP ka dështuar në ushtrimin siç duhet të një seri kompetencash të tjera dhe nuk ka pasur rezultat të prekshëm dhe të qenësishëm në raport me Mekanizmin Kombëtar të Parandalimit të Torturës etj.

8. Institucioni vuan nga mungesa e transparencës në tërësi dhe sidomos në lidhje me projektet me organizma të huaj. Është e rëndësishme të trajtohet me seriozitet maksimal çështja e miradministrimit dhe transparencës për fondet e donatorëve dhe konkretisht të Projektit Danez.

9. Raporti i KLSH i vitit 2015 ka gjetur një seri parregullsish dhe shkeljes në institucionin e AP, të cilat përfshinë nga keqadministrimin e stafi që ka sjellë pasoja financiare të qenësishme dhe pamundësi ushtrimi siç duhet të detyrave, në shkelje financiare e ligjore të cilat janë serioze dhe cënojnë rëndë integritetin dhe ligjshmërinë e këtij institucioni, shkelje të legjislacionit të prokurimit publik, mungesës së një strategjie risku etj. Trajtimi i këtyre çështjeve merr rëndësi të dorës së parë.

10. Sipas Raportit të Transparency International “Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit të Shqipërisë 2016” (National Integrity System Assessment Albania 2016) rezulton se AP shfrytëzon vetëm 50 % të kapaciteteve që ai disponon sot. Ka shkallë të ulët të integriteti, pavarësie dhe përgjegjshmërie në masën minus 25 %. Ka një qasje tepër burokratike dhe ekziston fenomeni i nepotizmit etj.

-FUND-

ME KONSIDERATA TË VEÇANTA,

KANDIDATI
AVOKAT PROF. ASOC. DR. JORDAN DACI

Leave a Reply