Eduart Ndocaj: Mbledhja nesër e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është vetëm iniciativë politike

Home » Aktualitet » Eduart Ndocaj: Mbledhja nesër e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është vetëm iniciativë politike

By edi on February 1, 2017. No Comments

Historia e këtyre 25 viteve të tranzicionit është e mbushur me plotë ngjarje të cilët kanë cenuar thellë Sigurinë Kombëtare, por thuajse rrallë herë është thirrur Këshilli Kombëtar edhe pse sipas Kushtetutës duhet të mblidhej.
Tani ka një problem në lidhje me këtë mbledhjen nesër të Sigurisë Kombëtare.
Së pari duhet të na shpjegojnë mirë se çfarë kuptojmë me Siguri Kombëtare?
Së dyti, a është Balili rast i Sigurisë Kombëtare?
Së treti, pse kjo kërkesë duhet të vij nga Kryetari i Parlamentit?
Tani, unë si deputet, por edhe çdo qytetarë i periferisë së Shqipëri, rastin e Balilit nuk e Konsiderojmë Çështje e Sigurisë Kombëtare, por çështje të rendit që lidhet me një person që është në kërkim. Sipas kushtetutës, për këto raste ka institucione konkrete që merren e këto janë Ministri i Brendshëm, Policia e Shteti dhe agjenci të tjera të ruajtjes së rendit dhe sigurisë.
Deri më sot nuk kemi një reagim nga Policia e Shtetit apo Ministria e Brendshme se nuk janë në gjendje të arrestojnë Balilin. Nëse Ministri Tahiri do të kërkonte ndihmën e institucioneve të tjera dhe mbledhjen e Sigurisë Kombëtare, atëherë duhet që kërkesa e tij të shqyrtohej seriozisht nga Presidenti i Republikës.
Kryetari i Parlamentit nuk ka asnjë lloj lidhje më çështjen e Sigurisë Kombëtar si koncept e po ashtu nuk ka asnjë lloj lidhje me Rendin. Në këtë këndvështrim, kërkesa e bërë nga ai është një tejkalim kompetencash dhe një tendencë e hapur për të prishur ekuilibrin mes pushteteve dhe pavarësinë e tyre.
Për të gjithë ata që nuk e dinë se kush janë kompetencat e Kryetarit të Kuvendit mund t’i referohen nenit 76 të Kushtetutës dhe pikës 1 sipas të cilit: Kryetari kryeson debatin, drejton punimet, siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe të anëtarëve të tij, si dhe përfaqëson Kuvendin në marrëdhëniet me të tjerët. Pra, Kryetari i Kuvendit nuk ka asnjë lloj lidhje me Sigurinë Kombëtare dhe me Rendin. Nëse Meta e mendonte si problem serioz për rendin dhe sigurinë rastin Balili, ai ka të gjitha kompetencat që i ofron Kushtetuta duke kërkuar një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në lidhje me rastin në fjalë.
Tani nëse duhet të dimë pse rasti Balili nuk është për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duhet të shpjegojmë për të kuptuar çfarë është koncepti i sigurisë Kombëtare?
Studiuesi Lippman, thoshte se një shtet është i sigurt në momentin kur nuk është i detyruar të mos sakrifikojë vlerat thelbësore, për të evituar një konflikt, ose nëse nuk arrin ta evitojë, duhet patjetër ta fitojë.
Një studiues tjetër i rëndësishëm që ka vazhduar me tej shtjellimin e konceptit të Sigurisë Kombëtare mbi këtë linjë të menduari është studiuesi Arnold Wolfers që shpjegon se vlerat thelbësore janë: mbrojtja e pavarësisë së integriteti territorial. Tani nuk e di se ku bën pjesë rasti i arratisë dhe i arrestimit të Balilit në lidhje me konceptin e Sigurisë Kombëtare.
Në Shqipëri ndodhi Gërdeci dhe nuk u mblodh Siguria Kombëtare, që ishte një ngjarje e mirëfilltë e sigurisë kombëtare, se pati të vrarë në popullatën e pafajshme, pati dridhje e panik e po ashtu nuk kishte garanci se çfarë pasojat të tjerat mund të ndodhnin në Gërdec dhe për rreth.
U vranë në 21 janar katër qytetarë e përsëri nuk u thirr Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Është vjedhur thesari ne “gomar” dhe nuk i thirr dhe nuk u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Një gomone e mbushur kryesisht me dibranë sot e asaj ditë është zhdukur dhe nuk u thirr dhe nuk mblodh kurrë Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Ishte rasti i vjedhjes kolosale të Bankës Kombëtare nga Fullani dhe nuk u thirr dhe nuk u mblodh kurrë Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
U kërcënova unë dhe bëri thirrje “Kushëriri” im Kadeli të mblidhej Këshilli i Sigurisë Kombëtare e Këshilltari i Metës kërkoj edhe mbledhjen e NATO-s e nuk ndodhi. Po pse vallë atëherë mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare nesër e pikërisht është kërkuar nga Meta që nuk e ka kompetencë kushtetuese?
Mbledhja e Këshillit Kombëtare nesër në këndvështrimit tim jo vetëm që është antikushtetuese, por është politike e madje edhe më rëndë, përdorimi i Presidentit të Republikës nga Partitë Politike e në rastin konkret nga LSI e PD.
Përplasja e fundit e LSI me PS, apo e Metës me Ramën ishte pikërisht për rastin Balili. Rama kërkon të mos mbaj asnjë përgjegjësi për Balilin, edhe pse ai ishte drejtor nga radhët e LSI. Megjithatë, ashtu siç tha Kryeministri sonte, nuk ka rëndësi se ku ka qenë më parë Balili dhe çfarë ka bërë ai. Rëndësi ka që në këtë situatën e re të krijuar për të, kur ai është tashmë një person në kërkim, institucionet shtetërore duhet të bashkëpunojnë pa kompromis për të zbatuar ligjin e vetëm ligjin.
Forcat e Policisë kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për të bërë detyrat e tyre kushtetuese dhe jo vetëm. Forcat e Policisë nuk kanë dështuar në misionin e tyre dhe nuk kanë kërkuar ndihmën e agjencive të tjera, apo edhe mbledhjen e thirrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Le ta lemë Policinë e Shtetit të bëj detyrën.

Nga Eduart Ndocaj, deputet

Leave a Reply