Pse nuk jam me këtë protestë?

Home » Aktualitet » Pse nuk jam me këtë protestë?

By edi on February 20, 2017. No Comments

Gjithmonë kam besuar dhe jam i bindur që shqiptarët duhet të protestojnë  e sigurisht në një vend si yni në tranzicion ka plotë arsye për të protestuar. Shqiptarët duhet të protestojnë për rritjen e rrogave, për dritat, mbiafuturimin, punësimin, infrastrukturën, kundër çdo forme korrupsioni apo për  të drejtën për arsim.

Për fat të keq në këto 20 vite tranzicioni shqiptarët nuk kanë protestuar asnjëherë për këto që lidhen me të drejtat e tyre, për standardet e jetesës apo për mundësitë e jetës, por gjithmonë kanë protestuar për pushtetin e politikanëve, karriket e tyre dhe interesat e tyre.

Protesta e organizuar para Kryeministrisë bashkë me atë çadrën luksoze do të mbetet gjatë mend si protesta e turpit dhe protesta për pushtetin e disa politikanëve që për shkak të gabimeve të tyre po përjetojnë perëndimin e kohës të angazhimit politik.

Protesta e sotme nën çadër për shkak të formatit, protagonistëve dhe imazheve që po prodhon pasqyron një pamje të turpshme dhe të trishtueshme të Opozitës. Brenda asaj çadre janë persona që nuk kalojnë testin e dekriminalizimit e as testin e dekriminalizimit. Në atë çadër ka persona që kanë rrënuar sistemin e drejtësisë, persona që kanë vjedhur e kanë e kanë rrënuar familjet shqiptare, politikanë që kanë manipuluar për vite me radhë zgjedhjet, që kanë përdorur dhunën kundër institucioneve të shtetit e po ashtu kanë monopolizuar demokracinë e vendit.

Procesi i reformës në drejtësi, vettingu, ONM-ja dhe shumë institucione të tjera të reja me kompetenca kushtetuese do i vendosin para drejtësi këta dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tyre që shiten, rrënuan dhe shkatërruan pasuritë kombëtare të vendit. Dita e drejtësisë për ta nuk do të jetë e largët. Në këto rrethana ata po manipulojnë qytetarët po i përdorin me shpresën se do i shpëtojnë drejtësisë. Qytetarët nuk duhet të manipulohet dhe duhet ta refuzojnë përdorimin e tyre! Boll më! Duhet të marrin fund 20 vite keqpërdorim! Në atë çadër mes të tjerëve që po refuzojë tu përmend emrin është edhe Fatmir Mehdiu që ka guximin dhe të dal në protestë! A ka moral më kjo protestë!

Pretendimet e Opozitës në këtë protestë nuk kanë shpjegim sociologjik, politologjik dhe as kushtetues. Këta kërkojnë Qeveri Teknike! Përse? Në Kushtetutën tonë edhe të modifikuar është shkruar qartë se çfarë ndodhe me rënien e një qeverie dhe krijimin e një qeverie teknike! Zakonisht qeveria teknike vjen për shkak të një krizë të rëndë kombëtare dhe të shumicës. Pra, rrugët kushtetuese për të rrëzuar Ramën janë vetëm ato parlamentare, sepse jemi në një kohë normaleje paqeje. Konkretisht është procedura e emocionit të mosbesimit i parashikuar konkretisht nga neni 105 i Kushtetutës (ndryshuar me ligjin nr. 9904, datë 21.04.2008). Pikërisht pika një e këtij neni nënvizon: “Një e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesin për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një Kryeministër të ri.” Ndërsa pika dy e po këtij neni nënvizon: “Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri.”

Kërkesa e kësaj Opozitë për një qeveri teknike dhe për largimin e këtij Kryeministri është kërkësa më absurde dhe e mirëfilltë politike që mund të jetë bërë ndonjëherë. Shumica aktuale nuk ka asnjë lloj krize numrash apo vendim për të prishur koalicionin. Opozita aktuale është aq shumë e papërfillur në numra që nuk mund të marr asnjë iniciativë kushtetuese për të larguar Kryeministrin aktual dhe për të kërkuar një kryeministër të ri apo një qeveri teknike. Në politologji minoranca duhet të respektohet derisa të bëhet shumica, por minoranca nuk mund të bëj kërkesa deligjitime që cenojnë të drejtën e shumicës për të qeverisur.

Kërkesa e Opozitës (e minimumit jetik) për të larguar Kryeministrit aktual dhe për të krijuar një qeveri teknike lidhet me argumentin e realizimit të zgjedhjeve të lira. Kjo kërkesë sa  idiotekse është edhe naive. Së pari, politikisht përgjegjësia do të ishte më e madhe nëse do të lejohej që në zgjedhje të hyhej me Ramën Kryeministër dhe nëse zgjedhjet nuk do të bëhen sipas standardeve të kërkuara, atëherë barra do të binte vetëm mbi Ramën dhe ky i fundit do të largohej njëherë e përgjithmonë nga jeta politika, sepse do të ishte një Kryeministër i deligjitimuar nga vota e lirë dhe ndërkombëtarët do e vendosnin me shpatulla për muri.

Megjithatë, të marrim si argument edhe anën banale të kërkesës së Opozitës, se zgjedhjet e lira mund t’i pengojë Rama nëse ai vazhdon të jetë Kryeministër edhe në zgjedhje. Ky është një mashtrim dhe një manipulim i rëndomtë që u bëhet qytetarëve. Partia Socialistë është shumicë në KQZ dhe në shumë institucione të rëndësishme dhe largimin i Ramës nuk i heq mundësinë PS-së për të manipuluar zgjedhjet. Pra, largimi i Ramës është një kërkesë e vetme politike dhe një frikë e madhe për Opozitën në termat politikë e nuk ka lidhje konkrete me zgjedhjet dhe standardet e tyre.

Rama ka vendosur me të gjithë të drejtat legjitime politike e kushtetuese të rikandidoj për një mandat të dytë. Kjo tregon se Rama nuk ka qëllime të largohet nga përgjegjësitë e tij politike e nuk ka frikë të ballafaqohet me virdiktin e qytetarëve. Pse ka frikë për këtë kryetari i Opozitës? Sepse, ai nuk vjen nga histori suksesi në qeverisje lokale dhe qendrore. Ai kërkon ta mund kundërshtarin e tij jo përmes votës së lirë, por përmes manipulimit e trukimit të mendjes së qytetarëve.

Argumenti tjetër i Opozitës është në lidhje me praninë e kriminelëve në politikë. Së pari, duhet të jenë të qartë qytetarët se politika është e inkriminuara nga të gjitha anët. Po ashtu Parlamenti me shumicën e 140 deputetëve kanë votuar pro dekriminalizimit. Me hyrjen ne fuqi të  dekriminalizimit dhe me angazhimin e vazhdueshëm të ndërkombëtarëve, asnjë ish i inkriminuar me probleme që kanë me drejtësinë nuk mund të jenë më pjesë e asnjë subjekti politik e nuk mund të bëhen pjesë e asnjë listë për deputetë të asnjë subjekti politik. Pra, Opozita kërkon t’i mashtrojë qytetarë në lidhje me largimin të inkriminuarve. Atë, nuk i largon dhe nuk i afron më asnjë subjekt politik, sepse është vetë procedura ligjore që i përjashton ata nga çdo garë.

Në çadrën e protestës kanë marrë pjesë edhe disa gazetarë që kërkojnë ta bëjnë një reagim qytetar dhe detyrë civile. Çfarë është kjo? Çdo qytetarë ka të drejtë të marr pjesë në çdo lloj forme proteste. Po ashtu edhe gazetarët kanë të drejtë të merren dhe të angazhohen në politik. Zakonisht mundësia më e mirë për të hyrë në politikë është të kalosh nga Opozita, sepse ajo ka nevojë për këdo. Këto gazetarë kanë vendosur të bëjnë politikë dhe të angazhohen në politikë dhe kjo është një drejtë e tyre, por ata duhet të kenë kurajën që të mos quhet më gazetarë. Kjo protestë nuk është një protestë që i shërben demokracisë, që u shërben interesave të qytetarëve, të standardeve të tyre të jetës apo të perspektivës evropiane. Kjo është një protestë që i shërben vetëm një klani që ka nevojë me çdo kusht për marrjen e pushteti si një garanci imunitare për tu mos u përballur me drejtësinë. Prandaj, unë nuk jam me këtë protestë, por jam për drejtësinë dhe ajo duhet të jetë për të gjithë.

Nga Alban Daci

Leave a Reply