Berisha, pasion për të përbaltosur të vërtetat me dhunë verbale ndaj zonjave

Home » Aktualitet » Berisha, pasion për të përbaltosur të vërtetat me dhunë verbale ndaj zonjave

By edi on March 18, 2017. No Comments

 

Këto ditë është hapur një debat për ngjarjet e vitit ’97. nuk është rastësi që ky debat hapet gjithmonë sa herë janë në prag zgjedhjet elektorale. Realisht ngjarjet e rënda të vitit ’97 kanë mbetur vetëm në retorikën politike dhe nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Të gjitha ngjarjet e vitit ’97 janë mbyllur me larje hesapesh mes bandave apo edhe me burgosje të përjetshme të drejtuesve të tyre, por deri me sot nuk kemi asnjë përgjegjës politik apo institucionale në lidhje me ato ngjarje. Do të ishte e nevojshme dhe përgjegjësi ligjore dhe institucionale që dikush, sot, të merrte kurajën e të niste të zbardhte të vërtetën e atyre ngjarjeve që morën jetë njerëzish të pafajshëm dhe cenuan në themel edhe duke e rrezikuar seriozisht sovranitetin e vendit.

Ngjarje e cila ishte e rëndë, me viktima dhe  po ashtu që tronditi në themele imazhin e vendit duke vënë përsëri në diskutim sovranitetin ishte padyshim edhe “Gërdeci”, por edhe me këtë ngjarje ashtu si edhe për ato të ’97 nuk kemi përgjegjësi politike e institucionale dhe ajo që është edhe më e turpshme është fakti, se disa prej tyre kanë gjetur guximin të hyjnë në çadër e të bëjnë beteja për termat si: “demokracia”, “zgjedhje te lira” e rotacion pushteti.

Ngjarjet e ’97 dhe “Gërdecit”, kanë të përbashkët dhunimin e institucionit të Ministrisë së Mbrojtjes, cënimin e sovranitetit  dhe po ashtu dhunimin deri në ofeze të misionit të vërtetë të Ushtrisë Shqiptare. Nuk janë rastësi që këto çështje vitale të Shtetit cenohen herë pas herë. Qëllimi i këtyre ngjarjeve ka qenë dhe vazhdon të jetë cenimi i sovranitetit të vendit për qëllimet e fqinjëve, të cilët kanë përdorur si mashë politikanët dhe drejtuesit e institucioneve në periudha të ndryshme kohore.

Deri më sot, asnjë Ministër Mbrojtje duke përjashtuar  Ministren Kodheli nuk kanë pasur guximin të sjellin në memorien e qytetareve dhe të publikut ato ngjarje. Ndoshta dhe me siguri kjo lidhet edhe me masën e tyre të implikimit në ato momente historike!

Këtë rregull heshtje këto dite me guxim dhe me qëllim të mirëfilltë më shumë për të mbrojtur dinjitetin e institucionit dhe të Ushtrisë e ka bërë Ministrja Kodheli që ka folur qartë për ’97 dhe për “Gërdecin”. Ja çfarë shkruan ajo në reagimin e saj: ““Marsi i vitit 1997 shkërmoqi plotësisht strukturat tona ushtarake, sipas një skenari të qartë dashakeqës për të mbrojtur me çdo kusht pushtetin e ndonjë individi, i cili urdhëroi makabritete që asnjë udhëheqës europian nuk ia ka bërë vendit të tij.E prapë, në marsin e vitit 2008, po e njëjta klikë hodhi në erë një fshat të tërë, duke shkaktuar 26 të vdekur, nga babëzia për të përfituar nga arsenali ushtarak. I kemi sot mes nesh, të angazhuar që të pengojnë reformën në drejtësi”.

Zonja Kodheli pa përdorur emër e mbiemër thotë, se ata që shkërmoqen strukturat ushtarake në ’97, që hodhën në erë fshatin Gërdec në 2008, janë përsëri mes nesh duke tentuar të pengojnë reformën në drejtësi. Ajo nuk përmend asnjë emër duke e lënë çështjen e emrave në dorën e qytetareve, të cilët kanë  informacione të mjaftueshme për të gjetur dhe për t’i vlerësuar. Siç shihet qartë nga reagimi i ministres, nuk ka ofeza personale apo përbaltosje personale kundër askujt, por ajo flet parimisht duke mbrojtur me krenari institucionin që drejton bashkë me transformimet që kanë ndodhur.

I vetmi reagim që vjen është nga Sali Berisha, ish President Republike dhe ish Kryeministër. Fjalori që përdor ai kundër një gruaje, një nëne dhe një ministreje nuk janë të denja për një lider dhe për një malësor. Ka diçka pozitive në reagimin e Berishës, sepse ati nuk përmendet emri, por është vetë ai që reagon duke e përligj veten drejtpërdrejtë. Është hera e parë që Berisha pranon përfshirje ose edhe diçka më shumë, fajësi për ngjarjet që ka reaguar ministrja. Berisha e vazhdon reagimin e tij me dhunën verbale kundër ministres duke përdorur fjalorin që ka përdorur Ministri i Mbrojtjes së Greqisë.

Kush është filozofia në këtë rast? Ka dy filozofi:

1. Ministri i Greqisë akuzat dhe ofezat kundër Kodhelit i paska marrë nga ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe kjo duhet të na shqetësojë;

2. Ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë flet me gjuhën e Ministrit Greke e kjo duhet të na alarmojë.

Nuk e kam besuar kurrë se Kodheli ka qenë “striptiste” nq Greqi dhe ky është një sulm i ulët dhe një akuzë e turpshme dhe kjo mbetet arma e fundit për të goditur dike për të cilin  nuk gjejnë argumente apo prova që lidhen me institucionin që drejton ajo nga 2013.

Megjithatë, edhe sikur akuzat të ishin të vërteta, përderisa kanë dalë nga goja e Greqisë, ata nuk duhet të jenë argumente ose supozime për luftën e brendshme politike të Shqipërisë.

Nëse lexojmë reagimin e Kodhelit dhe të Berishës ka dy këndvështrime të ndryshme, Kodheli reagon parimisht për ngjarjet dhe për institucionin pa përdorur asnjë emër e ndërsa Berisha fillim e mbarim nuk mohon asnjë fjalë të reagimit të Kodhelit, por e fillon dhe e mbaron me ofendime e përbaltosje personale e për më tepër kundër një femre, nëne e një Ministre.

Fjalori që përdor Berisha është aq shume fyes sa as nuk mund t’i referohemi.

Duhet të kemi parasysh, se Ministri Greke e ka të justifikuar të sulmoje Ministren tonë edhe me fjalë të rënda, sepse jemi në Luftë të Ftohtë me Greqinë, por sinqerisht është e papranueshme dhe e ulët që Berisha të përdor një fjalorë të tillë për një nënë që tashme ka edhe djalin të rritur e të bërë burrë. Nuk është e hijshme për një malësor dhe për një ish President Republike përdorimi i një përbalostje të tillë që kalon cakun e retorikave politike të pranueshme.

Megjithatë, sulmet e Berishës nuk janë të rastësishme, sepse tashmë Kodheli është një kandidaturë e fortë për Presidente Republike. Berisha ndoshta e konsideron rivale për nostalgjinë e tij të vjetër, ose ndoshta për kurajën e tij të re për ta rimarr përsëri këtë institucion. Një gjë është e sigurt, se debati Berisha-Kodheli është mes një ish Presidenti dhe mes një Presidente te ardhshme.

Nga Alban Daci

Leave a Reply