Xhafa dhe propaganda antikomuniste

Home » Aktualitet » Xhafa dhe propaganda antikomuniste

By edi on March 17, 2017. No Comments

Kam ndjekur me neveri sulmet e turpshme dhe jo realiste që po bëhen kundër Fatmi Xhafës. E dini pse bëhen këto sulme? Këto sulme nuk bëhen kundër Xhafës si qytetar apo si person, por kundër Xhafës që tashmë është bërë Ministër. Këto sulme të turpshme, të shtirura dhe me elementë të fortë propagande do të bëhesh kundrejt çdo personi që do të emërohej ministër.

Nëse do të bëhej ministër edhe një i shenjtë, do të shpiknin diçka, do të përbaltosnin diçka për ta sulmuar.

Nuk mund të jem dakord me Xhafën se si e ka administrua procesin dhe situatën e avokatit të popullit. Nuk mund të jem dakord me Xhafën për disa detaje të Vettingut apo reformën, por askush nuk mund të vendos në dyshim profesionalizmin e tij si dhe kulturën dhe respektin që ka ai për institucionet.

Të gjitha akuzat që po bëhen në mënyrë të dëshpëruar nga Opozita në lidhje me faktin se ai na paska qenë xhelat i komunizmit, që paska masakruar e torturuan persona, për sa kohë dalin vetëm nga politika e sidomos nga Opozita janë vetëm legjenda urbane. Nëse dikush ka pretendime konkrete në lidhje me aktivitetin e  mëparshëm të Xhafës, si jurist apo si hetues të shkojnë në prokurori e ta denoncojnë. Përsa kohë nuk ka asnjë denoncim me emër e mbiemër për mua janë vetëm legjenda urbane.

Xhafa po paragjykohet akoma pa e marrë detyrën e tij e kjo bëhet në kuadrin e kulturës së Opozitës për të përbaltosur e sulmuar çdo ministër pavarësisht cilësive të tij të qeverisjes. Kjo nuk më ka pëlqyer e nuk do të më pëlqejë kurrë që në Shqipëri çdo gjë përbaltoset, politizohet e vendos në shërbim të politikës.

Unë, jam bir i një familje të persekutuarish dhe me thënë të drejtën më shumë luftën klasash me kanë bërë ata të ashtuquajturit “demokratët” e tranzicionit se komunistët e Regjimit, të cilët publikisht më kishin shpallur armik.

Nuk i besoj më këto legjendat e komunizmit qëë PD-ja apo Opozita i ka përdorur në mënyrë të dëshpëruar në këto vite tranzicioni. Komunizmi dhe Regjimin kanë vdekur në ’90 dhe nuk duhet të ketë më iluzione për këtë gjë, por ajo që mua më shqetëso është fakti, se PD-ja ka qeverisur në këto vite duke krijuar armik e komunizmit, por në të njëjtën kohë është e mbushur me ish komunistë dhe ka qeverisur me të njëjtat parime si ato të Regjimit.

Është e turpshme se si, sot pas 27 vitesh PD-ja apo Opozita kërkojnë të bëjnë politikë, të marrin apo të mbajmë pushtetin akoma duke përdorur argumentin e rrezikut komunist ose termin komunistët, xhelatët dhe bijtë e komunistëve.

Në gjithë këtë historinë e komunizmit të trilluar apo edhe reale, vetëm një e vërtetë ka mbetur, se ata që me të vërtetë e luftuan regjimin kanë mbetur të persekutuar edhe sot dhe janë të përjashtuar nga çdo vendimmarrje politike. Për të kuptuar të vërtetën e katarsit të komunizmit të PD-së apo Opozitës, mjaftojnë të fotografojmë çadrën e të shikojmë kush janë personat që janë ngujuar aty brenda, kush është e kaluara e tyre dhe si kanë guximin të flasin për demokraci.

Për të shmangur vëmendjen nga zgjedhjet, problemet reale të vendit është vënë me qëllim në lojë argumenti i komunizmit dhe PD-ja është transformuar në “Kuklus Klan”. Tashmë në këtë lloj roli të ri e të dëshpëruar është hapur edhe argumenti më idiotesk që të zhduken të gjithë filmat e prodhuar dhe xhiruar në periudhën e Regjimit e të mos transmetohen më. Unë, jam bir i një familje antikomuniste, por i kam parë dhe do i shikoj me kënaqësi filmat e Regjimit dhe sigurisht jam i vetëdijshëm të ndaj artin me politikën dhe realizmin me propagandën. Nuk fitohen zgjedhjet nga PD-ja apo Opozita duke e justifikuar betejën e saj me katersis kundër Regjimit edhe pse ai po bën tre dekada që ka rënë. Nuk është më problem komunizmi, sepse ai ka rënë në ’90 dhe nuk do të rikthehet më, por ne vuajmë nga papërgjeshmëria e politikës, korrupsioni dhe shumë probleme të tjera që nuk lidhen me një ideologji të caktuar politike, Madje, ajo që është më shumë e rrezikshme është pikërisht fakti se sot s’ka asnjë lloj ideologjie dhe nuk po e kuptojmë çfarë klase politike time dhe çfarë modeli po na qeveris.

Nga Alban Daci

Leave a Reply