SHBA/Uragani, zona të tjera ende të rrezikuara nga stuhia

Home » Aktualitet » SHBA/Uragani, zona të tjera ende të rrezikuara nga stuhia

By edi on August 29, 2017. No Comments

Zona përreth Hjustonit në Teksas, është ende e rrezikuar nga shirat e stuhisë historike tropikale që pritet të vazhdojnë për disa ditë ndërsa punonjësit e shpëtimit punojnë për të nxjerrë personat e bllokuar nga përmbytjet masive. Qyteti i katërt më i madh në Shtetet e Bashkuara, me 2.3 milionë banorë është ndër më të goditurit nga stuhia masive. Jeta në Hjuston është paralizuar. Çdo autostradë kryesore për të hyrë dhe për të dalë nga qyteti është kthyer në lumë dhe dy aerportet e qytetit janë mbyllur.

Deri tani është konfirmuar se dy vetë kanë humbur jetën nga stuhia. Metereologët kishin parashikuar që stuhia e fuqishme që preku shtetin e Teksasit si uragan i kategorisë 4 të premten të sillte brenda natës 25 centimetra reshje shiu përreth Hjustonit. Në disa zona, stuhia ka shkaktuar deri në mbi 60 centimetra shi. “Megjithëse erërat e uraganit janë dobësuar, dua të theksoj se ende nuk jemi jashtë rrezikut.

Harvey vazhdon të jetë një stuhi e fuqishme dhe historike. Niveli i lumenjve në jug të Teksasit nuk do të ulet deri në fund të kësaj jave”, tha Elaine Duke, Sekretarja në Detyrë e Sigurisë Kombëtare. Ajo shpehu shqetësimin për banorët e zonës. Kryemetereologu i Qendrës për Parashikimin e Motit në Shtetet e Bashkuara, Patrick Burke i tha Zërit të Amerikës se deri të mërkurën priten 40 deri në 60 centimetra të tjera shi. Ai tha se reshje të tilla nuk ishin parë kurrë më parë dhe se dëmi ka qenë katastrofik. Shërbimi Kombëtar i Motit tha se qendra e stuhisë po zhvendoset ndadalë drejt juglindjes dhe mund ta rikthejë atë përsëri në Gjirin e Meksikës.

Leave a Reply