A i duhet Albin Kurti Kosovës?

Home » Aktualitet » A i duhet Albin Kurti Kosovës?

By edi on September 25, 2017. No Comments

Nga Alban Daci

Albin Kurti, ka merita të jashtëzakonshme në këto vite, sepse ka qenë një alternativë ndryshe në lidhje me proceset esenciale të Kosovës.

Albin Kurti është padyshim simboli dhe ideatori i VV si subjekt politik. Megjithatë, në të vërtetë, ai, nuk e krijoi këtë rrymë, sepse kjo ishte rryma shekullore e shqiptarëve, por e personalizojë dhe e transformojë nga një lëvizje kombëtare për interesa të përbashkëta, në një lëvizje politike në shërbim të interesat vetëm të disave.
Megjithatë, në formatin politik, VV, është një vlerë e rëndësishme për jetën politike të Kosovës, sepse është kthyer në një kantier të mirëfilltë politikë duke afruar elementë intelektual dhe shoqëror. Tashmë mund të themi me kuptimin e mirëfilltë se VV është një parti politike serioze në këndvështrimin strukturor dhe organizativ. Kjo duket me rastin 10 vjetorit të themelimit të saj dhe po ashtu edhe me formatet e takimeve që u organizuan për zgjedhjet e pushtetit aktual. Në aspektin strukturor dhe organizativ, VV, ngjan gjithnjë e më shumë me subjekt politik perëndimor.
Është absurde të thuhet, por unë mendoj dhe besoj se e keqja më e madhe e VV është vetë themeluesi i saj, Albin Kurtin. Pse e them këtë? VV ka elementë mjaft interesant në planin e burimeve njerëzore dhe strukturore që mund të japin kontribute të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës, por jo me mendësinë e Albin Kurtit.
Filozofia e VVe hartuar dhe ideuar nga Albin Kurti, do të ishin aktuale e mjaft të rëndësishme nëse akoma do të ishim në fazën e diskutimit të Pavarësisë së Kosovës. Po ashtu, idetë e Albin Kurtit do të ishin aktuale në periudhën para Luftës II Botërore, ku akoma baza e zhvillimit ishte ideja e shtetit-komb dhe ndërvarësia mes popujve dhe shteteve ishte në fazën fillestare.
VV duket sikur është demode në lidhje me proceset aktuale në të cilat është përfshirë Kosova, Rajoni dhe Europa. Shqiptarët kanë një patriotizëm të komanduar dhe që varet drejtpërdrejtë nga ekuilibrat ndërkombëtar dhe nga proceset në të cilat janë përfshirë vendet e Rajonit.
Albin Kurti, ndonjëherë duket se mendon si Enver Hoxha, në një Kosovë që kërkon të jetë pjesë e rëndësishme e proceseve të integrimit Euro-Atlantik.
Pra, Albin Kurti, sot është njëlloj sikur të ishte gjallë Enver Hoxha në Shqipërinë e sotme, me pak fjalë do të konsiderohej një i prapambetur me kohën e pse jo edhe i çmendur me kohën.
Albin Kurti ka vlera të rëndësishme intelektuale dhe në këtë drejtim mund të vazhdojë të jap kontribute të rëndësishme për Kosovën dhe shqiptarët, por ai duhet të heq dorë nga protagonizmi politik dhe nga mendësia e liderit politik. Vazhdimësia e kësaj mendësie është në dëm të VV që për shkak të Albin Kurtit vazhdon të përjashtohet padrejtësisht nga proceset shtetformuese të Kosovës. VV e pasuron mozaikun politik të Kosovës dhe shumë element të ri që janë pjesë e saj do të jepnin kontribute të rëndësishme për zhvillimin dhe konsolidimin e institucioneve të Kosovës, e cila nuk mund të dal jashtë performancës së proceseve ndërkombëtare që mundësuan Pavarësinë e saj dhe po ashtu po përkrahin implementiin e saj në nivele ndërkombëtare.
Albin Kurti, kërkon të jetë Kryeministri i një ishulli të humbur të rrethuar nga faktorë e procese shumë më të rëndësishme se ajo.
Albin Kurti, duket sikur ka një alergji nga proceset ndërkombëtar, por harron se këto të fundit janë të domosdoshme për mbijetesën e Kosovës si shtet dhe për mundësinë e zhvillimit dhe sigurinë e saj në të ardhmen.
Shqiptarët në Kosovë, me gjithë sakrificat e mëdha që kanë dhënë, ata nuk mund të bëhen vetë të pavarur e po ashtu nuk mundet ta mbajnë po vetëm këtë status quo. Pa garancinë e ndërkombëtarëve e sidomos të SHBA, siguria e Kosovës dhe demokratizimi i saj do të ishin çështje që ndoshta nuk do të kishin pasur sukses.
Albin Kurti, bëri një hap të rëndësishëm duke hequr dorë formalisht nga drejtimi i VV edhe pse de facto ai është kryetari, por do i bënte një shërbim akoma më të madh VV dhe Kosovës nëse do të hiqte dorë nga protagonizmi i tij personal politik me idenë e liderët të Kosovës.
Nëse VV këtë herë nuk është pjesë e qeverisjes, kjo ka ndodhur për shkak të qëndrimeve personale të Albin Kurtit dhe mungesës së koherencës së tij me proceset politike të brendshme ku po kalon Kosova apo edhe në lidhje me detyrimet e saj ndërkombëtare për shkak të nevojës që ajo ka në proceset euro-atlantike dhe jo vetëm.
VV ka arritur një pjekuri në formatin organizativ dhe në përbërjen e burimeve njerëzore, sepse tashmë, protagonistit kanë një eksperience të rëndësishme politike, mund të konsiderohet një brez i pjekur politikisht që mund të marr përsipër edhe drejtime të niveleve të larta të institucioneve të Kosovës, por duhet të riformojë doktrinën e saj politike e mbi të gjitha këndvështrimin e saj nacionalistë, thuajse demode me kohën dhe përshtatjen e saj me një patriotizëm mbrojtës për interesa jetike kombëtare, por të ketë edhe gatishmëri për të bashkëpunuar me faktor ndërkombëtar në proceset e përbashkëta të Rajonit dhe jo vetëm.
Albin Kurti, duhet sikur jeton me nostalgjinë e Enver Hoxhës, në një situatë ku nuk ka më luftë të ftohtë, ndarje ideologjike. Si mundet që Albin Kurti tu bëj thirrje shqiptarëve të Kosovës që jetojnë në Gjermani të mos votojnë për Merkel? Kjo është një ndër thirrjet më absurde që mund të ketë ndodhur ndonjëherë dhe kjo dëshmon po ashtu psikozën e rrezikshme të Albinit, i cili nuk arrin të ndajnë pasionet personale me interesat politike të VV dhe të Kosovës.
Albin Kurti, duket sikur po kalon një krizë të thellë të mendimit politik duke qenë se e shikon vetën jashtë në kohë e hapësirë e për këtë arsye ai vazhdon të flasë si një revolucionar i vetëm, pa harruar se mbrapa tij qëndrojnë mijëra simpatizantë dhe po ashtu interesat themelore të Kosovës.
Nuk ka se si të kërkosh të drejtosh Kosovën duke menduar me paranoja personale, me koncepte personale armiqësie apo me hatërmbetje personale. Kështu nuk mendon kurrë një lider. Lider i mirë është ai që sakrifikohet për të tjerët dhe e ngjet majën e malit bashkë me ta duke ju dhënë dorën, dhe jo duke menduar me egoizëm personal për tu ngjitur vetëm i pari dhe duke lënë në mëshirën e fatit ndjekësit dhe vetë fatet e vendit.
Është e pafalshme që VV që është partia me e votuar të mbeten në Opozitë vetëm për shkak të paranojave personale të Kurtit që kanë pak shpjegim politik e më shumë ndoshta shpjegim psikologjik. Ndoshta në të mirë të VV dhe Kosovës, Albin Kurti duhet të heq dorë nga protagonizmi politik dhe egoja e tij për lidership, por mund të vazhdojë të jap kontribute shumë të rëndësishme si intelektual apo si mentor për brezat që vijnë.
Albin Kurti, duhet të kuptoj një gjë, se sa kohë VV drejtohet nga psikozat personale të tij nuk ka për ardhur kurrë në pushtet e VV-ja do të do të mbetet një opozitë e përhershme derisa simpatizantët e lodhur nga situata do të kontribuojnë në shpërbërjen e saj. Pra, VV rrezikon të përfshihet në procesin e vdekjes ideologjike, ashtu siç ndodhi me Partitë Komuniste në Bllokun e Lindjes me rënien e Murit të Berlinit. Kjo për mua do të ishte një humbje e madhe për mjedisin politik të Kosovës. Mendoj, se VV aktuale e reformuar edhe me qëndrime politike në koherencë me kohën është në dobi të Kosovës, shqiptarëve e të Rajonit.

Leave a Reply