A mund të bashkëekzistojnë demokracia dhe “ekspertokracia” në një shoqëri?

Home » Aktualitet » A mund të bashkëekzistojnë demokracia dhe “ekspertokracia” në një shoqëri?

By edi on September 6, 2017. No Comments

Nga Gerti Sqapi*

Në rastin në fjalë të tillë, si demokracia jo vetëm që nuk ka ndonjë përcaktim të pranuar nga të gjithë, por edhe përpjekja për të hartuar një caktim të tillë has kundërshtime nga të gjitha anët. Mbrojtësit e çfarëdo regjimi thonë se ai është demokraci dhe kanë frike mos heqin dorë nga përdorimi i kësaj fjale në qoftë se kjo lidhet me një përdorim të dhënë”.

Demokracia gjithmonë është përballur me sfida në të kaluarën, dhe po kështu me siguri do të bëjë në të ardhmen. Të gjithë këto sfida dhe debate rreth saj vijnë kryesisht, siç thotë edhe Orwell, nga mungesa e përcaktimit të qartë të këtij termi që të pranohet nga të gjithë. Teori të ndryshme janë zhvilluar rreth saj, duke na ofruar edhe përqasje normative, pra, për atë se si duhet të jetë një demokraci e vërtetë. Një nga sfidat me të cilat është përballur, dhe përballet edhe në ditët e sotme forma e demokracisë qe ne aplikojmë (ajo përfaqësuese, ose siç quhet ndryshe rëndom demokracia liberale) është edhe “ekspertokracia”. Në këtë artikull, argumentohet se “ekspertokracia” dhe demokracia si dy sisteme vendimmarrjeje nuk mund të bashkëekzistojnë të dyja në një shoqëri, pasi ato e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Së pari, ne na duhet t’i përkufizojmë këto dy terma. Kuptohet, që ka një ndryshim midis asaj që grekët quanin demokraci 400 vjet para l.k., dhe kuptimit që ne i japim sot kësaj fjale. Shumë ideale për qeverisjen popullore janë marrë nga një kohë tjetër, dhe është e pamundur të realizohen sot, ka theksuar Robert A. Dahl, një nga teoricienët politik kryesorë të demokracisë të shek XX. Në botën reale, ai i quante demokracitë me termin “poliarki”. Poliarkitë, Dahl i konceptonte si sisteme ‘’në të cilat pushteti mbi funksionarët… ndahet gjerësisht’’ nëpërmjet një shkalle relativisht të lartë kontrolli të qytetarëve të thjeshtë mbi udhëheqësit e tyre. Po kështu, Dahl rendiste edhe disa kritere, apo kërkesa për demokracinë në gjirin e një bashkësie të madhe, ku ndër të tjera përmend edhe dy dimensione thelbësore të demokratizimit: “të drejtën për t’u përfshirë në sistemin e kontestimit publik, si dhe të drejtën e pjesëmarrjes”. Ajo që ne shpesh kuptojmë, apo e marrim të mirëqenë, kur përdorim termin “demokraci” në ditët e sotme, është kur qytetarëve (ose palëve të përfshira) u garantohet e drejta e pjesëmarrjes si të barabartë në një proces zgjedhor konkurrues dhe të ndershëm, si dhe vendimet që merren bëhen në bazë të konsensusit midis tyre (ose shpesh përdoret sistemi i vendimit të shumicës).

Nga ana tjetër, tendenca që shkon në drejtim të kundërt të kësaj rryme është ajo që shpesh njihet me emrin “ekspertokraci”. Në një “ekspertokraci”, janë ekspertët ato që identifikojnë idetë dhe u japin atyre vlerat, të cilave e gjithë shoqëria duhet t’i ndjekë dhe duhet t’u përshtatet . Pra, në një farë mënyrë mund të thuhet se janë ekspertët ato që dinë se cilat janë drejtimet që duhet të marrë shoqëria, se cilat janë politikat e përshtatshme për t’u ndërmarre, dhe individëve u duhet thjesht që t’i pranojnë ato. Po të përdornim terminologjinë e Friedrich August von Hayek, do të shpreheshim: “ato (ekspertët) do t’i impononin arbitrarisht kolektivit preferencat e tyre. Por, duke vepruar kështu, pak nga pak, demokracia i braktis pushtetet e saj”.

Në ditët e sotme, natyra komplekse e strukturës publike dhe politike i jep një përparësi të madhe ekspertëve dhe vendimmarrësve në krahasim me qytetarin  e zakonshëm, i cili nuk mund të ketë aq njohuri për një çështje të caktuar sa një ekspert i kualifikuar. Mirëpo, duke i shmangur qytetarët, apo edhe palët e prekura drejtpërdrejtë ose tërthorazi nga një politikë e caktuar, nga procesi i vendimmarrjes do të thotë t’iu mohosh atyre si të drejtën e pjesëmarrjes politike, ashtu edhe atë të kontestimit publik. Demokracia nuk mund të reduktohet vetëm e thjeshtë tek procedura e votimit një herë në 4 apo 5 vjet. Mbështetësit e demokracisë deliberative (apo kuvenduese) do të argumentonin se,  bërthama e demokracisë është shumë më tepër se lufta për të fituar zgjedhës apo vota, dhe se duhet punuar për të gjetur arsyetime të drejta që hedhin themelet për pajtueshmëri dhe kompromis.

Hayek është shprehur se, organizma të tillë si shteti individët i formojnë në një përpjekje të bashkuar për të realizuar qëllime që kanë të përbashkëta, dhe i japin atij sistemin e tyre të qëllimeve si dhe mjetet e veta. Po kështu, ai vijon se, kufijtë e kësaj sfere (të shtetit) përcaktohen nga shtrirja në të cilët individët merren vesh për qëllime të veçanta, dhe mundësia që ato të jenë në një mendje për një rrugë të veçantë veprimi, doemos që zvogëlohet sa më shumë që zgjerohet fusha për një veprim të tillë. Kuptohet, që Friedrich August von Hayek si një mbrojtës i liberalizmit klasik, mbështet këtu idenë e një shteti sa më minimal dhe sa më shumë liri veprimi për individët (me sa më pak rregullime).

Megjithatë, në realitetin e sotëm politik ne shohim se (aktorët në) institucionet përfaqësuese që ne zgjedhim, qofshin këto legjislative, ekzekutive apo lokale, shpesh i kalojnë kufijtë e kësaj sfere veprimi për të cilën fliste Friedrich Hayek. Mirëpo, problemi këtu nuk është ky. Problemi është se si mund t’i përligjnim këto vendime si demokratike, pra si të pranuara nga të gjithë individët e përfshirë apo nga palët e prekura nga politika në fjalë, duke mos ua lënë këtë gjë thjesht ekspertëve që të vendosnin. Dhe këtu përgjigjen mund ta merrnim sërish nga idhtarët e demokracisë deliberative. Psh. në hartimin e një politike publike përballë vendimmarrësve      politikë dhe ekspertëve që kanë njohuritë dhe ekspertizën e nevojshme, mund të vendosnim grupet e ndryshme të interesit që preken nga politika në fjalë, apo edhe aktorë të tjerë publikë duke përfshirë këtu edhe shoqërinë civile. Pjesëmarrësit këtu do të shpjegonin pikëpamjet e tyre, do të dëgjonin mendimet e të tjerëve dhe pastaj do të vendosnin për argumentin më të mirë. Këtu, kriteret që Robert A. Dahl vendosin për një sistem demokratik nuk do të shkeleshin. Mënyrë tjetër demokratike mund të jetë edhe referendum, që mund të përdorej për disa çështje që mund të konsideroheshin tepër të rëndësishme për një vend. E kundërta do të ndodhte sikur vendimet e rëndësishme që prekin interesat e shumë njerëzve apo grupeve të ndryshme, t’u liheshin në dorë vetëm disa individëve, të cilët do të dinin ç’është më e mira për ta dhe për shoqërinë në përgjithësi.

Pra, shohim se në praktikë ekzistojnë divergjenca të rëndësishme midis “ekspertokracisë” dhe demokracisë si një sistem i vendimmarrjes kolektive. Në përkufizimin që i bëmë kësaj të fundit, ku përfshimë dy dimensione thelbësore që një sistem duhet të përmbajë që të quhet i demokratizuar: përmendëm të drejtën e përfshirjes në sistemin e kontestimit publik, si dhe të drejtën e pjesëmarrjes. Këto dy dimensione të rëndësishme që theksonte Robert A. Dahl për një sistem të quajtur si demokratik, nuk respektohen ose nuk përputhen me atë sistem ku janë ekspertët ato që vendosnin për drejtimet e nevojshme që duhet të marrë  shoqëria, për politikat e përshtatshme që duhen ndërmarrë etj. Hayek shihte në këtë imponim të preferencave ndaj individëve shembjen e “pushteteve” të demokracisë. Hayek argumentonte gjithashtu se, kufijtë e veprimit të sferës së shtetit nuk duhet të shkonin përtej asaj shtrirje ku individët ishin marrë vesh për qëllime të veçanta. Megjithatë, ne theksuam këtu edhe se, vendimet që mund të merreshin përtej kufijve të kësaj sfere veprimi që mbrohej nga Hayek, mund të konsideroheshin gjithashtu demokratike, por duke ndjekur disa procedura demokratike si psh. garantimi i pjesëmarrjes për të gjitha palët apo grupet e interesit që preken nga një politikë e caktuar, procesin e deliberalizimit, si dhe pas kësaj marrjen e vendimeve në bazë të konsensusit të arritur, ose në raste të caktuara duke përdorur sistemin e votimit të shumicës. Këto metoda nuk do t’i shkelnin kriteret apo kërkesat (që ne kemi pranuar) të një sistemi demokratik, ndryshe nga ç’mund të bënte një sistem ku vendimet e rëndësishme për drejtimin e punëve të shoqërisë, do t’u liheshin në dorë një grupi të vogël ekspertësh.

*Pedagog UET

Leave a Reply