Integrimi, beteja e mënjanuar…

Home » Aktualitet » Integrimi, beteja e mënjanuar…

By edi on September 2, 2017. No Comments

Artur Lazri, PhD Candidate in Political Science, Walden University, USA

E diela e shkuar, fokusoi shqiptarët para ekraneve televizive, për të zbuluar qeverinë e re të Shqipërisë, e ashtuquajtura ‘’Rama 2’’, e cila do na qeverisë në katër vitet e ardhshme.

Pritshmëria tejet e madhe, vinte nga zhvillimet spektakolare në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, ku në mënyrë sfiduese dhe të pa precedentë në shkencat politike, Partia Socialiste rriti numrin e  mandateve përfaqësuese popullore, nga 65 në vitin 2013, në 74 në zgjedhjet parlamentare të këtij viti.

Kryefjala e qeverisë së shkuar Rama 1 ishte ‘’reforma totale’’, ndërsa shqiptarët për hir të realitetit, prekën më pak punësim dhe më pak financa për familjet e tyre.

Fjala e Ramës ‘’ na votuan për atë që presin të bëjmë, jo për atë që bëmë’’, i përmbledh më së miri të gjitha aludimet politike.

Propozimi i qeverisë Rama 2, e drejtë legjitime kushtetuese e Ramës si kryetar fitues i PS-së në zgjedhjet parlamentare, tregon qartësisht nevojën për ribalancim të ekuilibrave në eksperiencë dhe në moshë politike me të rinjtë, si dhe fuqizimit absolut të Ramës brenda partisë, nëpërmjet bashkimit të superministrive dhe dhënies së tyre përkrahësve të tij të ngushtë.

Preambula e qeverisë së re, ku spikat fokusi kryesor në dy ministritë e reja të projektuara rishtas, sipërmarrja, e cila si politikë djathtiste, i vlen si duket qeverisë së majtë të Ramës për ngritjen dhe fuqizimin aq të dëshiruar të ekonomisë kombëtare, si dhe diaspora, një qasje e re pragmatiste për fuqizimin e shqiptarëve anembanë globit, po aq një hap më para politik i PS-së, për afrimin e tyre drejt të drejtës themelore deri tani të paarritur, votimi elektronik ose votimi në selitë tona diplomatike kudo ata ndodhen.

Ministria e deritanishme e Integrimit Europian, mungesa e madhe e kësaj qeverie të sapo propozuar, deri tani mbetet pa një ministri të mirëfilltë, me dashje apo jo, që aktualisht kuotohet si një nga çështjet dhe betejat më superiore post-komuniste për shqiptarët.

Në fillimet e demokracisë e njohur me termin integrimi euroatlantik, më pas në nivel sekretar shteti për integrimin euroatlantik, kalon në termin ministër shteti për integrimin euroatlantik, ministër shteti për integrimin europian(tetor 2001), derisa konfirmohet në vitin 2005 gjer në ditët e sotme, si ministri e integrimit europian.

Integrimi europian i Shqipërisë, mbetet për të ardhmen e shqiptarëve, një aspiratë themelore e ëndrrave tona për një shtet të konsoliduar dhe të përafruar me standartet e Bashkimit Europian.

Në mungesë të një ministrie, jo si shtëpi, por si funksionalitet ndërveprues autoritar i strukturave shtetërore me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, integrimi do gjejë me patjetër një ministri bujtëse, ndonëse jo me kaq efektivitet sa deri tani.

Në kundërshti profesionale, integrimi për qeverinë e re, duhej të ishte parësor në të gjitha strukturat qeverisëse parlamentare e vendore, duke përshtatur jo vetëm legjislacionin shqiptar me atë të B.E-së, por duke u shndërruar në një magnet financiar krejtësisht normal për thithjen e investitorëve dhe investimeve strategjike ndërkombëtare në Shqipëri.

Problemi madhor që shtrohet për qeverinë Rama 2, lidhur me mënjanimin e integrimit si betejë parësore është: a ka ndonjë informacion sekret që procesi i integrimit do lihet mënjanë për kohë të caktuar nga B.E?

Apo Rama ka kuptuar se integrimi don kohë të gjatë sfilitëse të arrihet dhe përcakton objektiva të tjerë elektoralë më të lehtë për tu arritur?

Mbetet për tu parë.

Ama, diçka shikohet qartë, integrimi duket beteja e mënjanuar e ekipit Rama 2.

Një sfidë në politikat publike dhe qeverisje, është thënia e artë e Alcide de Gasperi ‘’një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme’’.

Duket, se Rama ka  zgjedhur të parën, me dhimbje patjetër….

 

Leave a Reply