Pse s’jam dakord me Albin Kurtin për qasjen e “Listës serbe” në Qeverisje?

Home » Aktualitet » Pse s’jam dakord me Albin Kurtin për qasjen e “Listës serbe” në Qeverisje?

By edi on September 12, 2017. No Comments

Nga Alban Daci

Ndoqa me vëmendje fjalimin e Albin Kurtin gjatë seancës së jashtëzakonshme të kërkuar nga VV-ja dhe LDK-ja, pas marrjes së votëbesimit të Ramush Haradinaj në Parlament si Kryeministri i ri i Kosovës. E kam ndjekur gjithmonë me vëmendje aksionin politik të Albin Kurtit, i cili shquhet për oratori, këmbëngulje dhe nuk ka dyshime që sot për sot ndoshta është filozofi më i mirë politik në politikën e Kosovës, i cili më shumë ka prodhuar ide, se sa ka kopjuar apo përsëritur nga të tjerët. Kjo e bën atë një lider origjinal, karizmatik e populistë. Dikur këto tre elementë ishin kushte themelore që garantonin sukses politik e ndërsa sot jemi të bindur që nuk janë më ashtu. Sistemi politik i Kosovës, për shkak të rrethanave, që lidhen me përbërjen etnike, historinë e saj për Pavarësi, daljen e UÇK-së e kanë bërë plurifaktoriale, e për të këtë arsye cilësia kryesore që garanton sukses është ruajtja e ekuilibrave politik dhe orientimi i tyre drejt një objektivi të mirëpërcaktuar.
Fjalimi i Kurtit gjatë seancës së jashtëzakonshme edhe pse i mirëagumentuar, mu duke jo real në kohë dhe pa ndonjë sukses të garantuar politik të tijin, të VV-së dhe të simpatizantëve të saj.
Së pari, duhet të heqim aludimin se VV-ja është simboli i Kombit. Kjo është parti politike dhe si e tillë ka një filozofi të caktuar që nuk mund të jetë e të gjithëve, ka një qëllim të caktuar që është marrja e pushtetit e ndoshta në fund ka finalitet ruajtjen e elementëve kombëtar shqiptar në Kosovë.
Së dyti, argumentet e Kurtit mbi dhënien e Ministrisë së Bujqësisë të një deputeti të “Listës serbe” duke ju referuar se të gjitha fenomenet kolonjalistike kanë nisur për arsye të shkëmbime të agrikulturës, jo vetëm që nuk janë koherente më kohën që jetojmë, por nuk janë të vërteta as si argumente historike. Kjo pjesë diskutimi e Albin Kurtit, edhe pse në pamje të parë të krijon bindjen se ai është një dijetar i madh që din krejt historinë e njerëzimit, në fakt në themel ka demagogji boshe për të manipuluar qytetarët drejt interesit politik të tij dhe filozofisë politike që ai ka ushqyer gjithë kohës VV-në.
Pse jam kundër këtë herë me Albin Kurtin në lidhje me përfshirjen e “Listës serbe” në qeverisje?
Kosova për mendimin tim ka dy rrugë për të zgjedhur? Të pranojë realitetin, t’i përshtatet dhe të jetë fituese; Të mbetet me paranojat e të kaluarës, të jetojë me hijen e saj dhe të dal e humbur.
Unë, mendoj se është një fitore e madhe që “Lista serbe” është pjesëtare në Qeverisje. Është fakt tashmë se në Kosovë ka një komunitet serb (autokton apo jo) prej më shumë se 5%.
Ky komunitet është tashmë pjesë integrale e Kosovës dhe nuk duhet të shpresojmë e nuk duhet të jemi të idesë se duhet të largohen e të kthehen në Serbi, ku një pjesë e mirë e tyre prej shumë brezash jetojnë në Kosovë dhe ndjehen si kosovar e nuk e kanë idenë se nga ishin të parët e tyre dhe ku i kanë tokat e të parëve.
Unë, jam i sigurt se ministrat e “Listës serbe” do të punojnë me seriozitet e ndoshta do të kenë sukses më shumë se disa ministra shqiptarë, sepse ata tashmë Kosovën e konsiderojnë Atdheun e tyre, shtëpinë e tyre dhe me përfshirjen e tyre në Qeveri do të jetë me të motivuar që të punojnë për një Kosovë të zhvilluar dhe multietnike. Përfshirja e tyre në qeverisje e ka forcuar edhe më shumë këtë ide. E kam thënë disa herë dhe e përsëris, për të kuptuar funksionimin e një Shteti, apo marrëdhënien mes shteteve duhet të nisemi nga marrëdhëniet që njerëzit si individ krijojnë mes tyre ose mes organizimeve kolektive.
E dini si janë serbët e Kosovës sot? Janë, si një nuse tradicionale që martohet e shkon e merr mbiemrin e burrin e jeton tek shtëpia burrit. Në të gjitha martesat tradicionale, nuk ka një rast të vetëm që nusja e martuar të mos punojë për shtëpinë e saj të re, atë të burrit ku është martuar, por ta tradhtojë e të punojë për ish shtëpinë që ka lënë, atë të prindërve. Nusja e martuar shtëpinë e prindërve e shikon si të huaj, të largët dhe pronë të vëllezërve. Kështu edhe serbët e Kosovës, Serbinë e shikojnë si shtëpi të largët, të huaj që i takon vllahut Vuçiç dhe serbëve të tjerë që jetojnë atje. Atëherë në këto rrethana pse serbet e Kosovës a duhet të punojnë për një Kosovë të zhvilluar e pse jo të pavarur? Zhvillimi i Kosovës do të thotë zhvillim edhe për ata dhe për të ardhmen e komunitetit të tyre dhe të brezave që do të vijnë.
Përfshirja e “Listës serbe” në qeverisje me Kryeministër Haradinaj do të thotë shumë dhe është një mesazh për gjithë Kosovën. Pjesëmarrja e “Listës serbe” me Kryeministër ish gjeneralin e UÇK-së do të thotë pajtim kombëtar. Sigurisht ka ardhur koha të ndryshoi edhe koncepti Komb për një shtet si Kosova. Duhet të përdoren dy koncepte? Koncepti kombëtar i lidhur me etninë e këtë rast është Kombi shqiptar e koncepti kombëtar i lidhur me shtetin sipas Renan e këtë rast është i lidhur me të gjithë banorët që jetojnë në Kosovë e kanë nënshtetësinë e saj. Në këtë konceptin e dytë është e domosdoshme ta gjejnë vetën e të identifikohen me Komb edhe serbët. Pra, pjesëmarrja e tyre nënkupton sipas nocionit të kombit shtetëror do të thotë pajtim kombëtar e kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e krejt Kosovës.
Së dyti, me pjesëmarrjen e “Listës serbe” në Qeverisjen e Kosovës, forcohet më shumë e definohet më shumë Pavarësia e Kosovës. Pse them kështu? Sepse, juridikisht serbët e Kosovës pranojnë të jetojnë në shtetin e tyre dhe të mos kenë më dëshira për tu bashkuar me Beogradin, por të kenë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me ta, siç i kanë malazezët apo maqedonasit.
Së treti, me pjesëmarrjen e “Listës serbe” në Qeverisje, jam i bindur se forcohet më shumë uniteti shtetëror i Kosovës, kaq shumë i rëndësishëm për krejt Rajonin.

Leave a Reply