Rasti i mbulimit të Skënderbeut dhe fryma kundër tij

Home » Aktualitet » Rasti i mbulimit të Skënderbeut dhe fryma kundër tij

By edi on September 1, 2017. No Comments

Nga Alban Daci

E pashë shumë të arsyeshme për të bërë këtë shkrim, pasi isha ndër të parët që reagova kundër këtij skandali.

Dua të theksoj pozicionin tim, jam shqiptar dhe kjo është më e rëndësishmja për mua. E para është Shqipëria për mua dhe pastaj vijnë të tjerët. Të parët janë për mua ata që kanë sakrifikuar jetën për ekzistencën tonë si Komb e pastaj vijnë të tjerët.

Në këtë drejtim, figura e Skënderbeu për mua është figura më e rëndësishme që simbolizon ekzistencën tonë dhe ai padyshim është simboli më i rëndësishëm kombëtar. Prandaj, kushdo që cenon apo tenton të cenojë figurën e Skënderbeu, qoftë edhe për motive fetare, ka cenuar çdo shqiptarë, ka cenuar Shqipërinë dhe ekzistencën tonë kombëtare,

Unë, me besim fetar për arsye familjare jam myslimanë. Koshienca fetare e shqiptare është e paformuar dhe kjo ka ardhur për arsye historike që tashmë dihet. Më shumë se 90%  e shqiptarëve janë myslimanë, sepse kështu kanë qenë brez pas brezi, janë katolikë se po kështu kanë qenë brez pas brezi ose janë ortodoks se kështu ka qenë brez pas brezi.

Shumë pak prej tyre arrijnë të bëjnë shpjegime pse ndjehen ashtu, por thjeshtë kështu e kanë marr veshtë nga të “parët”.  Kjo për mendimin tim, ka të mirat dhe të këqijat e veta, por unë më shumë e shoh si një të mirë të madhe, sepse vetëm kështu ne mund të mbijetojmë si Komb dhe nuk do të kemi probleme fetare.

Një profesor gjatë kohës që po bëja studimet në Genova (Itali), më tha, më thuaj diçka që ju shqiptarët mburreni më shumë? Ishte viti i parë i studimeve dhe unë me krejt krenari i thash se: mburremi me harmoninë fetare! Ai duke qesh më replikojë duke më thënë: ju keni injorancë fetare dhe për këtë keni tolerancë, sepse vinin nga një shtet ateistë, por në momentin që besimi do të bëhet pjesë e rëndësishme e jetës së komunitetit, ju do të keni përçarje e probleme të mëdha fetare si pjesa tjetër e Botës. Epo nëse është kështu e kështu duket se është, unë personalisht preferoj injorancë fetare!

Debati i sotëm në lidhje me mbulimin e monumentit të Skënderbeut, prodhojë jo vetëm debat, por edhe një garë spekulimesh.

Së pari, kur themi se Skënderbeu u mbulua, nuk nënkuptojmë se Skënderbeut i është vënë burka. Në të gjitha fotot, para dhe pas faljes, shihet qartë që Skënderbeut i janë vënë monitorë përballë që ndalojnë pamjen e tij përballë personave që falen. Së dyti, kjo është e qartë dhe s’ka dyshime e po ashtu duket qartë që është bërë për arsye fetare. Madje, disa myslimanë e pranojnë këtë duke argumentuar që ndalohen statujat sipas fesë e po ashtu ndalohet që myslimani t’i falet bustit apo statujës.

Ajo që mua më shqetëson në këtë histori është se ka një frymë të rrezikshme me baza fetare kundër figurës së Skënderbeut dhe kjo është e patolerueshme. Nëse secili nga ne futet në google dhe shkruan “Skënderbeu ka vrarë myslimanë”, do të lexoni një frymë ekstremiste, të rrezikshme dhe antikombëtare për rolin dhe figurën e Skënderbeut dhe kjo ka ardhur nga nivel deputetësh në Kosovë e deri tek hoxhallarë të ndryshëm. Kjo është arsyeja që më bëri  të bëj këtë shkrim.

Unë, do i besoja Komuniteti Mysliman se kjo “mbulesë” e Skënderbeut nuk e ka qenë e qëllimshme vetëm nëse del me deklaratë për shtyp duke thënë se: Skënderbeu është Hero Kombëtar i çdo shqiptari dhe i myslimanëve. Nëse nuk bëhet një deklaratë e tillë publike pas këtij rasti, atëherë unë jam realisht i shqetësuar në lidhje me linjën fetare dhe qasjen kombëtare që po mban Komuniteti Myslimanë.

Nëse për disa myslimanë është problem të falen përballë një statuje, atëherë ata mund të falen me të drejtën e tyre ku të duan, aty ku nuk ka asnjë statujë dhe nuk kanë asnjë lloj të drejte të mbulojnë monumentin dhe simbolin e Republikës, Skënderbeun.

Disa fanatikë që s’kanë lidhje me linjën tradicionale të islamit shqiptar, por që bëjnë pjesë tek personat që urrejnë padyshim Skënderbeun, po reagojnë sikur ne që po e mbrojmë heroin qenkemi për përçarje, por ajo vjen e qëllimshme nga ata që provokojnë dhe jo nga ata që mbrojnë historinë, kombin dhe vlerat tona.

Diçka tjetër po aq e rrezikshme sa na fanatizmi fetar është fakti se Komunitetet e Kulteve privatizohen, mbrohen dhe përdoren sipas partive politike. KMSH mbrohet nga PD dhe këtu pash reagimet e disa pseudointelektualëve (zyrtarë të PD-së) që bëjnë  thirrje për bashkim pa dënuar skandalin në fjalë. Ndërsa  Komuniteti Ortodoks nga PS-ja dhe sic duket i vetmi Komunitet që ka mbetur jetim, ndoshta për zgjedhjen e tij që nuk kontrollohet nga subjektet politike është Kisha Katolike, e cila më një vendim ka refuzuar urimet e politikanëve me rast festash.

Shpresoj që në të mirën tonë kombëtare, vëllazërore të gaboj në konkluzionet e mia, por duke i parë me vëmendje fenomenet me keqardhje shikoj skenarë të rrezikshme për të ardhmen tonë të përbashkët për shkak të ekstremizmit fetar dhe të përdorimit të tyre për qëllime politike dhe për interesa puro antikombëtare.  

Leave a Reply