Reforma zgjedhore, PD propozon sistem maxhoritar me 100 deputetë

Home » Aktualitet » Reforma zgjedhore, PD propozon sistem maxhoritar me 100 deputetë

By edi on September 17, 2017. No Comments


Partia Demokratike nuk do të humbë kohë dhe duke filluar nga dita e hënë, në Parlament do të paraqesë kërkesën për krijimin e një komisioni ad hoc për Reformën Zgjedhore.

Shqetësimet e tyre në lidhje me zhvillimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri, demokratët do të kërkojnë t’i japin zgjidhje përmes një ligji të ri zgjedhor, i cili do të diskutohet në Parlament.

Në mbledhjen e kryesisë së Grupit Parlamentar të PD, demokratët vendosën që në fokus të opozitës do të jetë problematika që ka të bëjë me shitblerjen dhe manipulimin e votës, si dhe votimi e numërimi elektronik. Burime nga selia blu bëjnë me dije se pavarësisht nëse maxhoranca do të japë apo jo pëlqimin për ngritjen e komisionit, opozita gëzon të drejtën që të kërkojë komision ad hoc në Kuvend.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi dy ditë më parë se marrëveshja me Ramën është “e vdekur”, por nëse ai do të jetë i gatshëm për të bashkëpunuar për Reformën Zgjedhore, PD do të angazhohet që të realizohet votimi dhe numërimi elektronik.
“Marrëveshja ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. A bëri pala tjetër diçka për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme? E kundërta. Bëri gjithçka që, siç edhe vetë e quan, avazin e vjetër. Që në këtë moment nuk ka më marrëveshje. Sepse thelbi i marrëveshjes ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme, pastaj si një fluks i shpresës për fatet e reja politike të vendit kishte edhe një angazhim për hapa të përbashkët për reforma të rëndësishme. Por kur hapi i parë hidhet në erë si rezultat i mosmbajtjes së fjalës nga njëra palë, që ishte qeveria, që ishte Edi Rama, atëherë çfarë prisni që të vazhdohet me hapa të tjerë? Ura për të shkuar te hapat e tjerë ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj edhe thirrja ime është fare e qartë: Rivendosja e institucionit të zgjedhjeve është përcaktuese. Asgjë tjetër nuk mund të ndodhë pa një reformë të sistemit politik”, deklaroi Basha.

PROJEKTI I PD

Burime nga selia blu bëjnë me dije se demokratët kanë tashmë projektin e tyre politik, të cilin do ta ofrojnë si propozim në komisionin ad hoc që do të krijohet në Kuvend. Lulzim Basha do të propozojë në Kuvend rikthimin e sistemit maxhoritar, ku Shqipëria të jetë e ndarë në 100 zona elektorale. Burime nga selia blu sqarojnë se demokratët do të propozojnë një sistem maxhoritar të pastër, por duke propozuar rritjen e pragut elektoral që do të sjellë forcat politike në Parlament.
Propozimi i demokratëve parashikon krijimin e 100 zonave elektorale, të cilat do të ketë përfaqësuesin e tyre në Parlament. Këtë projekt Basha e paraqiti edhe gjatë qëndrimit në çadrën e protestës të vendosur përpara Kryeministrisë, kur kërkoi ndjesë edhe për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.
“Projekti kryesor yni ka transferimin e pushtetit nga partitë te qytetari. Sot janë partitë që vendosin se kush i përfaqëson qytetarët. Prandaj deputetët nuk përfaqësojnë sepse besnikëria e deputetit nuk është ndaj qytetarëve, por ndaj kryetarit të partisë.
Ky është një gabim i përbashkët, ku Partia Demokratike ka përgjegjësinë e saj për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Edi Rama dhe Sali Berisha nënshkruan marrëveshje për ndryshimin e Kodit Zgjedhor kur u vendos sistemi proporcional rajonal që e ndau vendin në 12 qarqe. Në atë kohë ky sistem u propozua nga PS me arsyetimin se do të shmangeshin përplasjet e forta në zona të caktuara, do të largoheshin personat me precedent penal nga listat, pasi ato hartoheshin nga kryetarët e partive. Për këtë sistem edhe Kryeministri Rama ka pranuar se ishte bërë një gabim”. (Panorama)

Leave a Reply