Si e lexoj marrëveshjen e Kosovës për qeverisje?

Home » Aktualitet » Si e lexoj marrëveshjen e Kosovës për qeverisje?

By edi on September 5, 2017. No Comments

Nga Alban Daci

Më në fund, pas një krize të thellë u arrit marrëveshja për Qeverinë e Re në Kosove. Kjo marrëveshje u arrit mes koalicionit ekzistues (PDK, AAK dhe Nisma) dhe Behxhet Pacollit (AKR).
Ndoqa me vëmendje situatën e krijuar pas nënshkrimit të marrëveshjes, ose me saktë shkëmbimet e urimeve dhe improvizimin e intervistave të protagonistëve. Çfarë kuptova dhe si e lexova unë reagimin e nënshkruesve? Kadri Veseli është bërë një politikan i mirëfilltë, sepse ka humbur çdo sjellje prej ish ushtaraku. Ai tashmë është bërë politikan profesionistë që din të ruaj emocionet dhe po ashtu u përmbahet linjave politike duke mos humbur theksin pro amerikan dhe domosdoshmërinë e Europës. Veseli duket një kopje perfekt e Thaçit dhe ndonjëherë krijohet ideja sikur në Kosovë ka një laborator ndërkombëtar për krijimin e “politikanit të ri” dhe të gjithë ata që dalin nga ky laborator me qendër në Prishtinë janë klone me ide, programe e ndoshta edhe me diskutime e qëndrime të njëjta. Në këndvështrimin tim, Vesi ka disa cilësi më shumë të mira se Thaçi, sepse më duket realisht më pro perëndimor, por edhe me elastik në qëndrime e në të njëjtën kohë më largpamës në vizione. Ai tashmë ka krijuar një format të ri në politikën e Kosovës, duke lënë mënjanë meritë dhe logjikon vetëm në raport me pushtetit dhe llogaritë i bën vetëm për ta mbrojtur ose për ta arritur atë.
Pashë Ramushin në formën e tij më të dobët, nervoz dhe krejt i mbushur me dyshime e aludime në mendjen e tij. Megjithatë, vazhdon të ruaj karakterin ushtarak, burrnor dhe po ashtu nuk humb për asnjë sekondë karakterin shqiptar e kjo u duk kur në prononcimin e tij nuk harroi të falënderonte Pacollin. Gjatë intervistës dukej se ishte i merakosur për Fatmirin, sepse sigurisht e respekton nga koha luftës e po ashtu ka dyshime se mos ka mbetur i pakënaqur dhe mund të lëviz deri në votëbesim. Dihet se përfshirja e Fatmirit ka qenë e sforcuar dhe kjo ka ndodhur vetëm falë besnikërisë dhe protagonizmit personal të Ramushit. Ramushi është i detyruar të pranojë me çdo kusht, qoftë edhe në këto rrethana të jetë formalisht Kryeministri i Kosovës, sepse ai ka një subjekt politik, ka klanin e tij dhe ka një kategori personash që i kanë qëndruar pranë dhe e kanë ndihmuar. Nëse ai nuk do të pranonte të bëhej Kryeministër qoftë edhe në këto rrethana, ai do të humbiste lidershipin, subjektin politik e mbështetjen e njerëzve që ka pasur deri më sot. Është mekanizmi i pushteti dhe nevoja për të që e detyrojnë Ramushin të jetë Kryeministër edhe në këto rrethana.
Behxhet Pacolli? Eh Behxheti? Figurë shume dimensionale dhe po ashtu shumë e diskutueshme. Ai është e vështire të lexohet. Megjithatë, ne prononcimin e tij për arritjen e marrëveshjes, pashe se ai është makiavelist, pragmatist, llogaritar e po ashtu mosbesuese. Ai në këtë koalicion me duket si sozia e Metës tek Rama, sepse edhe për klauzolat që ka futur në marrëveshje (faktin se vetëm ai mund të shkarkoi ministrat e AKR-së), janë tipike të stilit të Metës. Raporti i Pacollit me Haradinaj do të jetë si i Metës me Ramën në legjislaturën 2013-2017.
Fatmir Limaj? Fatmirin nuk kam arrit me e kuptuar asnjëherë! Mbetet njeriu i parimeve? Në prononcimin e tij, me dha idenë e një punëtori që po i skadon kontratat e punës dhe po mendon për punën e radhës. Në prononcimin e tij mu duk sikur po i thoshte Ramushit: çfarë bëmë Ramush, më këta të dy s’do të kemi asnjë garanci dhe do të tradhtohemi.
Ja kështu, në këtë atmosferë u bo koalicioni i ri që garanton numrat për qeverisje.
Po qeverisja si do të jetë? Do të jetë një Qeveri e brishtë dhe do të jap pak rezultate.
Unë, e quaj Qeveri me katër Kryeministra: Veseli, Haradinaj, Pacolli dhe Limaj.
Të katërt kanë filozofi të ndryshme politike, eksperienca të ndryshme jetësore, problematika të ndryshme e horizonte të ndryshme për të ardhmen e Kosovës dhe për modelin me të cilin duhet të qeveriset. Kjo do të bëj që ata më shumë ta kenë vëmendjen tek ruajtja e ekuilibrave se sa në marrjen e vendimeve. Për këtë arsye do të shikoj pak rezultate në transformimin e Kosovës gjatë këtyre viteve në lidhje me forcimin apo konsolidimin e Sovranitetit të saj. Ajo që bie në sy është e sigurt se falë edhe Pacolli, kjo qeveri do të ketë një frymë të thellë pro Europiane e fal Veselit një frymë të rëndësishme pro amerikane. Ndërsa falë Ramushit e Fatmirit do të ketë edhe nuanca edhe pse jo të forta patriotike shqiptare, por Ramushi e ka të qartë se nuk do të mund të dal përtej vizës virtuale të kuqe. Interesant do të jenë takimet e tij me autoritetet e Beogradit dhe me homologun e tij. Në këtë këndvështrim, pranimi i detyruar i Ramushit si Kryeministër nga Beogradi legjitimon luftën e UKC për liri e po ashtu de facto pranon edhe Kosovën si shtet të pavarur.
Sa i përket qeverisjes, besoj se nuk të jetë një Qeveri e fortë dhe nuk do të ketë forcën e as vullnetin për të bërë të thella. Kjo do të jetë “Qeveri halli”, sa për të mbyllur një krizë dhe për të mbaruar një mandat. A duhet të shqetësohen për këtë banorët e Kosovës? Jo! Sepse, pavarësisht kush qeveris Kosovën si protagonizëm, ajo është nën monitorim të fortë ndërkombëtar me një agjendë të parapërcaktuar sidomos për çështje që lidhen për dialogun me Beogradin, Intepolin, Unesco. Në planin ndërkombëtar Kosova do të bëj hapa para duk arritur të anëtarësohet në të tre këto institucione ndërkombëtare. Protagonizmi i atyre që qeverisin Kosovën duhet në çështje që lidhen me rritjen ekonomike, mirëqenien, infrastrukturën, arsimon, sportin. Për të pasur sukses në këtë drejtim duhet të luftojnë korrupsionin dhe informalitetin. A do të ndodh kjo? Për faktin se janë katër kryeministër që do të qeverisin Kosovën mendoj se korrupsioni do të jetë më minimal, sepse janë katër sy që ruajnë njeri-tjetrin e kështu do të detyrohen të vjedhin më pak. Ka edhe një mundësi tjetër më të rëndë, që të katërt të bien dakord për të vjedhur dhe atëherë mjerë Kosova, se nga një hajdutë, do të jenë katër dhe imagjino sa do të jetë dëmi ekonomik.
A do të shkoi deri në fund të legjislaturës kjo Qeveri? Po! Ndoshta mund të ketë lëvizje ministrash, por katër protagonistët kryesor do të mbeten të palëkundur deri në fund. E them këtë sepse, LDK-ja dhe VV-ja janë dy subjekte që s’mund të qeverisin kurrë së bashku. Historia e krijimit të VV dhe krijimi i lidershipit të Kurtit ka ardhur si nevojë dhe antagonizëm me filozofinë e LDK-së.
VV-ja ka vetëm një mënyrë për të qenë në pushtet: ajo do të vijë e vetme ose kurrë nuk ka për të ardhur në pushtet. Pra, Kurti do të mund të bëhet Kryeministër vetëm nëse VV e vetme siguron numrat për të qeverisur. Dështimi i këtij koalicioni është mundësia e vetme për ardhjen në pushtet të VV-së. Megjithatë, në pozitën e tij prej opozitari në Parlament, Kurti duhet të jetë më i pjekur dhe më i kujdesshëm në lidhje me linjën e tij ndërkombëtare sidomos me SHBA-të dhe po ashtu duhet të jetë i bindur se e ardhmja e Kosovës është anëtarësimi në BE. Ndryshe ai rrezikon të ndjekë lidershipin e tij e më vjen keq, sepse është resort për Kosovën.
Çfarë do të ndodh me Haradinaj? Ky është shansi i fundit i Haradinaj për të realizuar të gjitha ato që ka thënë në këto dhjetë vitet e fundit dhe të mbaj fjalën e dhënë para qytetarëve.
Këtë e din Haradinaj e ndoshta më mirë se kushdo tjetër dhe prandaj ishte nervoz pas arritjes së marrëveshjes. Kam përshtypjen se misioni i Haradinaj në politikë do të jetë ky e s’do ketë më mundësi të tjera, sepse ai është bashke-kryeministër edhe me tre të tjerë që kane ideale e mendime të ndryshme dhe s’do të mund të bëj asgjë nga ato që ka thënë ndër vite.

Leave a Reply