Nevoja demokristiane në një shoqëri si kjo e jona

Home » Aktualitet » Nevoja demokristiane në një shoqëri si kjo e jona

By edi on October 15, 2017. No Comments

Nga Alban Daci

Duke qenë i bindur që në Shqipëri nuk kemi filozofi politike, por persona që i kanë marrë të gatshme nga jashtë duke i aplikuar ne sistemin politik shqiptar, pa i zhvilluar në harmoni me komponentet real të shoqërisë tonë, por thjeshtë këto filozofi i kanë adoptuar në emra partish me qëllim final pushtetin dhe interesat personale e po ashtu duke qenë i vetëdijshëm se, shumë pak sot janë të interesuar për këto argument, por duket besuar se në një të ardhme brezat që do të vijnë do i kthehen filozofisë e doktrinës politike si mënyrën për më të mirë të dërguar në një dimension me të largët mendimin njerëzor, vendosa të shkruaj për “demokristianët”.

Në Shqipëri socializmin shumica e lidhin me partinë sociale, demokristianët i lidhin me partitë demokristiane, apo me kryetarët e partive e po ashtu demokracinë e lidhin drejtpërdrejtë me partinë demokratike. Në fakt nuk është kështu, sepse në herë të parë këto janë rryma politike, doktrina politike, ide e studime politike që kanë lindur e janë zhvilluar në vendet e tjera të botës pas shumë studimesh, humultimesh, publikimesh dhe procesesh njerëzore.

Në Shqipëri zakonisht rrymat politike janë adoptuar si kopje dhe menjëherë janë aplikuar në subjekte politik pa ndjekur një linjë të evolucionit historik në vend, pa pasur vëzhgime e studime që lidhen me realitetin tonë social e mbi të gjitha janë drejtuar dhe janë monopolizuar nga persona që kanë shumë pak ose aspak lidhje me rrymat politike e mbi të gjitha me zhvillimin teorik e shkencor të mendimit politik. Kjo për fat të keq ka ndodhur me demokristianët dhe me konvertimin e kësaj rryme me shumë peshë historike e filozofike në subjekte politike nga persona që nuk kanë lidhje me studimin, humultimin shkencor dhe me zhvillimin e shkencës politike si metodë shkencore. Për fat të keq në 27 vite demokristianët dhe filozofia politike demokristiane është përfaqësuar nga nivelet më të larta të injorancës qoftë nga formimi i përgjithshëm akademik, por edhe nga studimet apo aftësitë specifike për të zhvilluar më tej mendimin politik demokristian në një mjedis fekondo të shoqërisë shqiptare. Nuk dua të përmend emra konkret, edhe pse studimi e kërkon, sepse në drejtimin e zhvillimit të doktrinës demokristiane në Shqipëri është bërë shumë pak, ose më mirë të themi, është kopjuar dhe adoptuar filozofia origjinale në formën dhe nivelin e saj më të shëmtuar nga njerëz që s’kanë lidhje me mendimin politik dhe me themelimin e politikës jo vetëm si qëllim të marrjes e ndarjes të pushtetit, por mbi të gjitha si një shkencë që merret me studimet dhe efektet shoqërore duke vendosur në qendër njeriun bashkë me faktorët që e rrethojnë apo e kushtëzojnë në jetën e tij të përditshme dhe në parashikimin apo në përballjen e sfidave në të ardhmen.

Pa dyshim babai i demokristianëve jo vetëm italian, por edhe atyre europian është Don Lugi Sturzo. Ai ishte ndër të parët që diktojë rregullat për një debat korrekt mes besimit fetar dhe politikës, duke garantuar autonominë e secilës dhe duke respektuar që principin se njëra të mos jetë ndikuese tek tjetra e anasjelltas, por të bashkëjetojnë në harmoni duke ofruar cilësi më të mira sociale për jetën e qytetarëve. Qoftë me mendimin e tij, po ashtu edhe përmes dëshmive të ti ka dëshmuar se duhet të jemi vetvetja, në një koherencë absolute, e cila duhet të konceptohet deri në një sakrificë personale për të jetuar dhe për të qenë aktiv në shoqërinë civile. Sipas Sturzos, përderisa besimi fetar mund të element të rëndësishëm në shoqërinë civile, atëherë është e domosdoshme që këto elementë të transformohen në aksione konkrete qoftë edhe përmes një pjesëmarrje aktive në jetën politik duke e parë këtë të fundit gjithmonë në funksion të zhvillimit të shoqërisë civile.

Don Lugi Sturzo falë kapaciteteve të tij të larta intelektuale të zhvilluar që në një moshë të re si dhe eksperiencës si prift duke pasur kontakte të drejtpërdrejta me shoqërinë civile dhe me problematikat e njerëzve duke bashkëpunuar në fillim të viteve ‘900 me dy studiues të tjerë të linjës kristiane, Jacques Maritain dhe Romano Guardini, formon bashkërisht me ta dhe në mënyrë ideale një projekt të bashkëjetesës me rregulla që shpejt do të bëhej një alternativë reale përballë mendimit dhe ideologjisë marksiste. Atëherë, duke pasur parasysh se demokristianët erdhën si një alternativë efikase kundër ideologjisë marksiste e duke menduar se sot ky model nuk ekziston më në formë dhe model shteti, disa duhet të jenë të mendimit se edhe demokracia kristiane (demokristianet) e kanë mbaruar misionin e tyre dhe nuk duhet më. A është e vërteta kështu? Jo! Sepse, modelet e deformuar të marksizmit vazhdojnë të jenë modele shtetërore e qeverisje në shumë vende me demokraci të brishtë ose në tranzicion. Kështu është edhe demokracia jonë. Po kush janë elementët e deformuar të linjës marksiste që vazhdojnë të jenë të pranishme edhe tek ne? Janë të gjitha ato forma që cenojnë hapur ose izolojnë drejtpërdrejtë linjat liberale si në organizimin social të shoqërisë ashtu edhe në zhvillimit ekonomik të vendit. Oligarkia dhe monopolet janë elementët e mjaftueshëm për të dëshmuar realitet social-ekonomik ku ndodhet Shqipëria e përballë këtij realiteti, linja demokristiane siç është dëshmuar në të kaluarën është rryma politike me e suksesshme me forcuar demokracinë si model të organizim social e politik të vendit dhe po ashtu me forcuar liberizmin si model të zhvillimit ekonomik kundër monopoleve të bëra nga oligarkia dhe të vendosura në shërbimin e kësaj të fundit. Kjo situatë sjellë padrejtësi të mëdha social ashtu siç po ndodh realisht në Shqipëri. Padrejtësitë sociale herët a vonë janë prodhime padrejtësisht që nxisin forma të tjera, si revolta apo krimin e organizuar përmes larjeve të hesapeve.

Gjuha e Sturzos, jo vetëm që është një mënyrë komunikimi, por edhe një program i mirëfilltë politik që lidhet me një kod të caktuar etik. Me apelin e famshëm që Sturzo me rastin e themelimit të partisë së parë politike me identitet të qartë katolik (Partia Popullore e themeluar në vitin 1919, me njëherë pas mbarimit të Luftës së Madhe), thërret në kauzë koshiencën dhe mbajtën e karakterit, si përdorim pluaral (shumicës) duke bërë të dukshëm imazhin e një komuniteti të vetëdijshëm të përbërë nga individ që dinë të gjejnë pikërisht arse për të ushtruar përgjegjësitë personale. Qendra e gravitetit për Sturzon janë “drejtësia dhe liria” që i konsideron ideale supreme për tu ndjekur, një binom që do të bëj lajtmotivin deri në ditët e sotme. Folja me e rëndësishme e përdorur gjerësisht në publikimet, fjalimet apo ndërhyrjet e Sturzos është “me bashkëpunuar” dhe kjo do të shërbente për të pasur një gjithë përfshirje sociale. A nuk jemi edhe sot përballë një realiteti të tillë në shoqërinë tonë shqiptare. A nuk kanë më shumë se kurrë shqiptarët për drejtësi dhe liri dhe a nuk do të ishte “bashkëpunimi” forma dhe mënyra me e mirë për t’i realizuar. Pra, e kuptoni sa aktuale është linja e mendimit demokristian në realitetin social shqiptar.

Don Lugi Sturzo edhe pse ishte pjesë e Kishës Katolike duke qenë prift me themelimin e Partisë Popullore e më konkretisht gjatë ndërhyrjes së tij në Kongresin e Bolonjës në qershor të vitit 1919 ai nënvizon se: nuk quhem parti katolike, sepse katolicizmi është besim fetar,është diçka universale, ndërsa partia është politikë, është ndarje idesh e mendimet apo qëndrimesh. Ai nuk preferon të flas ne emër të Kishës, ta përdor apo të përfshirë atë në projektin e ri politik që e konsideron si një impenjim politik me orientim liberal përballë koshencës për të zgjidhur problemet e qytetarëve.

Don Luigi Sturzo, si studiues i fenomeneve sociale, si njeri i aksion politik përmes Partisë Popullore, nuk bën atë që kishin bërë të tjerët përpara tij duke krijuar modele imagjinare të formimit apo funksionimit të shoqërisë civile. Origjinaliteti i tij konsiston në atë që quhet “utupia e Sturzos”, një “vend me rregulla”, vendi me të drejta dhe detyrime; vendi ku shoqëria civile dhe autonomitë gëzojnë primatin; vendi i rregullave që duhet të ndërtohen së bashku; vendi ku çdo kush kërkon të realizojë vlerat e larta humane, dhe për atë që beson, të krishtërimit, në një dialog të vazhdueshëm dhe në bashkëndarje të vazhdueshme e pa censurë. Me pak fjalë ky vend për Don Luigi Sturzo, është vendi ku demokracia ndihen si në shtëpi.

Betejat e Don Luigi Sturzo kanë qenë kundër partitokracisë, ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, financimit të politikës. A nuk janë edhe sot këto tema të rëndësishme për modelin që duhet të kemi dhe të ndjekim?

Don Luigi Sturzo ka hapur edhe një debat tjetër mjaft të rëndësishëm edhe në ditët tona: Si duhet të jetë një politikan i mirë? Kjo temë mjaft interesante “Të shërbejnë dhe jo të jemi të shërbyer”. Një ndër cilësitë kryesore që duhet të ketë një politikan sipas Sturzos është të jetë i “sinqertë dhe i ndershëm”. Këto cilësi në realitetin politik shqiptar konsiderohen si cilësitë e një politikani të dobët që nuk ka mundësi të ec përpara dhe të bëj karriere.

Sturzo nënvizon se: “nëse dashuron shumë paranë mos u merr me politik”. Kjo është temë mjaft aktuale në Shqipëri. Shumica e politikanëve shqiptar, e duan aq shumë paranë, sa kjo e fundit është arsye kryesore që i shtyn të hyjnë e të bëjnë politikën me idenë dhe qëllimin final për të pasuruar shumë e shpejt. Pra, pasurimi në mënyrë të paligjshme duke përdorur pushteti, jo si formë të lartë përgjegjësie apo shërbimi ndaj publikes, por si mënyrë për të ndjekur e kënaqur nevojat e pasionet personale. Etj etj. Në vazhdim do të vazhdoj një linjë publikimesh dhe studimesh në lidhje me mendimin politik, rrymën politike demokristiane duke u përpjekur për ta fekonduar një alternativë reale në realitetin tonë social dhe mbi të gjitha në shoqërinë civile. Ky shkrim është vetëm hapi dhe nuk kisha si ta nisja më mirë se sa me Sturzon dhe nuk mbaron me kaq, sepse dimensioni i Sturzos si politolog, sociolog dhe politikan është shumë më i madhe dhe i gjerë se sa ky shkrim. Këto studime e publikime kanë për qëllim për të informuar shqiptarët në lidhje me rrymën e vërtetë demokristiane dhe linjën e mendimit politik real që ajo ka zhvilluar që nga fillimi e për të dëshmuar se partitë demokristiane shqiptare, nuk kanë lidhje me demokristianët europian, por vetëm e kanë adoptuar keq në subjektet politike dhe e kanë keqpërdorur për interesa politike duke rrezuar të gjitha parimet dhe idetë e demokristianëve të vërtetë.

Leave a Reply