Larg duart nga Himara

Home » Aktualitet » Larg duart nga Himara

By edi on November 6, 2017. No Comments

Nga Alban Daci

Nuk po i hyj të bëj historinë nëse Himara është shqiptare, sepse këtë e din dhe e ka mësuar edhe gomari me fakte historike e me dëshmi të gjalla. Të thuash apo të pretendosh se Himara është greke është njëlloj sikur të besosh e të jesh dakord se Dibra është sllavo-maqedonase. Nëse jam dakord për ndarjen territoriale, jam dakord vetëm për rastin e Himarës. Nëse nuk bëjmë kujdes të ruajmë sovranitetin tonë me metoda kushtetuese, një ditë do të gjendemi me Himarën njëlloj si Spanja me Katalonjën.

Nëse kam një pikë si qytetar që jam dakord me Ramen, jam për politikën e vazhdueshme e të pandryshueshme që ka mbajtur që nga 2013 me Greqinë. Madje jam akoma me shume për një politike të një reciprociteti me të barabarte e të ashpër me Greqinë. Jemi dy shtete sovrane e duhet të respektohemi si të tillë në çdo rrethanë apo situatë që jemi subjekt i të Drejtës Ndërkombëtare në fuqi.

Ne duam paqe, duam marrëdhënie të mira e bashkëpunim në çdo fushë me Greqinë se , jemi dy popujt me të lashtë të Rajonit, por sjellje tona dashamirësie Greqia nuk duhet t’i marr për dobësi dhe t’i përdor për të realizuar qëllimet e saj shoviniste. Shqipëria ka një histori të gjatë patriotike, e theksoj patriotike dhe jo nacionaliste, sepse kurrë nuk ka bërë luftë për të pushtuar, por për shkak të rrethanave historike është detyruar të bëj luftë patriotike, mbrojtëse.

Shqiptarët janë një popull i orientuar kryesisht për paqe dhe bashkëpunim me popujt e tjerë dhe në historinë tonë e kemi dëshmuar shumë mirë këtë gjë, e madje sot, nëse ndodhemi në situata padrejtësie është se kemi qenë shumë të hapur/bashkëpunues me popujt e tjerë dhe disa prej tyre që sot kërkojnë akoma më shumë padrejtësisht në kurrizin tonë, i kemi mirëpritur, ju kemi ofruar shtëpitë tona, ju kemi siguruar jetën dhe ju kemi larguar urinë dhe shpejt nën konceptin e besës që na karakterizon, filluan të na merrnin shtëpi dhe të na dëbonin nga tokat tona. Kjo është historia, herë e shkruar e herë e pashkruar, por të gjithë popujt e Rajonin dhe ato të Mesdheut e dinë shumë mirë.

Nëse ka një popull që ka përqafuar që në fillimet e tij doktrinën e BE, është pikërisht populli shqiptar. Madje, mund të themi se vetë BE-ja dhe format të tjera të bashkëpunimit në Rajon janë frymëzuar nga tradita paqësore dhe bashkëpunuese e shqiptarëve. Pra, nëse sot do të diskutohej se kush është populli më evropian dhe që duhet të ishte i parë i anëtarësuar, ky padyshim duhet të ishte populli shqiptar.

Rinia shqiptare është rinia më kozmopolite në Rajon dhe më gjerë e kjo për shkak të traditës tonë si popull, por edhe për shkak të faktit se, shumica e tyre kanë emigruar në shumë vende të Europës, duke përfshi edhe Greqinë dhe e kanë kuptuar më së miri se forma më e mirë për të jetuar në paqe dhe me mirëqenie është hapja me të huajt, bashkëpunimi me ta dhe rritja e shkëmbimeve ekonomike, kulturore dhe sociale.

Ndoshta, fqinjët tanë, mendojnë se shqiptarët nuk janë patriotë dhe nuk janë të gatshëm të mbrojnë trojet apo ekzistencën e tyre. E kanë shumë gabim nëse mendojnë kështu. Shqiptarët preferojnë dhe kërkojnë të jetojnë në paqe, por nëse kjo është e pamundur duke u vënë në rrezik ekzistenca e tyre, ata dinë edhe të luftojnë dhe madje jehona e tyre për trimëri dhe luftë është mjaft e njohur nga fqinjët tanë.

Nëse fqinjët tanë mendojnë se mund të sulmojnë, të na trajtojnë si inferiorë dhe të na dhunojnë, sepse mendojnë në superioritetin e tyre ushtarak dhe në zhvillimin e tyre ekonomik, gabojnë shumë, se sa më të varfër të jemi ne, aq më të fortë jemi në luftë. Historia ka treguar se edhe superioriteti i numrit të popullsisë nuk është një faktor që përcakton fitoret ndaj shqiptarëve e këtë e kanë provuar edhe perandori të mëdha, si Perandoria Osmane. Nuk ka avionë mig29 apo f35, raketa apo fuqi ushtarake që mund të mposhtë shqiptarët në luftën e tyre të drejtë. Luftërat që bëhen për lirinë e një populli janë gjithmonë fituese, sepse vihet në diskutim ekzistenca fizike e tyre e përballë një realiteti të tillë, nuk ka forcë që i ndal dhe i mposhtë.

Greqia sot mund të mburret për forcën e saj ushtarake dhe mund të aludojë të na sulmojë, do të bënte gabimin më të rëndë në historinë e saj, sa do të na vrasin, të na dhunojnë e ta në shtypin, qoftë edhe një shqiptar i vetëm do të mbijetonte dhe do të ngrinte flamurin e Skënderbeut në Akropol.

Sigurisht nuk jam dakord që gjërat të shkojnë kështu, sepse jemi dy popuj që kemi shumë nevojë për njëri-tjetrin, që jo vetëm në kuadër të politikave të BE, por edhe falë marrëveshjeve bilaterale, territoret tona t’i kthejmë në hapësira të përbashkëta të bashkëpunimit ekonomik, të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe të shkëmbimeve në nivelet shkencore dhe universitare.

Greqia po kalon një krizë të thellë ekonomike, ndërsa Shqipëria, pavarësisht politikave, është një vend në “lëvizje”, me perspektiva të qarta për rritje të qëndrueshme ekonomike. Greqia nuk duhet ta vendos politikën ekonomik në shërbim të politikave nacionaliste, ose të përdor marrëdhëniet ekonomike e politike për shantazhe nacionaliste. Nëse do të vazhdojë me këto teori e këto sjellje, do të ketë vetëm humbje e kjo nuk është mirë, sepse të gjitha mundësitë janë që të dy popujt të bashkëpunojmë e të rritemi së bashku.

Çështja e Himarës, në çdo këndvështrim, historik, politik, sovraniteti dhe ndërkombëtar është çështje ekskluzive e brendshme e shtetit shqiptar. Kushdo që kërkon ta trajtojë në një këndvështrim tjetër, kërkon të çoi Rajonin në një situatë të re, të rëndë dhe me aventura të rrezikshme për të gjithë.

Kam ndjekur çështjen e pronave aktualisht në Himarë dhe ndjek neveri, sepse kjo çështje e mirëfilltë institucionale, mes privatit dhe Shtetit, po përdoret për interesa politike lokale, disa që e konsiderojnë vetën e tyre biznesmen e duan të marrin nën kontroll politikisht Himarën dhe në të ardhmen duan të kandidojnë për ta drejtuar si Bashki e po ashtu edhe në nivel kombëtar e ndërkombëtar, ku për fat të keq edhe disa eksponent të Opozitë, për shkak edhe Vangjel Dulës, duan ta përdorin Himarën si “kurban” për të marr pushtetin e në të njëjtën kohë duke i shërbyer edhe Greqisë.

Nëse ka ndërtime pa leje, duhet të legalizohen e nëse duhet të prishen për shkak të interesit publik si pasojë e zhvillimit urban, jam dakord të prishen, po pavarësisht nëse janë të legalizuara apo jo, pronarët duhet të shpërblehen në konform ligjit, sepse kanë harxhuar para, kanë investuar e vendosur kursimet e një jete. Në çdo vend të botës për shkak të zhvillimeve të vazhdueshme e zgjerimeve të vazhdueshme urbane, prishen ndërtesa, ndërtohen të reja, krijohen hapësira të reja. Nëse zhvillimi urban që po tentohet dhe duhet të bëhet në Himarë është për të rritur standardet urbane dhe cilësinë e shërbime të turizmit, kjo është një gjë e mirë që do të jap fryte në mirëqenien e qytetarëve. Politika e zaptimit të hapësirave urbane, të pronarëve të shtirur duhet të marr fund në çdo pëllëmbë tokë të territorit shqiptar.

Greqia duhet të heq dorë nga politikat e saj shoviniste që mund ta dërgojnë Rajonin në një humnerë që as ata vetë nuk do të kenë shpëtim. Çdo konflikt i ri aventurier në Rajon nuk përcakton asnjë fitues, të gjithë do të jenë të humbur dhe do të përballen me situata që nuk mund të imagjinohen në kohë paqeje.

Çështja e pronave na Himare është vetëm çështje e brendshme e shtetit shqiptar dhe me natyrë ligjore sipas kuadrit ligjor të vendit tonë e duhet të zgjidhet vetëm përmes këtyre mekanizmave.

Greqia nuk ka pune me sovranitetin e Shqipërisë e po ashtu s’ka as moralin të hyj në këtë valle, sepse çamët kanë me shume se 70 vjet që nuk shkojnë në pronat e tyre dhe s’ka asnjë ngjashmëri apo krahasim mes Himarës e Çamërisë.

Leave a Reply