EDUART NDOCAJ, PJES NGA LIBI IM. “JETA IME;Viti 1996, ëndrra drejt Italisë bëhet realitet.

Home » Kulture » EDUART NDOCAJ, PJES NGA LIBI IM. “JETA IME;Viti 1996, ëndrra drejt Italisë bëhet realitet.

By arberia on August 9, 2018. No Comments

Viti 1996, ëndrra drejt Italisë bëhet realitet

Ishte pikërisht viti 1996, kur vendosa të udhëtoja drejt Italisë. Ky mund të konsiderohet viti i një fillimi të ri për mua, sepse, pas këtij udhëtimi, gjithçka do të ndryshonte në jetën time, sigurisht për mirë. U nisa me një çantë lëkure në dorë nga Lezha drejt Vlorës. Udhëtimi ishte shumë më i gjatë se sot, sepse ishte vështirë me gjet mjet transporti e duhej me e ndërruar disa herë, sepse nuk kishte linjë direkt. Më në fund, arrita në Vlorë…
Nisja nuk ishte e menjëhershme. Duhej të qëndronim disa ditë në Vlorë, sepse duhej të prisnim vendimin e skafistëve për orën dhe ditën e nisjes. Vendimi i skafistëve, zakonisht, varej nga moti, nga numri i njerëzve, por ato kërkonin edhe informacione për pa-trullat dhe kontrollet e autoriteteve italiane. Kishte raste që nisja zgjaste me javë, ose kishte raste që nisja nuk zgjaste më shumë se 24 orë.
Mbajt mend se, në atë kohë, në media dhe nëpër kafe flitej se deputetë e politikanë kontrollonin trafikun e shqiptarëve drejt Italisë e kur e mendoj sot këtë gjë të tmerrshme irritohem shumë.
Pra, ishte vetë politika shqiptare ajo që stimulonte braktisjen e shqiptarëve dhe fitonte mbi fatkeqësitë e tyre. Këtë nuk na e kanë bërë as grekët,as sllavët,as turqit,as italianët e as gjermanët. Nuk tho-në kotë, tradhtari i brendshëm është më i rrezikshëm se i jashtmi, sepse i jashtmi dihet dhe e ke përballë, në llogore, kurse të brend-shmin nuk e njeh dot, se jeton vazhdimisht me të.
Shqipëria ka pasur tradhtarë të brendshëm, po aq sa të jashtëm. Madje, të brendshmit, në shërbimin e të jashtmëve, kanë qenë më të devotshëm për të dënuar shqiptarët e për t’u marr peng të ardhmen. Besoj se të gjithë jemi dakord se tradhtia e Esat Pashë Toptanit ka qenë më e rëndë dhe më e dëmshme, se sa masakrat e serbëve.

Kur arritëm në Vlorë, të gjithë kishim një ndjesi të çudit-shme gëzimi, edhe pse jeta jonë, në atë udhëtim, do të ishte në fije të perit. Kurioziteti drejt të panjohurës shoqërohet me shpresën, se, më mirë do të bëhet. Kjo është ndjesia, se, përballë kemi një portë dhe ne kemi optimizmin, se, pas portës është shpresa, por mund të jetë edhe vdekja. Megjithatë, ne preferojmë e dëshirojmë të mendojmë, se, pas portës, është vetëm shpresa. Natën, që vendosëm të niseshim, deti ishte shumë i trazuar. Ne ishim rreth pesëdhjetë persona në go-mone, qielli ishte i zymtë dhe një heshtje na kishte pllakosur të gji-thëve. Dukej si një ceremoni vdekje me njerëz të gjallë, të gjallë fizikisht, por, thuajse, të vdekur shpirtërisht nga vuajtjet e shumta që secili prej nesh kishte përjetuar në jetë.


Skafi, normalisht, merrte maksimumi dhjetë persona, por ne u imbarkuam shpejt e shpejt dhe u bëmë gjithsej rreth pesëdhjetë persona. Udhëtimi i paguar nga ne ishte për Brindizi. Sa hipa në gomone m’u kujtua periudha e shërbimit ushtarak dhe më ngjante si në rastet e operacioneve stimuluese të ndërhyrjes së shpejtë. U mbu-lova me një mushama e merrja frymë gjatë gjithë udhëtimit vetëm përmes një vrime, ku mushamaja kishte rastisur, për fatin tim, e grisur.


Sapo u afruam rreth dhjetë metra larg bregut, na urdhëruar të hidheshim të gjithë në det. Uji ishte shumë i ftohtë e ata të skafit nuk pyetën fare për temperaturën e ulët të ujit, apo për faktin se nëse ndonjëri prej nesh nuk dinte të notonte. Skafistët na kërcënonin me tytën e kallashnikovit dhe nëse ne kundërshtonin të zbatonim urdhrin e tij, ata ishin të gatshëm edhe të na vrisnin.
Kishim dëgjuar histori, kur skafistët kishin qëlluar e vrarë pasagjerët, apo i kishin hedhur edhe me fëmijë të vegjël në det, apo edhe gra shtatzëna. Kjo është historia jonë në atë periudhë, kur ne nuk gëzonim as identitetin si qenie njerëzore e jo më për të Drejtat e Njeriut.
Sot, me siguri, mund të duket se po e ekzagjeroj, por e vër-teta është se ndoshta nuk kemi guximin ta tregojnë të vërtetën e asaj periudhe, sepse është më e hidhur. se sa brezi sotëm mund të dëgjojë. apo lexojë. Fëmijët tanë është mirë ta mësojnë të kaluarën tonë e këtë ta bëjnë jo për të ndjerë keqardhje, por për të mësuar nga gabimet tona, që të mos i përsërisin. Jeta është një mësim. Jeta ka të kalua-rën,të tashmen e të ardhmen,dhe asnjëra nga këto periudha nuk mund të fshihet, nuk mund të mohohet, apo mund të mos merret në kon-sideratë. E kaluara është mësim, e tashmja është realiteti dhe e ar-dhmja projektohet nga eksperiencat e këtyre dy të parave.


…Pas urdhrit të skafistëve u hodhëm në det. Unë kisha atë çantën e famshme të lëkurës e ndjehesha si VIP, sepse isha i vetmi që kisha një të tillë, kurse të tjerët ishin me duar në xhepa. Me shumë mund e sakrifica arritëm të dilnim në breg e sapo bëmë rreth dhjetë metra në këmbë na rrethoi policia italiane. Rrugën na e kishin bllo-kuar nga të dyja anët, sepse policia kishte krijuar një grackë perfekte. Në anën tjetër ishte shkëmbi dhe e vetmja mundësi për t’u arratisur ishte ana tjetër, e cila ishte e mbuluar me ferra.


Nuk kishim rrugë tjetër. Kishim ëndërruar që në fëmijëri të vinim e të jetonim në Itali. Për ta realizuar këtë ëndërr isha i gatshëm edhe të flijohesha e në Shqipëri nuk doja të rikthehesha më. Me një guxim prej kamikazi vendosa të çaja ferrat, që ishin si rrethim me tela me gjemba. Ishte e tmerrshme, por, falë guximit e vendosmërisë ja dola të ikja nga policia italiane. Bashkë me mua u larguan edhe dymbëdhjetë të tjerë, mes tyre edhe shoqëruesi. U turrëm si dele të mbyllura për kohë të gjatë në fushat e Brindisit. Nesër, duke dalë drita, shoqëruesi mori në telefon disa taksi private dhe erdhën me na dërguar nëpër destinacione. Ishte një sfidë e jashtëzakonshme, sepse kishim 24 orë, që nuk kishim ngrënë e as nuk kishim pi. Me taksi arritëm në stacionin e trenit të Fogia-s. Taksisti, nga frika, na la pak larg stacionit.
Arrita tek stacioni i trenit në këmbë dhe ju drejtova bile-tarisë, duke i kërkuar një biletë për Milano. Isha i ngrirë nga frika se mos biletashitësi do të njoftonte policinë. Ky është ai sentimenti i të qenit klandestin, kur ke frikë edhe nga hija jote.Mijëra e mijëra shqiptarë e kanë kaluar këtë sentiment, që të bën të padukshëm në një shoqëri demokratike.

Atë kohë sheshet e Italisë dhe stacionet e trenave kishin fi-lluar të mbusheshin me shqiptarë dhe nuk ishte e vështirë për t’i kuptuar, se rrinin të trembur, me rroba të dalë jashtë mode, me flokë të paqethura. Ata dëshmonin, më së miri, realitetin e vështirë, ku kishin jetuar. Italianët, në dallim me grekët, kanë qenë në atë kohë shumë miqësorë me ne e për këtë duhet të jemi mirënjohës. Madje, shumë familje italiane, në atë kohë kanë birësuar shumë adoleshentë shqiptarë, të cilët, sot janë integruar në jetë e në profesione dhe shprehin një mirënjohje të thellë për prindërit adoptiv.


Punonjësi i sportelit, jo vetëm që nuk po njoftonte policinë, por ai e kuptoi se kishte diçka që nuk shkon tek unë, se isha i huaj (straniero albanese). Nuk ishte e vështirë ta kuptonte se unë isha i sapo zbritur në realitetin italian. Më këshillojë të bëja kujdes nga kontrollet e policisë, duke më thënë të mos sillesha shumë në mjediset e stacionit. Unë, nuk lëviza fare, sapo bëra biletën u struka në një cep dhe prita aty derisa erdhi momenti, kur mbërriti treni në stacion. Këtë moment, zor se do e harroj ndonjëherë, sepse ai tren m’u duk si treni që do shpinte në botën e ëndrrave. Ai tren m’u duk si engjëlli shpëtimtar. Mora çantën e lëkurës, që kisha në dorë, e cila më jepte sensacionin sikur më ishte ngjitur, sepse nuk e kisha lëshuar për asnjë çast nga dora që nga imbarkimi në Vlorë dhe u drejtova me gjysmë vrap drejt trenit.


Në momentin, kur po ngjitesha në tren, pashë se një polic i trenit po vinte me vrap drejt meje dhe gjaku m’u bë ujë. Për pak çast m’u errësuan sytë dhe mendova se ëndrra ime mbaronte këtu, për t’u rikthyer përsëri në ferrin e Shqipërisë, që e kisha braktisur me shumë mundë e sakrifica të mëdha.
Polici i trenit, ose më saktë kontrollori, më arriti dhe më preku në shpatull e diçka po më broçkulliste për biletën. Unë, nuk po kuptoja asgjë dhe po mundohesha t’i shpjegoja se e kisha biletën. Ai, pasi më pa biletën në dorë, duke buzëqeshur ma mori dhe e futi në një kuti, ku bëri një zhurmë “gërzh”. Më vonë e kuptova se ky quhej timbrimi, ose më saktë procedura konvalidimit të biletës, që shënon në mënyrë digjitale orën dhe datën e nisjes së udhëtimit.
Isha i lodhur dhe i rraskapitur, sepse kisha rreth 48 orë pa fjetur gjumë dhe pa ngrënë asgjë. Nuk kisha ngrënë, sepse nuk kisha asnjë lekë në xhep. Në këto kushte, kanë emigruar mijëra shqiptarë në vitet ’90 e këtë e kanë bërë me shpresën për të nisur një jetë të re. Disa kanë pasur fatin ta realizojnë, e disa të tjerëve, fati i zi ua ka prerë në mes. Mijëra e mijëra shqiptarë kanë vdekur në kufij me Greqinë, disa të vrarë, disa të mbytur në lumë, disa të tjerë kanë rënë në greminë, disa kanë vdekur nga i ftohti. Po ashtu, shumë shqiptarë kanë përfunduar në fundin e Otrantos, në tentativat e tyre për të arritur brigjet italiane. Ky ishte realitet i hidhur i shqiptarëve të dalë nga regjimi komunist i izolimit, që shqiptarët i kishte zhveshur ekonomikisht, politikisht dhe moralisht.
Sapo u nis treni, u shtriva në një sedilje dhe menjëherë ndje-va kënaqësinë sikur të ishte krevati më i mirë në botë. Megjithatë, unë flija, por me mua nuk po flinte frika. Pas disa orësh udhëtimi, në kabinën, ku isha unë, erdhi një personi dhe më preku. Siç duket, vendi ku isha ulur do të zihej nga personi që më preku, sepse kishte bërë biletën me vend të rezervuar. I kërkova falje dhe dola në korridorin e trenit, sepse nuk kishte më vend të lirë. Po shikoja nga dritarja fusha pa fund të sistemuar si me dorë, siç themi ne, shqip-tarët, me vreshta e me të mbjella. U mahnita nga bukuria dhe rre-gulli. Po pyesja veten, se si i kishin bërë kaq bukur. Dukeshin sikur i kishte zbukuruar Zoti me dorën e tij dhe jo dora e njeriut. Bëja kra-hasime me Shqipërinë dhe mendoja për vreshtat që ne i kishim prerë dhe i kishim shkatërruar. Mos vallë ne ishim me të mençur se këta? Jo! Sepse, këta jetonin shumë më mirë se ne! Ndërsa, ne e kishim kthyer realitetin tonë në primitivitet!

Pas disa orësh udhëtimi, mes ankthit e frikës, që më shoqë-ronte në çdo moment, arrita, më në fund, në stacionin “Milano Centrale” të Milanos. U mahnita nga ajo ndërtesë gjigante, nga numri i madh i njerëzve, nga numri i madh i trenave. Më dukej një botë tjetër, që imagjinata ime e varfër nuk kishte pasur mundësi as ta dizenjonte. Besoj se e keni parasysh faktin se kur nuk din ekzis-tencën e diçkaje, nuk ke as mundësitë për ta imagjinuar. Imagjinata kalon përmes përjetimit dhe unë nuk e kisha përjetuar asnjëherë më parë një gjë aq gjigante.
Kisha vetëm pak lireta në xhep, sa për të bërë një telefonatë. Pashë një kabinë telefoni, që më ngjante si ato kabinat që kishim parë nëpër filma. Pasi disa tentativash arrita më në fund të lidhesha me kunatin, Gjokën, por ai ishte në spital, sepse motra po lindte fëmijën e parë. Erdhi e më mori kunati i motrës, Viktori i shoqëruar nga një mik i tij, Mirashi, nga Dukagjini. Kur i pashë përjetova një kënaqësi të paimagjinueshme e para syve të mi ata u shfaqen si engjëjt shpëtimtarë. U përshëndetëm dhe u pyetëm, mora një gëzim tjetër, isha bërë dajë, sepse motra kishte lindur djalë dhe emrin ja kishte vënë Palë (në italisht Paolo).
Gëzimi, se, isha bërë dajë ishte shumë i madh, dhe më bëri të harroja vuajtjet e mëparshme dhe sakrificat e mëparshme. Mezi prisja të shkoja në spital e të takoja motrën e të shikoja nipin. Filli-misht më çuan në shtëpi e më dhanë për të ngrënë, sepse ata e dinin se si ishte udhëtimi në atë kohë dhe çfarë realiteti kishim lënë pas shpine në Shqipëri. Për atë ditë ishte mbyllur orari i vizitave në spital e më duhej të shkoja vetëm nesër. Nesër u zgjova herët, vetja më dukej i rilindur, isha krejt i çlodhur dhe mezi prisja të shkoja tek mo-tra në spital. Si sot më kujtohet, çasti kur po ngjisja shkallët e spitalit, krejt emocion. Më në fund, arrita tek dhoma, ku ishte motra. Lotët na dolën nga gëzimi. Një mrekulli e Zotit ishte edhe ardhja në jetë e ni-pit të parë dhe unë si dajë ndjehesha i lumtur që isha pranë tij në ditët e parë të jetës njerëzore.
Kështu, fillojë jeta ime e kurbetçiut, një jetë e vështirë, që “nuk duhet t’ia urojmë as hasmit”.Mërzia shpejt më kaplo-jë shpirtin, sepse e kuptova se do të qëndroja gjatë e në Shqipëri kisha lënë të dashurit e mi, familjen time të shtrenjtë. Kisha lënë gjysmën time të zemrës, sepse sapo isha fejuar me një vajzë në Malaj të Mirditës dhe e dija që nuk do ta takoja për shumë kohë. Duheshim shumë, por ki-sha frikë se distanca do të ishte një sfidë e papërballueshme dhe frika se mund të ndaheshim ishte pjese e përditshme e mërzisë në emi-gracion.
Kaluan ditët e muajt e akoma nuk kisha gjet punë. Arrita t’i shkruaja të fejuarës dy letra në javë dhe po ashtu nga ajo merrja një ose dy letra ne javë. Kisha edhe nipin që e doja shumë dhe isha kthyer në një kujdestar për të se kalonim shumicën e kohës bashkë. Pas disa muajsh, falë Viktorit, gjeta, më në fund, një punë. Fillova të punoja për një kalabrez, që quhej Salvatore. Në fillim, më kërkojë vetëm për tre ditë punë, por ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm e shpejt u kthye si një prindër i dytë për mua. Megjithatë, nga dita që fillova punë, duke punuar me ndershmëri e lodhje të madhe, arrita t’i fitoja respektin e kështu punova për të për rreth tre vjet rresht.
Shpejt ia mora dorën punës dhe u ktheva një mjeshtër ndër-timi e sidomos një murator i shkëlqyer. Kështu, çdo ditë shkoja në punë, punoja me orë të gjata, kthehesha në darkë dhe nisja ëndrrat e moshës sime, ndër të cilat më e rëndësishmja ishte dëshira për të krijuar një familje, të bashkuar me të fejuarën e me jetuar, ashtu siç jetonin familjet italiane. Ëndrrat dhe dashuria për të fejuarën më jepnin optimizëm e forcë të punoja çdo ditë e më shumë dhe kisha një besim tek vetja se një ditë do të bëja gjëra të mëdha e do të isha dikush. Arma më e fortë e imja ka qenë, gjithmonë, besimi se një ditë do t’i realizoja ëndrrat e mia.
Në vitin 1998, më mori në tel nga Greqia vëllai, Alfredi, dhe më tha se kishte vendosur të vinte në Itali. Ai kishte vendosur të hipte në një kamion dhe fshehurazi të vinte në Milano. Unë, isha i trazuar dhe isha në merak për udhëtimin, që do të bënte, sepse ishte shumë i pasigurt dhe shumë i vështirë. Gjithçka mund të ndodhte rrugës e unë nuk isha në gjendje t’i gjendesha pranë.
Ai, i vendosur për të marr atë udhëtim, u nis e pas disa orësh më merr ne tel e më thotë se ishte në Piacenza. Unë, sapo kisha blerë një makinë “Citroen”, por nuk ja kisha marrë dorën mirë e nuk kisha as patentë. Gjithashtu, as nuk i nji-hja fare zonat, sepse. për herë të parë kisha ardhur në Milano e nuk kisha lë-viz më prej aty. Gjith-monë, kisha punuar brenda në Milano e nuk më ishte dhënë mun-dësia të vizitoja qytetet e tjera. Pastaj, e nisja punën në mëngjes dhe e lija në darkë e nuk kisha as kohë të lëvizja me parë qytetet e tjera të Italisë.
Pa u menduar dy herë. ashtu siç bënë vëllai për vëllanë. mora makinën, u nisa dhe i thash Alfredit të më priste aty ku ishte. I thash kështu se po të lëvizte kisha frikë se do të humbiste e unë nuk do e gjeja dot.
Alfredi pasi më kishte pritur për disa orë ishte mërzit e kishte dalë me bërë “autostop”, për të ardhur vetë në Milano. Një shofer, që kishte kaluar, e kishte pa Alfredin si fëmijë dhe e kishte marrë, por i kishte thënë se ishte për Torino. Alfredi nuk kishte kuptuar asgjë. Pas disa orësh udhëtim e sorollatje arrita aty ku i kisha thënë Alfredit të më priste, e kërkova e nuk gjeta e gjaku m’u bë ujë, sepse nuk e dija, ku ishte e nuk kisha asnjë lloj mundësie me u lidh me të.
Shpresa vdes e fundit e kisha një parandjenjë që mund të më binte telefoni e kështu ndodhi pas dy orësh më bjerë telefoni dhe më doli shoferi që kishte marrë Alfredin, më qetësoj duke më thënë se Alfredi ishte me të e po më pyeste se ku duhet ta linte. I tregova vendin shoferit se ku do e linte Alfredin dhe këshillova këtë të fundit që këtë herë nuk do të lëvizte për asnjë motiv nga aty, derisa të shkoja unë.
Nga lodhja e mosnjohja e territorit humba edhe vetë e po sillesha vërdallë Lombardisë, e cila është sa e gjithë Shqipëria. Të gjeja vëllanë, në këtë territor të madh, ishte sikur të fitoja Tele-bingon, ishte tamam si me gjet gjilpërën në kashtë. Jam sjellë 24 orë nëpër Lombardi, duke i kontrolluar të gjitha rrugët, po plasja nga mërzia e sa herë më merrnin vëllai dhe baba në telefon u thosha ja dhe një orë dhe arrijë. Ndalesha në çdo autogril, sepse nuk dija ç’po bëja, se e kisha humb edhe vetë fillin. Nga mëngjesi, pasi kisha bërë rreth 1500 km. nëpër Lombardi, thashë të hyja në autogrilin e fundit dhe ashtu bëra. Sa hyra, pashë Alfredin, që po më priste aty. Po plasja nga gëzimi, që e gjeta. Ishte i veshur me një palë pantallona të zeza dhe një çantë shpine. E mora në krah dhe hipëm në makinë për të shkuar tek shtëpia, por nuk e dija as vetë se ku ishte. Por, tani që isha takuar më vëllanë, nuk e kisha problem. Njoftova shtëpinë se isha takuar me Alfedin, por nuk u tregova se kishim humb dhe se nuk gjenim dot shtëpinë.

Leave a Reply