Familja Ndocaj (Sumaj), Atje ku Fisnikëria Lind Dhe Trashëgohet Brez Pas Brezi. (PJESA E PARE) KOLË GJOKË DEDA I MANATISË, PLAKU I BAJRAKUT TË MANATISË.

Home » Kronike » Familja Ndocaj (Sumaj), Atje ku Fisnikëria Lind Dhe Trashëgohet Brez Pas Brezi. (PJESA E PARE) KOLË GJOKË DEDA I MANATISË, PLAKU I BAJRAKUT TË MANATISË.

By arberia on August 4, 2018. No Comments

Familja Ndocaj (Sumaj), Atje ku Fisnikëria Lind Dhe Trashëgohet Brez Pas Brezi. (PJESA E PARE)

KOLË GJOKË DEDA I MANATISË, PLAKU I BAJRAKUT TË MANATISË.

    

Kolë Gjokë Deda lindi në fshatin Manati të bajrakut me të njëjtin emër, njëri ndër 12 bajrakët e Mirditës.
Lindi në një familje me tradita patriotike, nga dera NDOCAJVE, e cila bënte pjesë ndër shtëpitë e para në bajrakët e Malësisë së Lezhës, dhe që mbante titullin e Vojvodës. Familja e Gjokë Dedës, ka qenë një bazë e rendësishme dhe mbështetëse e luftërave të mirditorëve kundër pushtueseve.

I ati, Gjokë Deda ishte pjesë e luftëtarëve mirditorë që morën pjesë në mbrojtjen e Hotit dhe të Grudës, të prirë nga kapedani Preng Bib Doda, ku dhe dha jetën në luftime, në Tuz në vitin 1880, dhe koka e tij përfundoi në tepsi te Krajl Nikolla.

I rritur në këtë familje patriotike, Kolë Gjokë Deda, që në moshë të re merr pjesë me armë në dorë në luftë kundër pushtuesve turq.Pati një kontribut të spikatur gjatë kryengritjeve të viteve 1911-1912.

Më 11 maj 1912, merr pjesë në Kuvendin e Zejmenit, ku pati përfaqësues nga 12 bajrakët e Mirditës, Bregu i Matës dhe Kurbini. Më 25 maj 1912, ishte ndër organizatoret e Kuvendit të Manatisë. Gjatë kësaj periudhe u zhvilluan disa luftime kundër pushtuesve, ku forcat kryengritëse të 12 bajrakëve të Mirditës drejtoheshin nga Prengë Mark Prenga i Oroshit dhe Kolë Toma i Velës.

Të mbështetur nga vullnetarë nga Lura, Dibra e Mati, kryengritësit mirditorë sulmuan Lezhën, arritën ta çlironin dhe të ngrinin flamurin kombëtar. Por në mungesë të armatimeve, pasi një anije me armë që u ishte premtuar nga aleatët nuk erdhi, u detyruan që të tërhiqeshin dhe të zinin vijën Kreshtë-Gomsiqe.

U zhvilluan luftime të ashpra në Gomsiqe, Rraboshtë, Kallmet, prej Vaut të Dejës në Grykë të Gjadrit, në Kreshtë e deri në malin e Velës, në të gjitha shpatet që ndanin Mirditën nga Zadrima. U zhvilluan luftime të ashpra në Pllanë, Breg të Matës, etj.

Më 1 gusht 1912, merr pjesë në Kuvendin e Rubikut. Në këtë kuvend morën pjesë përfaqësues nga të gjitha krahinat e veriut, si nga 12 bajrakët e Mirditës, Kurbini, Bregu i Matës, Zadrima, Lezha, Shkodra, Kruja e Tirana.

Tre ishin çështjet me rëndësi kombëtare që u shqyrtuan në Kuvendin e Rubikut:
1. Zgjedhja e delegatëve për në Kuvendin Kombëtar të Shkupit, në të cilin do të hartohej Statuti(Kushtetuta) e Shqipërise Autonome.
2. Formulimi i një projekt-statuti për këtë qëllim.
3. Qëndrimi i shqiptarëve ndaj autoritetit osman deri në kthimin e delegatëve.
Mbështeti me të gjitha forcat shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në ditët e para të dhjetorit 1912, u ngrit flamuri kombëtar në Lezhe, nga Kol Toma i Velës, Frrok Ded Kola i Kashnjetit, Gjeto e Ded Çoku të Bregut të Matës, Kolë Gjokë Deda i Manatise, etj.

Më 8 korrik 1919, mori pjesë në Kuvendin e Kallmetit, ku pati përfaqësues nga 12 bajrakët e Mirditës.

Në kuvend u nënshkrua një protestë drejtuar Konferencës së Paqes në Paris, kundër pretendimeve shoviniste jugosllave për pushtimin e Shkodrës.
Kolë Gjokë Deda vdiq, duke lënë një emër të mirë e të nderuar në Malësinë e Lezhës e më gjerë.

    

Dom Ndoc Sumaj (Ndocaj)
Dom Ndoc Sumaj (Nënshat, 31. 07. 1887 – 22. 04.1958) vdiq 2 vjet mbasi ishte liruar, i shkatërruar nga burgu, ku u torturua me akuza për të cilat thoshte: “Vetëm kur dola në gjyq, e mora vesht pse më kishin arrestue”. “Vetëm tashti po e marr vesht…”
Në jetën e kushtuar të Dom Ndocit ishin më shumë jetët e të tjerëve, sesa jeta e tij, pa ngjarje të jashtëzakonshme. Përveç 21 shtatorit 1911, kur u shugurua në Kapelën e Seminarit, e 24 shtatorit 1911, ditë e kremtimit të Meshës së parë, në vendlindje. Ku u kthye pas një vonese prej dy motesh.
U kthye pranë të vetëve, me dëshirën për t’i gdhendë shpirtërisht e mendërisht. Pranë njerëzve të thjeshtë të fshatit, mundimçarë, me kallo në duar. Të thyer më dysh nga rangët e shtëpisë, nga punët ndër ara e kopshtije, nga vrapi pas katër-pesë delesh e dhish, gjithnjë në ndjekje të çubave të barit. U bë bari i barinjve. Atyre, që teshat më të mira i ruanin për vdekje. Shkoi mes tyre, si njeri, që dijen e kishte marrë sa në shkollë, aq në maje të gurit të malit e rreth vatrës, mbrëmjeve, ku mblodhi mite e tradita të lashta shqiptare, duke iu kushtuar etnografisë.
I qetë, energjik, me zë tingëllues, si gjithë meshtarët, fliste thjesht, pa gojtari të zgjedhur, po me zemër në dorë. Mbështetej në Zotin e në popullin, që Ai i lumi ia kishte besuar. Në fenë e tij, në frymën e tij krijuese.
Shërbeu si famullitar në Kçirë, Koman, Naraç, Laç të Vaut të Dejës dhe në Pistull. I vlerësuar fort nga besimtarët, që e deshën dhe e ndoqën shqetësueshëm në çdo hap, sepse shëndetlig.
Po kremtonte Meshën Shenjte më 8 dhjetor 1946, kur e arrestuan. Ishte njeri aq i thjeshtë, sa nuk e mori vesh fare pse po e mbërthenin në hekura. Pastaj, në gjyq, e akuzuan për faje, që po i dëgjonte për herë të parë. Për bashkëpunim me diversantët, të cilët nuk i kishte parë kurrë, në një fshat ku gjithkush e dinte ku mund ta gjente në çdo orë të ditës e të natës. Sepse njerëzit vdesin edhe natën!
“Vetëm tashti e mora vesh çka kam bâ”, pati thënë, me humor të hidhur, kur u rikthye nga gjyqi, në qeli, i dënuar me 30 vjet burgim.
Ishte njeri i thjeshtë, i zakonshëm.

Leave a Reply