Zotit Tërmet Peçi, Kryetar i Bashkisë së qytetit të Tepelenës,

Home » Aktualitet » Zotit Tërmet Peçi, Kryetar i Bashkisë së qytetit të Tepelenës,

By arberia on August 19, 2018. No Comments

Zotit Tërmet Peçi,

Kryetar i Bashkisë së qytetit të Tepelenës,

Tepelenë,

Shqipëri

12 korrik, 2018

I nderuar Kryebashkiak Peçi,

Mua më quajnë Joe DioGuardi. Jam një ish-anëtar i Kongresit të Shteteve të Bashkuara me origjinë shqiptare. Paraardhësit e mi ishin nga formacionet ushtarake të Gjergj Kastriotit që luftuan dhe fituan një betejë të rëndësishme në Itali (“Beteja e Pulias”) dhe, dhe si shpërblim Mbreti i Napolit iu dha tokë për trimëritë e treguara në qytetin e Grecit në Kampanja në 1461 përpara se Kastrioti të kthehej në Shqipëri për të vazhduar betejën e tij 25 vjeçare kundër Perandorisë së madhe Otomano-Turke.

Që nga ajo kohë, shqiptarët e Grecit kanë vazhduar të ruajnë gjuhën dhe traditat e tyre të bukura, të cilat turqit osmanë u përpoqën t’i zhduknin gjatë 425 viteve të pushtimit brutal.

Gjatë kohës që unë isha kongresmen i Shteteve të Bashkuara, e vizitova Tiranën bashkë me kolegun tim kongresist, të ndjerin Tom Lantosh. Gjatë takimit prej dy orësh e gjysmë me Presidentin e atëhershëm të Shqipërisë, Ramiz Alia, ne mësuam për herë të parë mbi një nga aktet më të nderuara dhe më fisnike të popullit shqiptar për të shpëtuar të gjithë hebrenjtë në Shqipëri dhe ata që erdhën nga Europa Perëndimore përmes Kosovës në Shqipëri gjatë kohës së errët të holokaustit nazist. Vitet e fundit, së bashku me gruan time Shirley, jam munduar nëpërmjet iniciativave të panumërta të ndaj me publikun amerikan si dhe atë ndërkombëtar një nga tiparet më fisnike të kulturës Shqiptare, Besën, e cila na nderon të gjithëve ne.

Prandaj, unë jam i shokuar dhe thellësisht i shqetësuar mbi përpjekjet e tanishme për të cilësuar qytetin Tuaj të bukur dhe historik të Tepelenës si një “Aushvic Shqiptar”. Kjo – ashtu siç ju e dini – lidhet me disa plane të çuditshme për të kthyer barrakat ushtarake në qytetin tuaj në një farë soj Muzeumi dhe Kompleks Memorial si “Kampi i Shfarosjes së Tepelenës”.

Për këtë arsye unë isha shume i kënaqur nga intervista Juaj në Shkurtin e 2018-s ku ju u angazhuat për të mos e lejuar qytetin Tuaj të përdoret për iniciativa kontroverse, përçarëse dhe fanatike.

Siç Ju e dini mirë Kryetar Peçi, Tepelena ka një histori të madhe. Është vendlindja e Ali Pashës, i cili u përpoq të krijonte shtetin e parë Shqiptar pas Skënderbeut. Është vendi të cilin Lord Bajroni e vizitoi dhe e përshkroi me aq bukuri. Është një zonë ku është luftuar me trimëri për lirinë e kombit shqiptar gjatë gjithë historisë. Është në vendin tuaj dhe më saktësisht në fshatin Kodër ku bandat Greke kryen një nga aktet më barbare në historinë e Ballkanit.

Prandaj kur qyteti juaj ka kaq shumë histori për t’u ndjerë krenar si dhe për ta ndarë atë me publikun dhe ta ruajë atë, si është e mundur që disa njerëz kanë guximin të etiketojnë Tepelenën si “Aushvicin Shqiptar”?

Prandaj unë ju nxis, me autoritetin e Kryetarit te Bashkisë së Tepelenës të tërhiqni mbështetjen për memorialin Kompleks i cili në mënyrë të falsifikuar përshkruan “Memorialin e Kampit Shfarosës të Tepelenës”. Dhe, meqenëse Këshilli i qytetit tuaj ka kaluar një “rezolutë” mbi të ashtuquajturin “Memorial i Kampit të Shfarosjes të Tepelenës”, unë Ju nxis që zyrtarisht të anuloni një vendim të tillë dhe, në se do të ishte e nevojshme, të linit popullin e Tepelenës të vendosë nëpërmjet një referendumi lokal nëse një njollë e tillë e pashlyeshme do të vendosej në qytetin e tyre të bukur dhe historik.

Duke Ju falënderuar për vëmendjen tuaj në këtë çështje shumë të rëndësishme.

Me kënaqësinë për t’ju takuar në të ardhmen e afërt në Tepelenë apo në Shtetet e Bashkuara nëse Ju do të vini për vizitë këtu përpara nesh atje.

Sinqerisht i Juaji,

Joe DioGuardi

Leave a Reply