Lazër Stani: KOKA

Home » Aktualitet » Lazër Stani: KOKA

By arberia on September 12, 2018. No Comments

  1. Lazër Stani: KOKA

Pasdite erdhi prapë Koka, babai i ushtarit të vrarë verën që shkoi.
Ky dimër po më kalb trupin, doktor, më tha.
Pamja e tij e këputur, sytë e lodhur dhe të fikur, vërtetë më futën frikën. Përtej fjalëve që shqiptoi, u përpoqa të shquaj lëngatën që po e mundonte prej kohësh këtë burrë shtatlartë e të fortë si shkëmbi, që s’pati rënë kurrë në duar doktorësh. Aq më pak në duar mjekësh fshati, që më shumë sëmurin se shërojnë me këshillat dhe barnat e tyre.
Kam parë dhe ëndrra të këqija doktor. Më mbytën ëndrrat e këqija, tha.
Unë i bëra shënjë të ulej në shtratin e vizitave, të mbuluar me një çarçaf të bardhë, por ai nuk pranoi.
Prit njëherë, tha, të bisedojmë si burri me burrin.
Mbeta pak i befasuar nga besimi i tij tek unë, një mjek i ri fshati, djalë njëzet e gjashtë vjeçar, i diplomuar para një viti. E dija se në fshat, si gjithkund tjetër, nuk u zihej besë mjekëve të rinj si puna ime. Një mjek duhet ta ketë kokën me thinja, të mbajë me doemos syze me xham të trashë dhe të jetë pak i kërrusur nga studimi i gjatë i librave. Ç’mjek mund të jetë një djalosh, pa një thinjë në kokë e pa një rrudhë në fytyrë?!
Koka ia nguli sytë një libri të trashë që kisha lënë hapur në tryezë, pastaj këqyri rrotull, ndali sytë te librat e sistemuar në raft, tek aparatet e çuditshme mjekësore, të shpërndara andej-këtej.
Nuk di a mund të më shëndoshësh doktor, a ta lë veten në dorë të Zotit, tha pastaj me mendjen tjetërkund.
Ngriti kokën e madhe dhe më vështroi në sy. Ngjante i merakosur, i trembur, pothuajse i pashpresë. Grushtet i mbante të shtrënguar, sikur ndrynte diçka të çmuar brenda tyre. E ftova prapë të shtrihej në shtrat dhe ta vizitoja.
Prit njëherë, tha, të të tregoj se ç’po heq gjatë këtyre ditëve. Se çka është nuk e di, po gishtat me hahen me duart, duart më hahen me krahët, krahët me shpatullat, shpatullat me trupin, qafa me kryet, kërcinjë me gjunjtë, kofshët me njëra-tjetrën dhe fundin e shtatit, sikur eshtrat e trupit tim duan të shqyejnë shoqi-shoqin. A ke lexue kund për këtë sëmundje doktor?
I thashë se kam lexuar dhe se gjithçka do të kalojë. E di se dyshoi në fjalët e mia.
Çka të jetë e shkrueme, tha.
Ktheu kryet dhe këqyri shtratin e vizitave të mbuluar me çarçaf të bardhë.
A duhet të shtrihem?
Po. Hiq xhaketën dhe shtrihu, i thashë.
Pasi u shtri, unë i mata pulsin, tensionin e gjakut, i kontrollova rrahjet e zemrës, i përgjova frymëmarrjen. Gjithçka normale. Pastaj i kontrollova artikulacionet, gjymtyrët, mukozën e gojës dhe të bardhën e syve. Asnjë shenjë sëmundjeje.
Kokë, i thashë, nuk më tregove çfarë ëndrrash sheh.
Ngriti kryet e më këqyri i habitur, por nuk më ktheu përgjigje.
Mora bllokun e recetave të shkruaja një qetësues, kur Koka ma priti:
Ah doktor, një endërr të poshtër, ç’burrnuese! Gjithmonë e njëjta ëndërr e ligësht, tha.
Nuk këmbëngula. I zgjata recetën ku kisha shënuar me shkronja të qarta emrin e qetësuesit të dhimbjeve dhe i thashë:
Pi nga një kokërr para se të flesh dhe kockat e tua nuk do ta kafshojnë njëra-tjetrën.
E mori recetën, e këqyri me vëmendje, e palosi katërsh dhe e vendosi gjithë kujdes në xhepin anësor të xhaketës, e tha nëpër dhëmbë një falemnderës të zbrazët. U mat të dilte, por u ndal sikur të ishte kujtuar për diçka të rëndësishme:
Mos ma merr për të keq, doktor. Në fshatrat tona të gjithë janë të sëmurë, kujt i lëngon shtati e ma të shumtëve na lëngon mendja.
Po për mendjen e njèrit s’paska doktor, tha pikëllueshëm, duke ngritur sytë nga tavani, sikur atje lart të gjendej zgjidhja.
U ngrita dhe unë dhe e përcolla deri tek porta e jashtme e Qendrës Shëndetësore. Kur u largua disa hapa, ktheu kokën e tha, pa e ndalur ecjen:
“Ku të solli Zoti në këtë fshat të marrësh”.
Fjalët e tij ishin të trishtuara, ngjanin me një kuje për fatin tim.
Kur u ktheva në dhomën time një copëherë nuk më hiqej nga mendja Koka, fytyra e tij e stërmadhe me kocka të dala, vetullat e tij të trasha, që tkurreshin vazhdimisht të inatosura me atë çka i shihnin sytë e i dëgjonin veshët. E dija se pas vdekjes së të birit, asgjë në këtë botë nuk ia ngrohte zemrën dhe se shpirti i tij nuk do të ngushëllohej kurrë. I biri qe vrarë në gjumë, së bashku me disa ushtarë të tjerë nga një skuadër komandosh të huaj. Kjo e ligështonte edhe më shumë Kokën. Në gjumë, sipas tij, vriteshin vetëm qyqarët. Kështu i pati thënë ditën e varrimit të të birit, gjeneralit të ardhur nga kryeqyteti, kur i shpjegoi se si kishte ndodhur fatkeqësia.
Ptuh, i pati pështyrë gjeneralit gjithë pezmin e tij: Ushtri qyqarësh.
I ktheu krahët gjeneralit me një përbuzje poshtëruese. Gjindja u përpoqën ta shfajësonin në sy të gjeneralit. Por gjenerali nuk priti t’i dëgjonte se çfarë po thoshin. U ktheu shpinën dhe u largua kokëulur, pa u përshëndetur me njeri, i ndjekur nga pas prej dy oficerëve të rinj, që e shoqëronin. Atëherë njerëzit patën shpërthyer në të shara dhe mallkime për gjeneralët dhe ushtrinë që i vriteshin ushtarët në gjumë.
Pas humbjes së të birit, Koka rrallë dilte në qendër të Komunës. Në tavernën e fshatit, aty ku burrat mblidheshin mbrëmjeve e kthenin ndonjë gotë që të mbytnin trishtimin dhe dhembjet e jetës, Koka nuk shkeli më kurrë. Thuhej se ditën që varrosi të birin i paskësh thënë të shoqes:
Nuk dua të vdes në gjumë. Dhe dua të jem esëll kur të nisem për andej.
Këto fjalë të hidhura, që ia patën ndarë në dysh zemrën të shoqes, komentoheshin mbrëmjeve në tavernë. Dhe, kur unë i dëgjova për herë të parë atë mbrëmje, e kuptova se i kisha dhënë Kokës ilaçin e gabuar.

Tiranë, 2018

Leave a Reply