Ditë historike/ Sot Kuvendi i Kosovës voton për krijim e ushtrisë

Është parashikuar që sot Kuvendi i Kosovës të mbajë një seancë plenare në të cilën do të votohen tre projektligjet që FSK-ja të shndërrohet në ushtri.

Kjo ngjarje është cilësuar si historike për Kosovën dhe qytetarët e saj por edhe për të gjithë shqiptarët.

Vendimi që do të marrë sot Kuvendi i Kosovës do t’i hapë rrugë një procesi që sipas ekspertëve të fushës mund të zgjasë deri në 10 vjet deri në transformimin total të FSK-së në ushtri. Por ndërkohë kësaj Force do t’i nevojiten kapacitete të reja njerëzore, infrastrukturore si dhe pajisje tjera që do të vihen në shërbim dhe mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të vendit.

Në rendin e ditës të Kuvendit do të jenë këto 3 pika:

  1. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes,
  2. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës,
  3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, është shprehur më herët se ushtria e vendit, e cila do të krijohet sot, do ta trashëgojë emrin nga Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Sipas tij  ushtria do të jetë as më pak e as më shumë se ushtri dhe do të jetë moderne. Ai gjithashtu ka deklaruar se për këtë Kosova  ka edhe përkrahjen nga aleatët e vendit.