E pazakontë, 14-vjeçarja shqiptare bëhet nënë nga djali i dajës

Pas rastit të një 13-vjeçare, një tjetër shqiptare e mitur nga Kosova  është bërë nënë së fundmi.

Historia paksa e pazakontë vjen nga fshati Uglar i Komunës së Gjilanit ku një 14-vjeçare është bërë nënë më 24 nëntor të këtij viti, ndërsa babai i fëmijës është kushëriri i saj. Lindja e foshnjës  është një rast incesti, ku vajza 14-vjeçare ka kryer marrëdhënie seksuale me djalin e dajës 16-vjeçar.

Foshnja, e cila ka ardhur në jetë nga marrëdhënia seksuale e dy të miturve është braktisur dhe momentalisht ndodhet në spital.

14-vjeçarja ka lindur në Spitalin Rajonal të Gjilanit. Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit. Nga Policia e Kosovës kanë treguar se edhe babai i foshnjës është vetëm 16-vjeçar.

“Vajza që ka lind e ka datëlindjen më 10. 06. 2004 rasti është raportuar me 24 nëntor, në Spitalin Rajonal të Gjilanit, fëmijën e ka me një person që është i lindur me 10. 01. 2002”, ka konfirmuar  Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit.

Nga Spitali Rajonal i Gjilanit kanë konfirmuar se foshnja është braktisur por është duke vazhduar të qëndrojë në spital për shkak se është ende me terapi.

Kryeshefi i Departamentit për nëna dhe fëmijë, Blerim Bajrami, nga Spitali i Gjilanit ka thënë se foshnja është braktisur dhe se pas Vitit të Ri pritet që foshnja të merret nga institucionet përgjegjëse.

“Foshnja është e braktisur, qendra për punë sociale ka dashtë me marr për me dërgua tek institucionet përgjegjëse mirëpo nuk e kemi liruar për shkak se ka qenë me terapi dhe pas Vitit të Ri besoj që do të vinë ta marrin”, ka thënë Dr. Blerim Bajrami.

Kujtojmë se të martën e kësaj jave në Klinikën Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka lindur një vajzë 13-vjeçare.