EMRAT+FOTO/ Policia publikon listën me 31 personat më të kërkuar, mes tyre komandanti që vrau në ’90 të riun që do arratisej

Policia e Shkodrës ka bërë publik sot të gjithë të kërkuarit në këtë qark. Sipas një njoftimi bëhet me dije se këta persona janë të rrezikshëm dhe ftohen të gjithë qytetarët që të njoftojnë  nëse i shikojnë.

“Ja personat më të kërkuar nga Policia në qarkun Shkodër. Policia e Shtetit fton cilindo që ka dijeni mbi vendndodhjen e tyre të telefonojnë Policinë në numrin pa pagesë 112, apo aplikacionin “Komisariati dixhital”, duke ju garantuar anonimatin. Ndihmo dhe ti në sigurinë publike”, shkruan më tej Policia.

Një nga këta persona është ish-komandanti i Postës Kufitare të Velipojës, Besnik Zykaj, i dënuar për “krime kundër njerëzimit”. Një tjetër emër i njohur është Agron Çekiçi, i cili në qershor 2014, vrau me thikë pas një konflikti për motive pronësie, Klement Hoxhallarin. Ngjarja ndodhi në qendër të Pogradecit dhe kishte si mollë sherri një parcelë toke.

Gjithashtu, mes më të kërkuarve është edhe Ardian Narkaj, autori i një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në viti 2008 në Malësinë e Madhe. Ngjarja ndodhi në fshatin Bratosh, ku viktimë mbetën Tonin Ulaj dhe Gjergj Shota. Krimi i dyfishtë ndodhi gjatë kohës kur dy viktimat ishin persona të shpallur në kërkim nga Policia. Një tjetër i kërkuar është Françesk Vala, i dënuar në vitin 2017.

Bashkë me 6 persona të tjerë, Vala mori peng dy vëllezër në Shkodër në nëntor të vitit 2015, pas një konflikt për pazare droge, ku dy vëllezërve Kuçaj u kërkoheshin 10 mijë euro, pasi kishin hyri si ndërmjetës për blerjen e një sasie droge nga një shtetas nga Mali i Zi. Vala, një prej 7 të akuzuarve, u dënua me 8 vite burg. Mes më të kërkuarve për Qarkun e Shkodrës, ndodhen shumë persona të dënuar për vrasje, disa prej të cilave kanë ardhur për shkak të gjakmarrjes. Policia dyshon se disa prej tyre fshihen ende në Shqipëri dhe për këtë arsye u kërkon ndihmë qytetarëve për kapjen e tyre.

ISH-KOMANDANTI I VELIPOJËS

Një nga të paktët persona në Shqipëri të dënuar për krime kundër njerëzimit, vijon të mbetet ende person në kërkim. Besnik Ali Zukaj, ishkomandant i Postës Kufitare të Velipojës deri në vitin 1990, u dënua me burgim të përjetshëm pasi u shpall fajtor për vrasjen e Vat Marash Beqit më 19 maj 1990 dhe për plagosjen e vëllait të tij.

Dy vëllezërit tentuan që të largoheshin me not nga bregu i Velipojës në drejtim të Malit të Zi, kur u qëlluan me automatik nga Zykaj, edhe pse në fakt ushtarët i kishin ndaluar dhe po i kthenin drejt bregut. E gjitha kjo ndodhi vetëm një javë pasi Presidiumi i Kuvendit Popullor i asaj kohe kishte ndryshuar legjislacionin e Kodit Penal, duke mos e konsideruar më “arratisjen” si “tradhti ndaj atdheut”, por vetëm “kalim i paligjshëm i kufirit”.

Gjashtë vite pas vdekjes, Vat Beqi do të shpallej “Martir i Demokracisë”, ndërsa Gjykata e Shkodrës do ta dënonte Zykajn me “Burgim të përjetshëm” për “Krime ndaj njerëzimit”, duke u bërë personi i parë që dënohet për një vepër të tillë.

Pak pas ngjarjes, ishkomandanti u shpërngul në një fshat të Vlorës si dhe ndryshoi emrin në Bino Binaj, kurse disa muaj më pas u largua nga Shqipëria. Rreth 16 vite pas dënimit të tij në mungesë (2012), u raportua se Zykaj ishte arrestuar në Firence të Italisë dhe se do të nisnin procedurat për ekstradimin e tij. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi edhe sot ai rezulton person i shpallur në kërkim.

 

31302928272223242526212019181712131415161110987654321