Ky do të bëhet vendi i parë në botë me transportin publik FALAS

Ndërsa prej kohësh në Shqipëri po flitet sërish për rritjen e çmimit të biletave të transportit publik, në një vend tjetër të botës qytetarët nuk do të paguajnë më para për këtë shërbim.

Luksemburgu do të bëhet vendi i parë në botë që pritet të ketë transport publik falas, për të gjithë. Bëhet fjalë jo vetëm për udhëtimin me autobus, por edhe atë me tren e tramvaj.

Biletat kushtojnë rreth 2 euro, ku në një qytet të vogël mbulon pothuajse të gjithë udhëtimin. Vendimi u mor nga koalicioni i ri qeverisës, i drejtuar nga Xavier Bettel, i cili u betua për një mandat të dytë si kryeministër të mërkurën.

Arsyeja e këtij vendimi? Për të ulur trafikun dhe për të zvogëluar mbingarkimin e rrugëve nga makinat e shumta.

Pavarësisht se në të jetojnë 110,000 persona, rreth 400.000 njerëz vijnë për të punuar në këtë vend nga Franca, Belgjika dhe Gjermania, të cilët kalojnë kufirin çdo ditë.

Sipas një studimi të bërë dy vite më parë, drejtuesit e mjeteve harxhuan të paktën 33 orë në trafik në 2016-n.