Nga, Sokol Gjoni: Pisat që “protestonin” për të bërë pis protestën

Protesta studentorë e këtyre 5 ditëve, tashmë ka tejkaluar dhe vetë studentët, të cilët me kurajon e tyre frymëzuan një shoqëri të tërë, e cila gjatë këtyre viteve ndjehej e tulatur dhe i ishte mpirë ndjenja e reagimit dhe e protestimit qytetar.

E shndërruar në lëvizje shpresëdhënëse, kjo protestë ia ka arritur të zgjojë tek shqiptarët shqisat e atrofizuara të revoltës, edhe pse gjatë këtyre 5 viteve, shqiptarët nën keqqeverisjen e ‘rilindjes” kanë patur arsye të shumta për t’u ngritur dhe për të demonstruar demokratikisht forcën e mosnënshtrimit ndaj politikave antisociale dhe me karakter korruptiv në kurriz të interesave të qytetarëve.

Ka mjaftuar shpirti i i lirë dhe mbrujtja me idealizmën e moshës, që këta të rinj protestues, të vihen në lartësinë e vlerave kombëtare, për ta shpëtuar vendin e tyre nga kapja përfundimtare e një sistemi oligarkiko-kriminal që ia kishte arrritur të implementohej në shumë arterie të rëndësishme dhe në sektorët strategjikë të sferës ekonomike dhe me një shpejtsëi të llahtarshme ishte bërë kërcënues për jetën politike, duke synuar institucionet kushtetuese.

Studentët, të vetëdijësuar për fatet e tyre, ku ardhmëria ishte e projektuar me alternativën e largimit nga vendit i tyre, zgjodhën të sfidonin pushtetin kriminal të trajtësuar si oligarki, e cila përmes kontrollit të saj mbi qeverisjen e Ramës, është shndërruar në plackitëse dhe zhvatëse e pasurive të shqiptarëve.

Protesta aktuale e studentëve shqiptarë, kap dimensione epokale, pasi tashmë është shndërruar në promotore e një lëvizje të gjerë qytetare, e cila kërkon ndryshime të mëdha dhe të mënjehershme.

E mirorientuar në sensin e saj, kjo protestë masivizuese dhe padyshim jehonëmadhe, do përballej dhe me skenarë apo dhe me intrigat e palëve që dëmtohen, të cilët do të bënin lloj-lloj marifetesh për ta dështuar apo dhe për ta orientuar sipas interesave të tyre.
I tillë ishte dhe rasti i sotëm, kur një paloprotestues, i maskuar mes radhëve me qëllime të qarta për t’i shërbyer dështimit dhe keqpërdorimit të protestës, synoi të tërhiqte vëmendjen e turmës për të artikuluar bindjen e tij marksiste.

Nuk kishte dyshime që segmente të caktuara përmes infiltrimit të ca pisave markistëve do të synonin me cdo mjet përcarjen e protestuesve, por nuk ia dolën dhe kësisoj graviteti i protestës pritet të tërheqë pas vetes dhe qytetarët e shumtë anëkënd Shqipërisë, të cilët janë të gatshëm ti bashkëngjiten studentëve, si premisa më e jashtëzakonshme për ndryshimet e duhuara.

Pisët e protestës që tashmë dihet qartazi se kujt i shërbejnë dhe po qartazi u zbuluan si të infiltruar, duhet medoemos të largohen nga sheshprotesta e studentëve, sepse kjo lëvizje ka nisur dhe nuk mund të ndalet pa fitoren plotë të kauzës së tyre.
Pisët e protestës, nuk e kanë vendin aty, ai shesh i përket studentëve.

Studentë, jeni të thirrur në mision historik! Shqipëria ka nevojë për ju dhe kësaj emergjence kombëtare keni fatin ti përgjigjeni me ndjenjën krenare dhe sublime të dashurisë për atdheun.