Operacioni “Ambulanti”, kush janë 3 policët e arrestuar për korrupsion

Ata dyshohet se u kërkonin para tregtarëve ambulantë, kryesisht në zonën e Laprakës, në mënyrë që t’i lejonin të kryenin veprimtarinë e tyre. Operacioni për arrestimin e tre efektivëve të Policisë Bashkiake, i koduar “Ambulanti”, u realizua nga oficerët e Policisë në bashkëpunim me njësinë TaskForcë të Prokurorisë së Tiranës. Burime nga Policia thanë se të arrestuarit janë efektivët: Eduart D., 39 vjeç, Hekuran Rr., 43 vjeç dhe Nuredin D., 43 vjeç.

Të njëjtat burime thanë se këta efektivë, në raste të veçanta, por edhe në bashkëpunim me njëri-tjetrit, dyshohet se i kanë lejuar tregtarët ambulantë, në zonën e Laprakës, që të zinin trotuaret për të ushtruar aktivitetin e tyre, duke u marrë nga 500 lekë të rinj çdo ditë.

Të paktën rreth kësaj vlerë llogaritej ryshfeti i përditshëm që ata kërkonin nga shitësit, në mënyrë që të mos ua hiqnin tezgat. Mësohet se hetimet në ngarkim të 3 policëve kanë nisur fill pas kallëzimit të disa prej tregtarëve. Ndërsa arrestimi i tyre është kryer në zbatim të urdhërarresteve të firmosura nga Prokuroria e Tiranës.