Poli i tretë/Tryeza e partive joparlamentare me propozime konkrete, Ndocaj: T’u kthejmë qytetarëve pushtetin vendor, të uzurpuar nga mafia politike

U zhvillua sot në ambientet e Hotel Tirana International, tryeza me përfaqësuesit e partive politike joparlamentare, përfaqësuesit e shoqërisë civile, shoqatave, organizatave dhe intelektualë të pavarur nga bota akademike, te mbledhur në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Europian për Reformen Zgjedhore dhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Gjatë këtij takimi, pjesëmarrës të ndryshëm diskutuan problematika të ndryshme që shfaq Kodi Zgjedhor, si dhe dhanë sugjerime mbi modalitetet e organizimit për zgjedhjet e ardhshme lokale të qershorit 2019.
Për t’u vecuar është diskutimi i kreut të PBDKSH, Eduart Ndocaj, i cili hodhi në tryezën e këtij takimi, dy propozime mjaft interesante, të cilat morën vëmendjen e përfaqësuesve: Propozimi i krijimit të një poli të tretë, me bashkimin e të gjithë faktorëve pjesëmarrës të tryezës, me qëllimin e vetëm, rikthimin e pushtetit vendor tek qytetarët, pasi ky pushtet është totalisht i uzurpuar nga kthetrat e mafias politike, ishte një hap konkret në nivelin e tryezave të organizuara deri më tani, dhe tashmë pritet vlersëimi i këtij opsioni, për të përcaktuar ecurinë e takimeve të tjera me këtë format organizimi.

Gjitashtu, Ndocaj kërkoi miratimin e një rezolute nga të pranishmit, duke dënuar me forcë vrasjen e 4 emigrantëve shqiptarë në Greqi nga ekstremistë të ‘Agimit të Artë”, si dhe mbajtjen e një qëndrimi të ashpër ndaj ministrisë së jashtme shqiptare, e cila ka bërë reagime të vonuara dhe me tone të buta ndaj qeverisë greke, duke dëshmuar botërisht pafuqinë e saj për të mbrojtur dhe për të ngritur zërin për shtetasit e saj.

Në përfundim të takimit u miratua një rezolutë, detajet e së cilës do të bëhen të njohuara për opinionin publik gjatë ditëve në vijim.