Premtoi dorëheqjen, Rudina Hajdari shpëton mandatin dhe thyen vendimin e grupit të PD

Në 8 dhjetor, Rudina Hajdari premtoi se ishte e gatshme të digjte mandatin si deputete e Partisë Demokratike, me qëllim për t’ju bashkuar protestës së studentëve. Deklarata e Hajdarit nuk pati impakt te protestuesit, madje ata u shprehën se deputetja mund t’i bashkohej studentëve vetëm si qytetare, por asnjëherë për politikë.

Gjithsesi, duket se Rudina Hajdari ka ndryshuar nga pozicioni që mbajti vetëm pak ditë më parë. Ajo u paraqit sot në seancën plenare të Kuvendit, duke shpëtuar mandatin si deputete, që i rrezikohej për shkak të bojkotit të opozitës.

Në fjalimin e mbajtur në foltore, Hajdari ngriti gishtin kundër deputetëve të mazhorancës, por edhe të opozitës.

“Studentët janë të mbushur nga ju këtu, dhe nga ata atje (opozita)”, deklaroi deputetja.

Ndërkohë, Politiko.al mëson nga burime brenda Partisë Demokratike se, Rudina Hajdari ka thyer sot vendimin e marrë nga Grupi Parlamentar. Kryetari i grupit, Edmond Spaho, kishte caktuar deputetët Valentina Duka, Ervin Salianji, Luçiano Boçi dhe Izmira Ulqinaku për të mbrojtur në seancë amendamentet e LSI-së, për zbatimin e kërkesave të studentëve.

Deputetja Hajdari nuk ishte pjesë e këtij grupi, por gjithsesi u paraqit në seancë.

Përveç thyerjes së vendimit të grupit, Hajdari sulmoi edhe drejtuesit e opozitës, çka tregon për një tension në raportet e saj me partinë ku bën pjesë.